TIRANE- “Pse jo, burri mund ta godasë gruan”. Duket e çuditshme, por reale, dhe është mendimi tronditës i 100 shqiptarëve në 500, kur pyeten mbi dhunën në familje.
 
Këto janë rezultate të një studimi, i cili pavarësisht këtij konstatimi, nxjerr në pah se shoqëria shqiptare e ka ndryshuar perceptimin mbi këtë fenomen. Vetëm 54% e shqiptarëve mendojnë se çështja e dhunës në familje është tërësisht private, ndryshe nga 89% që ishte perceptimi 10 vite më parë.
 
Këto rezultate janë prezantuar në një takim të zhvilluar në ambientet e Ministrisë së Punëve të Brendshme mes një grupi të OJF-ve, Koordinatores Kundër Trafikimit të Qenieve Njerëzore znj. Elona Gjebrea, si dhe strukturave policore kundër dhunës në familje.
 
Sipas këtij raporti Policia është institucioni kryesor ku drejtohen ankesat apo denoncimet e qytetarëve mbi dhunën në familje, më saktë rreth 39% e tyre. Ndërsa pjesa tjetër, 23 % u telefonojnë OJF-ve, 18 % e çështjeve shkojnë në Gjykatë, 1% e denoncimeve përfundojnë në Prokurori dhe vetëm 1% i drejtohet institucionit që, me ligj, konsiderohet si kryesor për përballimin e këtyre problematikave, Pushteti vendor.
 
Por shqetësues mbetet rezultati i nxjerrë nga intervistimi telefonik, bisedave në fokus-grupe apo vetë-intervistimit në faqen Web të mbi 500 qytetarëve. 443 prej tyre u shprehën kundër dhunës në familje, ndërsa 100 të tjerë u përgjigjën: “Pse jo, burri mund ta godasë gruan”. Rezultatet u bënë publike nga znj. Iris Luarari, Drejtore Ekzekutive e “Linjës së Këshillimit për Gra e Vajza”.
 
Gjatë takimit znj. Elona Gjebrea siguroi se rezultatet e këtij anketimi do të bëhen pjesë e planit të punës së Policisë së Shtetit, ndërsa informoi edhe se është krijuar një databazë e rëndësishme për të luftuar fenomenin e dhunës në familje dhe sulmet seksuale.
 
Redaksia Online
(Shqiptarja.com)