Në një lidhje direkte me Report Tv nga SHBA, ish-kreu i Gjykatës së Kasacionit, Zef Brozi, tha se i mbështet plotësisht protestat pasi vetë ka qenë pjesë e tyre, por nuk përkrah dhunën. Me këtë mesazh, ai u thotë protestesve se dhuna nuk do t’u sigurojë fitore e mbështetje dhe i paralajmëron të mos bien në një kurth më të madh.
“Nuk mbështes dhe nuk jam në asnjë çast mbështetës i protestave të dhunshme. Dhuna nuk ju jep fitore. Dhuna nuk ju siguron as mbështetje të fuqishme mbarëpopullore. Uroj që studentët të mos bien në grackën e Sali Berishës. Studentë, rini, ju dua shumë! Distancohuni me zë të fuqishëm, të prerë dhe të vendosur nga Sali Berisha. Berisha duhet të mbajë larg duart nga kjo lëvizje. Studentët duhet të qëndrojnë larg çdo bashkëpunimi me Sali Berishën. Dinakëria e tij mund t'i çojë drejt një dështimi dhe humbjeje të simpatisë që mund të ketë kjo lëvizje studentore”, shprehet Brozi.
Sa u përket akteve të dhunshme, Brozi thotë se më të rrezikshmit janë ata që i financojnë të rinjtë e të miturit për t’i kryer. Edhe në këtë rast, ai nuk ka asnjë dyshim se pas tyre fshihet dora e Berishës, por e pësojnë të tjerët, siç ndodhi me ’21 Janarin’.
“Më të rrezikshëm se ata që hedhin gurin ose molotovin janë ata që i paguajnë këta të rinj e të mitur. Organizatori është shumë më i rrezikshëm se ekzekutori i akteve të dhunës. Historia e ka treguar: aty ku fut hundët Berisha, Shqipëria digjet dhe përgjaket. Faji i mbetet të tjerëve. 21 Janari, urdhëruesi i atij krimi barbar gëzon mbrojtjen e prokurorëve në SPAK. Ata janë bashkëfajtorë me Sali Berishën”, vijon Brozi.
Mesazhi i tij kryesor për protestuesit është të protestojnë paqësisht, policia të tregohet e matur dhe Shqipëria të mos përgjaket e digjet.
“Protestoni paqësisht, jo me dhunë! Mos qëlloni policinë! I bëj thirrje policisë të tregohet e balancuar dhe e matur ndaj protestuesve! Ruani shëndetin e njëri-tjetrit. Shqipëria ka nevojë për paqe e mirëkuptim. Protesta paqësore i bën mirë Shqipërisë, qeverisjes dhe perspektivës europiane. Dhuna në çfarëdo mënyre që të jetë, nuk i bën asnjë shërbim së pari, protestuesve. Mos e shkatërroni, digjni Shqipërinë, mos e përgjakni vendin tonë të dashur”, përmbyll Brozi.












Komente
Komento