Anëtarja e Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike, Ilirjana Kuçana thotë se protestuesit e PD nuk hodhën molotovë tek Xhamia e Namazgjasë në protestën e 20 shkurtit, por se ishte policia e cila hodhi gaz lotsjellës.
Në një intervistë për "Sot Live në Shqipëri" me gazetarin Nertil Agalliu në Report Tv, Kuçana u shpreh se është hedhur gaz lotjsjellës në oborrin e selisë së PD.
“Kam parë disa tituj të tillë, të cilët ngjajnë qesharakë. Si mund të hedhin molotovë ndaj xhamisë? Unë kam qenë aty, nuk kam nevojë të jem, më tha, i thashë. Gaz lotsjellës ka hedhur Polica e Shtetit ndaj besimtarëve myslimanë. Unë kam qenë prezente. Nënkryetari i PD, Luçiano Boçi është dëmtuar në dorë, ky ka qenë momenti kur ne jemi tërhequr drejt selisë së PD. Në oborrin e selisë së PD, kanë ardhur duke na hedhur gaz. Cilindo drejtues policie, i cili është militant partiak, siç është zoti Proda, i cili thuhet qartazi që është i lidhur me bandat kriminale, refuzoj që Gys Agasi të përcaktojë ministrat, drejtorët. Unë nuk dua të bie pre e këtyre diskutimeve. Të vij në studio dhe të diskutoj për molotovë, për mua kjo nuk është e hijshme", theksoi ajo.
Kuçana deklaroi se distancohet nga dhuna, por nënvizoi se protestat e dhunshme, Sali Berishës ia kanë kërkuar demokratët në turin e foltoreve që ka zhvilluar.
"Nuk jam promovuese e dhunës, distancohem. Në një vend ku çdo ditë shqiptarët vidhen, shqiptarët janë të revoltuar. Në takimin e fundit që kemi pasur në zonën e Durrësit, zoti Berisha ka pasur kërkesa nga demokratët të cilët nuk durojnë më dhe i kanë thënë, doktor, këto protesta duhet të jenë të dhunshme. Përgjigja e zotit Berisha ka qenë, distancohemi nga dhuna, dhe nuk do të mbështes asnjëherë protesta të dhunshme. Po them atë që ka ndodhur në takimet e njëpasnjëshme dhe në takimin e fundit. Ne nuk e kontrollojmë dot zemërimin e demokratëve", tha Kuçana.
Sipas saj, edhe opozita ka probleme, por problemi kryesor është qeveria e Edi Ramës.
"Ka rënie niveli në të dy krahët politik, por shqiptarët sot kërkojnë vizion. PD, me ardhjen në pushtet, fokusin do e ketë te arsimi. Gjithçka nis në auditore. Unë jam nga ato që guxoj të them edhe problemet brenda forcë sime. Patjetër që ka probleme edhe opozita, por problemi kryesor në këtë vend, është qeveria e Edi Ramës. Fillimisht të largojmë Edi Ramën dhe nëse ne nuk jemi forcë alternative qeverisëse dhe nuk i frymëzojmë, patjetër pas 6 muajsh të dalin dhe të na rrëzojnë dhe ne. Numërimi i Edi Ramës ka filluar mbrapsht. Nuk ka Bord Paqe, as takim që mund ta shpëtojë", u shpreh Kuçana.
Ndërsa analisti Albatros Rexhaj deklaroi se është pro protestave, por kundër dhunës. Rexhaj tha se molotovë konsiderohen armë.
"Protesta është interesante, unë i përkrah protestat në parim. Duhen inkurajuar njerëzit që të protestojnë. Mua nuk më pëlqen shfaqja në fund, kur lideri demokrat del me flamur dhe njerëzit fillojnë të hedhin molotovë. Si një njeri që ka përvojë në konflikte të armatosura, molotovi konsiderohet armë, është mjet shpërthyes. Njerëzit e përdorin që të vrasin dikë, të neutralizojnë mjetet e motorrizuara, është shembulli i ditëve të para të rezistencës në Ukrianë, krijonin mjete molotovi. Në Shqipëri, në vitin 2026, ku ka shumë për të protestuar dhe përfundon me molotov dhe temë bëhet molotovi e jo protesta, është sinjal i keq. Nuk kam parë distancim nga PD, nga lideri. Fakti që nuk ka distancim nga PD, për mua është problematike. Nuk duhet të presim të lëndohet dikush, apo mos e dhëntë Zoti, të vdesë dikush nga eskalimi i situatës", u shpreh analisti.
Rexhaj shtoi se nëse protestat vijojnë kështu, do kthehet në autogol politik për PD.
"Nëse vazhdohet me këtë ritëm, protesta do të kthehet në një lloj autogoli politik, nuk shoh të ardhme për këtë formë të protestuari. Drejt asaj po shkon. Situatat dalin prej kontrollit, dalin. Qëndrimi politik është ai që bën diferencën. Unë kam informacion të saktë nga kori diplomatik në Tiranë, ata presin distancim që qartë të liderit demokrat. Kjo mungon, ekziston dyshimi i bzuar se ka amnisti për këto sjellje. Eskalimi nuk i bën mirë PD në planin afatgjatë. Qytetarët shqiptarë kanë ndryshuar. Nuk duan këto shfaqje. Unë nuk mendoj se Edi Rama bezdiset nga këto protesta", theksoi ai.
Sipas analistit, opozita nuk frymëzon rininë.
"PD nuk ka haber komunikimi me rininë aktuale dhe brezin e mesëm të shqiptarëve që janë formuar pas vitit 2000. Këta janë njerëz që e shohin botën ndryshe dhe nuk ka strategji si të komunikojnë me ata njerëz. Në momentin kur motivohet rinia, nuk ka forcë në botë që t'i ndalë. Rinia shqiptare nuk ndihet e motivuar nga opozita aktuale në Shqipëri. Protestat e studentëve, që nuk kanë pasur agjendë politike, e kanë dridhur shtetin. Nëse politika i frymëzon, nuk i ndal dot, ky është fakt. Unë mendoj që Edi Rama nuk ka nevojë të bëjë fushatë më të madhe sesa ta lërë sot doktor Berishën dhe të bëjë fushatë për të. Për mendimin tim është kështu", përfundoi Rexhaj.
Komente












