Elmaz Kaliaj, banues në Elbasan plagosi me thikë gruan e tij Shkëlqime Kaliaj gjatë një konflikti të enjten, si edhe fqinjin që tentoi t'i ndante.
Policia ndërhyri duke arrestuar burrin 50-vjeçar, ndërsa gruaja, 46 vjeç, dhe fqinji E.S. 64 vjeç ndodhen në spital, ku po marrin ndihmën mjekësore. Mësohet se të dy janë jashtë rrezikut për jetën.
Policia thotë se ngjarja ndodhi për motive të dobëta, ndërsa familjarët dhe fqinjët thonë se Elmazi kishte probleme mendore, dhe se kishte shumë kohë pa marrë ilaçet. Ata thonë se çifti nuk ziheshin shpesh.
“Ai ishte me probleme mendore. S’mund ta mbanim. Çun e kam Elmazin po kishte kaluar. Kishte mjaft ditë pa pirë ilaçet dhe e kapi gjendja. Nja një muaj a dy ka pa i pirë. Nuk donte t’i pinte. Sherre nuk kishin, nuk ziheshin. Fëmijët janë në punë, nuk e dinë se çfarë ka ndodhur”, tha e ëma e autorit, Mersine Kaliaj.
“Ai burri i asaj gruas është me ilaçe ai”, tha një fqinje.
Ngjarja ka ndodhur mesditën e sotme në lagjen Dyli Haxhire të Elbasanit.
Grupi hetimor po punon për zbardhjen dhe dokumentimin e plotë të rrethanave të ngjarjes.