BERAT- Thyerje të fotografive prej porcelani, grabitje e vazove të ndriçimit të bronzit dhe dëmtime të llojeve të ndryshmi deri në shkatërrim të plotë të varreve është panorama në varrezat e Suelasit të qytetit të Beratit

Roja i varrezave, Polizoi Tavanxhiu tregon se ka parë se dhunuesit shpesh janë persona të droguar  që i marrin zbukurimet metalike dhe kupat prej bronzi, duke i çuar në pikat e mbledhjes së hekurave.

 “Edhe tek varri i babait tim kanë marrë, edhe tek të gjithë. Edhe atje matanë kanë thyer varrin, kanë marrë fenerët.  I kanë marrë të tëra”, tha Tavanxhiu.

Sipas rojes, ky fenomen ka ndodhur që prej 12 marsit të vitit 2021, ndërsa i drejton edhe një apel autoriteteve shtetërore të ndërhyjnë pasi pavarësisht denoncimeve deri më tani nuk është marrë ndonjë masë.

 “Në 12 mars është bërë grabitja e varrezave e nuk dihet. Denoncimin në policinë e shtetit e bëra që isha dezhurn. Ato i djegin gotat, i shtypin gota i përziejnë. Tani i lutem shtetit të marrë masa, se është një pronë që është e të gjithë popullit nuk është vetëm e imja”, rrëfen ai.

Bastisja e varrezave publike është një fenomen i njohur prej disa vitesh. Varret e dëmtuara janë me pllaka betoni, ndërsa dhunohen për t’u përdorur për skrap pjesë metalike e sende me vlerë  që shiten më pas në treg.