Një 35-vjeçar është dhunuar mbrëmjen e kësaj të marte në Lezhë. Ngjarja ka ndodhur në afërsi të një pike karburanti, në aksin rrugor Lezhë–Rrilë, ku Petrit Paloka është nxjerrë me forcë nga automjeti me të cilin udhëtonte dhe më pas është goditur me shkop bejsbolli, duke marrë lëndime të rënda.
Burime për Report Tv bëjnë me dije se dhunuesit i kanë prerë rrugën me një makinë tip "Audi" ngjyrë të zezë, ndërkohë që kanë qenë të maskuar.
I plagosuri është transportuar fillimisht në urgjencën e spitalit të Lezhës, ku ka marrë ndihmën e parë, ndërsa më pas është dërguar në Spitalin e Traumës në Tiranë për trajtim të specializuar, për shkak të gjendjes së tij të rënduar.
"Rreth orës 17:40, në vendin e quajtur pranë “Kryqëzimit të Rrilës”, Lezhë, disa shtetas ende të paidentifikuar kanë goditur me mjete të forta shtetasin P. P., rreth 35 vjeç",- njofton policia.
Para bluve, Petrit Paloka ka deklaruar se nuk i ka njohur dhunuesit. Report Tv mëson se vetë 35-vjeçari nuk është person i skeduar nga policia.
Policia ka nisur hetimet për identifikimin dhe kapjen e autorëve të ngjarjes, si dhe po punon për sqarimin e plotë të rrethanave dhe motiveve që çuan në dhunimin e shtetasit. Blutë këqyrin e kamerat e sigurisë së bizneseve në zonën ku ka ndodhur ngjarja për të zbuluar drejtimin nga ku janë larguar dhunuesit.
Komente









Pas 1 jave lajmi tjeter.. Vritet nje person ne lezhe !
Përgjigju