Dhunohet trajneri i Vllaznisë,
tentojnë ta godasin me thikë

Dhunohet trajneri i Vllaznisë,<br />tentojnë ta godasin me thikë<br /><br>
SHKODER - Trajneri i ekipit të Vllazinës Ernest Gjoka ka rënë pre e një sulmi ditën e sotme, pasi ka debatuar fillimisht me autorin që ka ushtuar dhunë ndaj tij. Trajneri Gjoka ka marrë disa lëndime në kokë, por fatmirësisht nuk është në rrezik për jetën.

Ngjarja ndodhi në fushë sportive "Reshit Rusi" në qytetin e Shkodrës dhe policia ka shoqëruar dy persona si të dyshuar për aktin brutal. Gjithashtu edhe vetë Gjoka ka qenë në polici për të shpjeguar rrethanat e ngjarjes.

 

 

 

Report TV zbardh dinamikën e kësaj ngjarjeje

 

 

Një person fillimisht e goditi trajnerin Gjoka me grusht dhe pas goditjes së fortë tekniku u rrëzua në tokë. Më pas agresori tentoi ta qëllonte edhe me thikë trajnerin e Vllaznisë, por Gjoka reagoi duke e shtyrë me këmbë dhe shmangu goditjen. Për incidentin është vënë në dijeni edhe ministri i Brendshëm Fatmir Xhafaj. Autori i  sulmit është identifikuar dhe po punohet për arrestimin e tij. Në momentin e agresionit, Gjoka ishte në shoqërinë e kapitenit të Vllaznisë Gilman Lika. Nuk është hera e parë që Gjoka është viktimë e sulmesh apo kanosjesh të ngjashme.

Reagon administratori i Vllaznisë

Ndërkohë, administratori Astrit Gjyrezi e ka dënuar aktin si të paprecedentë. “Është një turp që ndodh për Shkodrën. Nuk kam dijeni se kush është agresori, por kjo është e turpshme. Kjo ngjarje vjen në një moment delikat për Vllazninë që nuk duhet të ndikojë për ecurinë e Shkodrës”.

Administratori bëri dhe një thirrje: “Ta mbështesim Gjokën si jabanxhi dhe trajner të Vllaznisë. Keto gjeste nuk i kane hije qytetit të Shkodrës”.

Njoftimi i policisë

Me datë 22.02.2018 rreth orës 17:00, salla operative ka marrë një njoftim se afër portës hyrëse të një fushe sportive, një shtetas i është afruar trajnerit të Vllaznisë, E.Gj, i cili ka qënë në shoqërimin e një shtetasi tjetër të quajtur G. L, dhe e ka sulmuar duke goditur me grusht.

Trajneri i Shkodrës është shmangur duke kundërvepruar ndaj sulmuesit dhe në ato momente ka rënë tokë.

Pas kësaj personi është larguar me vrap, ku në ikje e sipër është vënë re në dorën e tij një mjet prerës në dukje si thikë.

Shërbimet e policisë kanë mbërritur në vendngjarje dhe po punohet për kapjen e këtij të fundit.

Reagimi i FSHF-së

FSHF dënon me forcë veprimin më të fundit ndodhur sot me trajnerin e klubit të futbollit Vllaznia, Ernest Gjoka ku një person ka tentuar të godasë me thikë trajnerin pas përfundimit të stërvitjes.

Presidenti i FSHF-së, Armand Duka sapo është informuar për këtë ngjarje ka telefonuar menjëherë trajnerin Ernest Gjoka për tu interesuar në lidhje me gjithcka ka ndodhur. Kreu i FSHF i ka garantuar teknikut angazhimin e tij maksimal  në zbardhjen e plotë të këtij akti. Z.Duka ka marrë kontakt më pas edhe me autoritetet policore për cështjen në fjalë.

Të tilla ngjarje janë tërësisht një anë shumë e shëmtuar, që nuk i përkasin aspak futbollit, lojës tonë, dhe dënohen maksimalisht nga opinioni sportiv dhe jo vetëm. Nje ngjarje e tillë duhet të rrisë akoma më shumë ndërgjegjësimin qytetar për të luftuar të tilla fenomene.

Trajnerët tanë profesionistë duhet të punojnë të qetë dhe jashtë trysnisë psikologjike, apo akoma më tej të gjendur të kërcënuar nga situata të tilla me rrezikshmëri të lartë.

FSHF inkurajon trajnerin e Vllaznisë Gjoka dhe të gjithë klasën e trajnerëve që te vazhdojnë të ushtrojnë pasionin dhe misionin e tyre, trajnimin në futboll.

Asnjë motiv, rrethanë apo arësye nuk legjitimon kurrsesi humbjen e kontrollit total dhe ndërmarrjen e veprimeve agresive karshi njerëzve që punojnë cdo ditë dhe angazhohen shpirtërisht me futbollin dhe garën.

Le të shërbejë kjo ngjarje, fatmirësisht e mbyllur pa ndonjë komplikacion shëndetësor për trajnerin Gjoka, për ti paraprirë një disipline dhe rregulli akoma më të lartë nga klubet, në vendet kryesisht ku skuadrat kryejnë stërvitjet ditore. Por mbi të gjitha ti bëj apel ndërgjegjes qytetare për ti thënë STOP episodeve të tilla agresive.

s.k/Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Djegin karriget dhe sende drejt Spiropalit, si e vlerësoni aksionin e PD?



×

Lajmi i fundit

Spahiu: Partitë e reja dështojnë sepse, populli voton por Rama-Berisha numëron

Spahiu: Partitë e reja dështojnë sepse, populli voton por Rama-Berisha numëron