25-vjeçari nga Tirana që akuzohet se rrahu partneren e tij shtatzënë vitin e shkuar ka përfunduar në burg pas ekstradimit të tij nga Beogradi.

I riu me inicialet K.M ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar që një vit më parë, sepse në muajin janar të 2025-ës dhunoi rëndë me sende të forta dhe grushta gruan me të cilën bashkëjetonte që ishte shtatzënë.

Në operacionin ndërkombëtar të koduar ‘The Wanted’ bashkëpunuan specialistët e Interpol Tiranës dhe Interpol Beogradit.

Falë këtij bashkëpunimi, u finalizua edhe procedura për ekstradimin e 25-vjeçarit nga Serbia, në Shqipëri.

Me të mbërritur në vend ai u arrestua me burg.  Tani do të përballet me drejtësinë për plagosje të rëndë me dashje dhe dhunë në familje.

Njoftimi i plotë i policisë 

Ekzekutohet masa e sigurisë "Arrest në burg", ndaj 25-vjeçarit, qe u ekstradua nga Beogradi. Specialistët për Hetimin e Krimeve të Rënda në DVP Dibër ekzekutuan vendimin e Gjykatës Dibër për shtetasin në kërkim ndërkombëtar K.M., 25 vjeç, banues në Tiranë, ndaj të cilit i është caktuar masa e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Plagosja e rëndë me dashje” dhe “Dhuna në familje”. 25-vjeçari, u kap në kuadër të operacionit policor ndërkombëtar, të koduar “The Wanted”. Ai akuzohet se në muajin janar 2025, në Bulqizë, dhunoi rëndë, me sende të forta dhe me grushte, bashkëjetuesen e tij, shtatzënë. Si rezultat i bashkëpunimit ndërmjet specialistëve të Interpol Tiranës dhe specialistëve të Interpol Beogradit, gjatë kësaj faze të operacionit ndërkombëtar, të koduar “The Wanted”, u finalizua procedura për ekstradimin e 25-vjeçarit nga Serbia, në Shqipëri.