Një 45-vjeçar i shpallur në kërkim ndërkombëtar është arrestuar në Shkodër, pasi ishte dënuar në Itali me 7 vjet e 11 muaj burg për vjedhje me dhunë dhe disa vepra të tjera penale.
I arrestuari është Aldo Doçaj alias Vuksan Daçaj, i cili ishte dënuar nga Gjykata e Apelit e Romës për “Vjedhje me dhunë”, kryer në bashkëpunim, “Vjedhje me thyerje”, mbetur në tentativë, “Kundërshtim të punonjësve që kryejnë detyrë publike” dhe “Dhunë ose kanosje ndaj punonjësit publik”.
Sipas Policisë, nga dënimi i dhënë nga drejtësia italiane, 45-vjeçarit i kanë mbetur për të vuajtur 5 vjet, 4 muaj e 2 ditë burg.
Ai u lokalizua dhe u arrestua në Shkodër nga Forca e Posaçme Operacionale, në bashkëpunim me shërbimet e Policisë së Shkodrës, në kuadër të operacionit të koduar “Fast”.
Kapja e tij u bë pas kontrolleve dhe shkëmbimit të informacioneve mes Interpol Tiranës dhe Interpol Romës.
Njoftimi i Policisë
" U kap në Shkodër dhe u arrestua me qëllim ekstradimin në Itali shtetasi A. D. alias V. D., 45 vjeç, i cili ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar, pasi Gjykata e Apelit e Romës, e ka dënuar me 7 vjet e 11 muaj burgim, për veprat penale “Vjedhja me dhunë”, kryer në bashkëpunim, “Vjedhja me thyerje”, mbetur në tentativë, “Kundërshtimi i punonjësve që kryejnë detyrë publike” dhe “Dhuna ose kanosja ndaj punonjësit publik”. Nga dënimi i kanë mbetur për të kryer 5 vjet, 4 muaj e 2 ditë burgim"








Komente
Komento