TIRANE - Gjykata largon nga banesa vjehrrën e alkoolizuar, e cila dhunonte djalin dhe nusen. Vendimi është marrë ditën e djeshme, ku urdhërohet Hatixhe G të pagujë gjobën prej 100 mijë lekësh të reja për dëmtimet fizike që i ka shkaktuar nuses së saj Majlinda G. Gjithashtu gjykata ka lëshuar edhe një urdhër largimi nga banesa të vjehrrës 65-vjeçare.

Menjëherë pas vendimit ka reaguar edhe djali i Hatixhe G. "Mamaja ime ishte bërë e padurueshme. Ishte gjithë kohës e dehur dhe agresive. Nuk mund të rri më në një shtëpi me mua, sidomos tani që jemi bërë prindër. Ajo është e rrezikshme për djalin tim 1-vjeç", është shprehur Alban G. Hatixhe G ka dalë me lot në sy nga salla e gjyqit duke kërkuar mëshirë dhe falje tek i biri. Ajo ka thënë se nuk ka një vend ku të qëndrojë dhe i ka kërkuar djalit të që të mos e braktisë. "Jam e gatshme që të heq dorë nga rakia vetëm që djali të më pranojë në shtëpi. E di unë që ka faj edhe nusja se e nxit djalin kundër meje. Dua të rris nipin tim dhe dua që të më njohë se jam gjyshja e tij. Mëshirë or bir, më fal", ulërinte e moshuara.

Padia është dorëzuar para një muaji në Gjykatën e Tiranës nga çifti, të cilët kërkonin me ngulm largimin nga banesa të vjehrrës. Alban G në dëshminë e tij tregonte se e ëma pas vdekjes së babait kishte filluar të pinte. Gjendja u rëndua kur ajo kërkoi varësi nga alkooli, që e kishte kthyer në një person agresiv. "Kam debatuar me mamanë time dhe më ka premtuar se do ta linte alkoolin. Por ajo vazhdonte të pinte dhe disa herë më ka goditur, pasi i thoja që nuk ishte më imë më. Ajo u bë rrezik për bashkëshorten time kur ishte shtatzënë. Madje ne kemi tentuar që ta mbyllim edhe në Azil, por atje qëndroi vetëm tre ditë dhe e rikthyen sërish në shtëpi tek ne. Imagjino nuk e mban Azili, si mund ta përballojmë ne", deklarata e Alban G. Në sallën e gjyqit ka dëshmuar edhe nusja, e cila ka treguar episodin kur është dhunuar nga vjehrra. "Isha në muajin e shtatë të shtatzanisë. Atë ditë u ktheva më herët në shtëpi nga puna, pasi nuk ndjehesha mirë.

Vjehrrën e gjeta duke pirë dhe tentova ti merrja nga dora shishen e alkoolit. Shkova në banjo për ta derdhur dhe nuk e pashë që më ndoqi nga pas. Ajo më shty në tualet dhe unë pata gjakderdhje. U tremba dhe kam ndenjur pesë ditë në spital, pasi isha në rrezik dhe mund të humbja fëmijën. Unë e dua shumë Hatixhen, se tek ajo shikoj mamanë time që më ka vdekur. Hatixheja është kujdesur shumë për mua dhe më ka trajtuar si vajzë, por pas vdekjes së vjehrrit ajo u kthye në një person krejt tjetër. Është bërë agresive dhe asnjë terapi kundër alkoolit nuk ka funksionuar. Më vjen keq por ajo duhet të largohet nga shtëpia. Kam frikë për jetën e djalit tim, i cili është vetëm 1-vjeç", është shprehur Majlinda G. Gjykata ka dëgjuar edhe dëshminë e vjehrrës. Në sallën e gjyqit 65-vjeçarja ka pohuar se është kthyer në vartëse të alkoolit. Por kjo nga dëshpërimi i madh i humbjes se bashkëshortit, me të cilin ishin të martuar prej 36 vjetësh.


"Alkoolin e nisa kur më vdiq burri. Unë me të kishim 36 vjet që ishim të martuar. Një jetë me një person dhe ta humbësh krejt papritur, nuk është dhe aq e lehtë. Nuk mund ta harroja dhe kudo më shfaqej fytyra e tij. Atëherë gjeta një zgjidhje të pija raki dhe të harroja çdo gjë. Është e vërtetë që kam lënduar djalin dhe nusen, të cilët më duan shumë. Ata janë kujdesuar për mua, por unë vetëm tani po e kuptoj sa e rëndë është ajo çka kam bërë. Dua të më falin dhe të më japin sërish mundësi që të jetoj me ta", ka dëshmuar Hatixhe G. Por mesa duket kjo dëshmi nuk ka qenë bindëse për gjyqtaren, e cila ka urdhëruar largimin e vjehrrës nga banesa dhe dëmshpërblimin me 100 mijë lekë të reja për dhunën e ushtruar ndaj nuses së saj.

(Shkrimi u publikua sot ne gazeten Shqiptarja.com)

sg/shqiptara