Policia e Kurbinit ka parandaluar një ngjarje kriminale në familje. Në pranga ka rënë një 47-vjeçar,  i cili ushtronte dhunë fizike dhe psikologjike ndaj bashkëshortes dhe dispononte armë zjarri pa leje.

47-vjeçari me iniciale A.P., u largua nga banesa sapo pa shërbimet e Policisë, por pas kontrolleve dhe rrethimit të zonës u vetëdorëzua.

"Policia e Kurbinit, pas marrjes së njoftimit se ky shtetas ushtronte dhunë fizike dhe psikologjike ndaj bashkëshortes në banesë, ka ndërhyrë menjëherë duke parandaluar përshkallëzimin e mëtejshëm të dhunës.

Shtetasi A. P., kur ka konstatuar shërbimet e Policisë, është larguar menjëherë nga banesa, por pas kontrolleve të shumta dhe rrethimit të zonës, pas disa orësh u vetëdorëzua te shërbimet e Policisë", thuhet në njoftimin e policisë.

Gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e këtij shtetasi, Policia gjeti dhe sekuestroi një armë zjarri pistoletë, me një krehër me fishekë.

Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Kurbin, në ngarkim të shtetasit A. P., për veprat penale “Dhunë në familje” dhe “Armëmbajtje pa leje".