‘Dhuratë zemre për Krishtlindje!' Gjimnazistët e Yzberishtit festojnë me fëmijët jetimë në Shkodër

‘Dhuratë zemre për Krishtlindje!' Gjimnazistët e Yzberishtit festojnë me fëmijët jetimë në Shkodër

Nxënësit e gjimnazit ‘Myslim Shima’ në Yzberisht

Nxënësit e gjimnazit ‘Myslym Shima’ në Yzberisht me mësuese Amarildën udhëtuan me autobus nga Tirana për të festuar festat e fundvitit me fëmijët e Shtëpisë së Fëmijës në Shkodër. Ishin kujdesur të blenin dhurata; t’i paketonin. Madje kishin përgatitur një sërë lodrash, këngë e valle për të krijuar një atmosferë sa më festive. Në kokë kishin shumë pikëpyetje ndërsa përjetonin një miks emocionesh mes dhembshurisë, mallëngjimit, të panjohurës

Dera u hap!

Sytë ishin tek ata! Për 27 fëmijët e shtëpisë së Fëmijës në Shkodër këto janë ditët më të bukura të vitit. Përpiqen të marrin sa më shumë dashuri, përkëdheli dhe vëmendjen që familja e tyre biologjike ua ka mohuar. U duhet për të ushqyer shpirtin për një vit, deri në festat e fundvitit të vitit tjetër.

Projekti 
Nisi një muaj më parë kur në mbledhje me senatorët e gjimnazit në Yzberisht u propozua projekti për të organizuar një aktivitet humanitar në Shtëpinë e Fëmijës Shkodër.

“E nisa me shumë pikëpyetje, nëse do të realizohej apo jo. Nëse do të kisha përkrahjen e nxënësve, prindërve, kolegëve” kujton mësuese Amarilda Skura.

Por projekti u prit me dashamirësi dhe prindërit u treguan shumë bashkëpunues. Kontribuan të gjithë, mësues e nxënës, kush me 100 lekë, kush 200 e kush 500. Me paratë e mbledhura u blenë dhurata për fëmijët jetimë sipas grupmoshave.

„Kur na u propozua të bëjmë dhurata për fëmijët në shtëpinë e fëmijës isha e emocionuar se do bëja fëmijë të tjerë të lumtur. U mora me blerjen e paketimin e tyre. Donim ti bënim të ndiheshin të gëzuar‘ thotë Markela, nxënëse e gjimnazit ‘Myslym Shima’ në Yzberisht

Projektin e nisën ashtu siç mëson Nënë Tereza “Ne s’mund të bëjmë dot gjëra të mëdha, vetëm gjëra të vogla me dashuri të madhe!

„ Donim të sillnim dashuri dhe gëzim për fëmijët që jetojnë në shtëpinë e fëmijës, por dhe t’i jepnim nxënësve tanë mësimin e ndjeshmërisë, dhembshurisë, bujarisë, kujdesit ndaj tjetrit vullnetarizmit e  solidaritet“ , thotë drejtoresha e shkollës ‘Myslym Shima’, Rezarta Brahimi

Shiu nuk i ndali e autobusi u nis mëngjesin e 20 dhjetorit 2024.

„Kur shkova tek shtëpia e fëmijëve ndihesha e pasigurtë dhe emocionuar njëkohësisht. Nuk e dija si do i shihja dhe si do më shihnin ata mua. Kur hapa derën dhe pashë fytyrat e tyre një ndjesi e çuditshme më përshkoi mes ngrohtësisë e trishtimit. Ndërsa ata buzëqeshnin, në një moment më erdhi të qaja. U përpoqa të përqëndrohesha tek buzëqeshja dhe energjia që ata më jepnin. Pyetjet më silleshin në mëndje: Si ia dalin përditë këta fëmijë, si mund t’i ndihmoj unë’  kujton emocionet e para Natalia, nxënëse e shkollës.

Festa nisi, muzikë, këngë, valle e lojra. E më pas shpërndarja e dhuratave

Më pëlqeu shumë momenti kur u dhamë dhuratat. Ata mezi prisnin ti hapnin. Madje disa çuna të vegjël shumë të lumtur më thonin hajde të bëjmë foto me aparatin lodër që morën si dhuratë. Disa vajza na mësuan të kërcejmë një valle“ tregon Samanta.

Çfarë përmbanin pakot?
Çorape festive, paste dhëmbësh, shampo, sapunë, lodra të ndryshme, çokollata. Fëmijët kishin organizuar lojra, këngë e valle. Në festë u organizua një koktejl I vogël ndërsa nuk mungoi as torta

Sytë
Në Shtëpinë e fëmijës në Shkodër jetojnë 27 fëmijë. Ata janë jetimë socialë, të braktisur për momentin nga familja ose që u janë marrë dhe hequr familjeve të cilët i keqtrajtonin, nuk janë jetimë biologjikë.

Drejtoresha e Shtëpisë së fëmijës në Shkodër, Vinfreda Gazulli tregon se çdo fundvit vizita të tilla plot dhurata janë të shumta.

„Për fëmijët që jetojnë në institucion ky është "llastim" i ëmbël që e mirepresin e madje janë të bindur se do u vijnë dhurata“ thotë drejtoresha Vinfreda Gazulli 

„Fatkeqësisht këta fëmijë nuk marrin vëmendjen e duhur nga familjet e tyre, ata nuk vijne as për vizitë në festat e fundvitit e as ti marrin ndonjë ditë për festa“ thotë ajo.

Për fëmijët e shkollës Yzberisht kjo ishte hera e parë që ata ndërmerrnin një aktivitet të tillë.

„Kur na thanë se do ikim tek jetimorja nuk mu duk ide e bukur. Unë jam shumë e ndjeshme, vendosa të shkoja por nuk do futesha brenda. Kur hyra brenda pashë sytë e tyre...‘ tregon një nxënëse.

Nora e vogël

„Nora ishte 6 vjeçe. S‘mu shqit gjatë gjithë kohës. Rrinte pas meje donte dashuri. I thashë unë kam një vajzë sa ti. Më kërkoi ti tregoja një foto. Ia tregova. Më tha se ishin 7 motra e vëllezër. Kur u largova mora me vete sytë e saj që kërkonin dashuri, donin përkëdheljen e një nëne.“ tregon e emocionuar mësuese Amarilda

Misioni u krye
Pas aktivtetit nxënësit e gjimnazit ‘Myslym Shima’ në Yzberisht hipën autobusit për tu rikthyer në Tiranë

„Ndihesha e lehtësuar por dhe si bosh. Nuk e di pse mu duk sikur s‘kisha bërë mjaftueshëm. Një vajzë e vogël më shtrëngoi fort. Aty ndjeva dëshirën për tu rikthyer e për të mos e lënë me kaq“ na tregon Natalia

“Ishte një ditë e mrekullueshme. Mu duk se përfunduam me sukses kur pamë fytyrat e tyre. U ndjemë më mirë me njëri tjetrin e u miqësuam më shumë, thotë Serena.

E mësuese Amarlida premton „Patjetër do të bëj projekte të tjera për të parë sërish ata fëmijët atje“

Për fëmijët e Shtëpisë së Fëmijës, 6-15 vjeç, festat e tilla të përvitshme janë një shpresë, rreze drite për të ardhmen, edhe pse për ta dëshira më e madhe mbetet të jenë pranë familjes.

Për gjimnazistët një akt i vogël që të kujton sa fuqi ka dashuria, bujaria e solidariteti në jetën e atij që dhuron dhe atij që merr dhuratën. E fundja kjo është atmosfera e Krishtlindjeve dhe Vitit të Ri.

S.G/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Spahiu: Thirrja e Erjonit dhe Belindit në të njëjtën ditë në SPAK, politikë penale dhe jo profesionale

Spahiu: Thirrja e Erjonit dhe Belindit në të njëjtën ditë në SPAK, politikë penale dhe jo profesionale