Dialog me lugë në brez

Dialog me lugë në brez

E ftoi për dialog Edi Rama, i tha “Jo”! E ftoi për tryezë bisedimesh presidenti Meta, edhe atij i tha “Jo”! Duket se Lulzim Bashën është vështirë ta joshësh këto kohë. Edhe pse ka lënë vullnetarisht mandatin, për t’u bërë “një si të tjerët”, ai vijon të insistojë se dalja në rrugë do ta sjellë më shpejt në pushtet, sesa po të qëndronte brenda sistemit. Një vizion i çuditshëm që shpërfill logjikën, llogaritjet politike dhe riskun e lartë për karrierën e tij dhe fatet e forcës politike që drejton.

Kriza aktuale është unike në dinamikën që ka krijuar, por edhe në vakumin që ka mbërthyer institucionin më të rëndësishëm të shtetit – parlamentin. Megjithatë, sado e veçantë në llojin e vet, edhe kjo situatë surreale do të zgjidhet, kur t’i vijë dita, me uljen e palëve në tryezë. Asnjë krizë politike e 28 vjetëve të fundit nuk është zgjidhur me resurset dhe vullnetin e klasës tonë politike. Na është dashur “paterica” Vranicki, “ndërmjetësi” Prodi, gjermani me mbiemër irlandez McAlister e të tjerë si ata, në mënyrë që të gjendej një modalitet për ta rivënë në lëvizje makinën e bllokuar shqiptare. Edhe kjo gjendje thuajse natyrore ku kanë zbritur instiktet politike në këto orë, do të normalizohet gradualisht kur palët ta kenë kuptuar se nuk ka dritë në fundin e tunelit dhe se interesat e tyre politike kanë nevojë për bashkëpunimin, si e vetmja metodë e mundshme për të dalë nga çarku i mandateve të djegura.

Dhe ja ku kthehemi në rreshtat hapëse të këtij artikulli. Dialog, negociatë apo çfarë dreqin do të jetë ajo që do të kthejë në sistemin e institucioneve opozitën dhe do të ulë qëndrimin maksimalist të Ramës për “konsumimin e plotë të mandatit qeverisës”. Deri tani kemi dy llogore të heshtura: njëra që pretendon largimin e kryeministrit dhe afrimin e zgjedhjeve të përgjithshme, tjetra që ndjehet e rehatshme me deklaratat e ashpra të ndërkombëtarëve ndaj Bashës e Kryemadhit.

Në sfond të këtij qëndrimi mur me mur qëndron siguria e secilës palë, se mund ta mundë kundërshtarin në lojën e durimit. Pikërisht si në lojën e famshme të shikimit sy në sy, ku humbet ai që ul sytë i pari.

Që dikush do të ulë sytë në një moment të caktuar, kjo as që diskutohet. Në vitin 2017, kur pas 100 ditësh zgjedhjet u afruan dhe Çadra u boshatis, ishte Lulzim Basha ai që hodhi hapin e gabuar. Të cilin e pagoi shtrenjtë, aq sa sot duket se refuzon apriorì çdo ftesë për dialog. Ka marrë tmerr nga ajo pasdite e 16 majit, kur Rama i dha gjysmën e qeverisë dhe i mori zgjedhjet.

E megjithatë do të duhet folur, me ose pa dëshirë. Sepse po nuk fole, përveç mandatit, të heqin dhe vizën si politikan. E këtu loja e fiksimit sy në sy rikthehet prapë në skenë. Çfarë do të negociohet? Cila do të jetë axhenda e bisedimeve?

Nëse sheh kryeministrin, mund të konstatosh se Edi Rama po i qaset krizës më të re politike në vend me taktikën e njohur të mënjanimit të goditjes, shmangies së përplasjes ballore dhe gjuhës së njohur diku qesëndisëse, diku sfiduese, e diku tjetër bashkëpunuese. Ka sigurinë e atij që është në pushtet dhe që për pasojë heq vallen.

Përballë tij Lulzim Basha është i gjithi një grumbull zemërate dhe emocionesh, të cilat formulohen në listën e shkurtër të kërkesave të tij: ikja e Ramës, formimi i një qeverie ekspertësh dhe vajtja në zgjedhje para vitit 2021. Kjo listë tregon se opozita, duke hedhur mandatet nga dritarja, faktikisht i ka hequr vetes qëllimisht mundësinë për të ofruar diçka më shumë se kërkesat e mësipërme, në tryezën me qeverinë.

Në këto kushte, me një palë që s’ka ç’të ofrojë, pasi “kjo tani u bë, ne s’kthehemi pas në Kuvend”, Edi Rama me shumë gjasë do të luajë edhe lojën e ngurtësimit në pozitat e veta dhe do të fitojë kohë. Një gjetje kompromisi në këto kushte do të jetë e vështirë dhe jo e shpejtë. Rama duket se po kërkon ta tërheqë krizën në terrenin e stinës së ngrohtë, atëhere kur depresioni i njohur dimëror i shqiptarëve merr fund dhe kur plazhi e pushimet rrezatojnë dëshirën për t’i ikur sherreve politike dhe gërr-mërrit të protestave.

Opozita sot s’mund të ofrojë asgjë, veç kërkesave të saj. Por afërmendsh, kur ulesh për të gjetur një kompromis, duhet të ofrosh, që të mund të marrësh më pas. Rama mund të ofrojë shumëçka në tryezën e dialogut që po propozon këto orë. Po Basha çfarë mundet të japë, përveç kërcënimeve, të cilat këto vite me thënë të drejtën janë bërë ca bajate dhe false?! Kjo është një pyetje bazë në dialogun që pritet të nisë dikur.

Zgjidhja e kësaj krize parashihet e gjatë dhe e vështirë, pasi e tillë është situata unike që ka krijuar dalja en bloc e opozitës nga Kuvendi. Kur lëshimet kërkohen vetëm nga njëra palë, ndërsa pala tjetër vjen me lugë ne brez dhe s’ka asgjë për të ofruar, por njëkohësisht kërkon gjithçka, kompromisi bëhet një gjë e vështirë.

G.M./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • ETHEM LALAJ: 06/03/2019 14:52

    Z.ANALIST : TE GJITHA I SHKRUAN MIRE ,POR NJE GJE QE E DI ME MIRE SE UNE..NUK E SHKRUAN QE TA DINE MIR SHQIPETARET & BOTA: 1-NUK E DREJTON LULI PD-NE,POR SALIU.KTE GABIM FATAL DUHET TA THOT FORT VET SHPURA PD-ISTE,ANALISTET TANE POR EUROPA E BOTA DEMOKRATIKE. 2-DHE PERDERI SA SALIU ESHTE BERE PISHMAN QE NUK E KA VRARE E.RAMEN NE 21 JANAR 2011,AI DON QE TA VRASI TANIME..KUR TI JEPET RASTI PARE..ATHERE SI MUND TE LEJOI AI TAKIMIN RAMA-BASHA..!? 3-SALIU NUK ESHTE MESUARE TE TERHIQET PAS ASNJEHERE,NDAJ LIKJA THA QE RAMA TE BEJE 2 HAPA PASE DHE LULI 1.PRA SALI+LIKE=1 BERISHIZEM.DHE RAMA PO HEDH VALLE NE GOJEN E UJKUT PLAKE.DHE EUROPA KETE E DI MIRE,POR NUK E THOT TROÇ SE SA TE JETE SB NE POLITIKE KY VEND DO SHKOI ZI E ME ZI. 4-RAMA NUK DUHET TE BEJE ME KOMPROMIS ME MORTJEN E VICIDOLIT PASI ESHTE VOTUARE PER TE QEVERISUR DERI NE 2021. 5-KEMBENGULJA PER TE LARGUARE RAMEN SI KM E KR.PARTIE TE PS ESHTE NJE STEKE E NGRITUR SHUME LARTE DHE RAMA KA RASTIN TE RREKET ME BERISHIZMIN 29 VJEÇAR DUKE JA U FUTUR KOKEN NE PRAPANICE GJITHE KUNDERSHTAREVE POLITIKE KETEJ E MATAN KUFIRIT.SALIZMI ATE QE MBOLLI NE VITE PO SHINE TANIME.ESHTE FAT I MADH QE POPULLI NUK DO E SHOHE MĒ SALINE E KO.. NE KUVEND.

    Përgjigju
    • Dada: 06/03/2019 21:17

      Nuk ju duket si opozite e perkedhelur z.gazetare. se trimat futen ne lufte .

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Ngjarja më e pabesueshme dhe e jashtëzakonshme, në një Krishtlindje

Ngjarja më e pabesueshme dhe e jashtëzakonshme, në një Krishtlindje