Dialogu Kosovë-Serbi, Lajçak takon Kurtin: Qartësi si do të zbatohet 'Ohri' drejt normalizimit të marrëdhënieve! Pas Prishtinës i dërguari i BE në Beograd

I dërguari i Bashkimit Europian, Mirosllav Lajçak është duke zhvilluar ditën e sotme një vizitë në Kosovë, ku u prit nga kryeministri Albin Kurti. Pas këtij takimi, në një deklaratë për mediat, Lajçak tha se zhvilloi diskutim të rëndësishëm me kryeministrin e Kosovës.

Në fokus të diskutimit ishte marrëveshja e arritur me Serbinë në Ohër, ku është folur konkretisht për hapat se si do të zbatohet ajo. Për mediat. Emisari europian tha se duhet më tepër qartësi për të mënyrën se si do të zbatohet marrëveshja.

“Erdha në Prishtinë sot për të diskurtar me kryeministrin Kurti dhe zv.kryeministrin Bislimi rrugën përpara në procesin e normalizimit pas takimit të 2 majit. Është e rëndësishme që e kuptojmë qartë sekuencën e hapave (që do të ndërmerren), kështu që patëm një diskutim të rëndësishëm në të gjitha aspektet. Unë do të kem të njëjtat diskutime nesër në Beograd. Ne kemi marrëveshjen, kemi aneksin, ndaj duhet të kemi një kuptim të qartë të hapit të parë, hapit të dytë dhe hapit të tretë", u shpreh ai, duke shtuar se diskutimi me kryeministrin e Kosovës ishte "shumë intensiv por shumë i rëndësishëm".

Ai bëri të ditur se do të shkojë në veri të Kosovës, pasi dëshiron të shohë nga afër situatën atje.

"Me të vërtetë shpresoj se do të ketë një zgjidhje politike që do të na lejojë të gjithëve të fokusohemi në normalizimin dhe zbatimin e marrëveshjes", u shpreh ai.

I pyetur për modelin kroat për Asociacionin, për të cilin Qeveria e Kosovës insiton, Lajçak u shpreh se ajo që është e pranueshme për Bashkimin Evropian është diçka që “bazohet në normat evropiane dhe vlerat evropiane, e cila është në përputhje me modelet ekzistuese evropiane”.

“E kemi thënë që në fillim. Nuk do të them më shumë për këtë. Unë mendoj se jam mjaft i qartë”, u shpreh ai.

Lajçak do të takojë edhe dy kryenegociatorët, Besnik Bislimin dhe Petar Petkoviçin të hënën e 15 majit. Emisari evropian, pas vizitës në Prishtinë, ditën e nesërme pritet të shkojë edhe në Beograd.

Më 2 maj, në Bruksel është mbajtur raundi i fundit i dialogut në nivel të lartë, mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç. Në këtë takim, palët kanë arritur pajtim për Deklaratën e të zhdukurve nga lufta e fundit në Kosovë, por është prezantuar edhe draft-statuti për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, që është hartuar nga një ekip menaxhues, i përbërë prej katër pjesëtarëve të komunitetit serb.

Ky draft-statut nuk është pranuar nga Qeveria e Kosovës dhe një ditë më vonë, anëtarët e Ekipit Menaxhues janë shkarkuar nga autoritetet kosovare. Serbia kërkon që Asociacioni të themelohet, ndërkaq Qeveria e kryeministrit Kurti është shprehur kundër një asociacioni njëetnik.

Drafti i Asociacionit

Një javë më parë ekipi menaxhues për hartimin e statutit për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe, prezantoi në Bruksel draftin e parë. Ky draft, ka 67 nene dhe është i ndarë në nëntë kapituj, si: dispozitat e përgjithshme, çështjet e komunitetit, struktura organizative, anëtarësimi në Asociacion dhe marrëdhëniet ndërmjet komunave anëtare, asetet dhe të ardhurat, format e vendimmarrjes së drejtpërdrejtë, ndryshimet në statutin e Asociacionit, shpërbërja e Asociacionit dhe dispozitat tranzicionale dhe përfundimtare. Sipas draft-statutit që e publikuan të martën mediet në Prishtinë, Asociacioni do të jetë një "formë e veçantë organizimi, e themeluar me qëllim të mbrojtjes së të drejtave të njeriut dhe të pakicave” të të gjithë banorëve dhe komuniteteve që jetojnë në komunat që janë pjesë e Asociacionit. Qendra administrative e tij, bazuar në draft-statutin e prezantuar, është Mitrovica e Veriut. Do të ketë Kuvendin e Asociacionit, i zgjedhur nga komunat anëtare, dhe Kuvendi është organi suprem i Asociacionit.

Ky draft statut që e publikuan mediet në Prishtinë, u kundërshtua ashpër edhe nga Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës në opozitë, Lumir Abdixhiku. Sipas tij, "dokumenti i projekt statutit, i hartuar nga Ekipi menaxhues, është më tepër se Asociacion dhe është më tepër se Autonomi, është shtet brenda shtetit. Ai shkroi në rrjetet sociale se "një trup që nxjerrë ligje, menaxhon asete kombëtare, pasuri publike e burime natyrore, një trup që organizon zgjedhje, mban referendume e merr kompetenca nga Kuvendi dhe Qeveria e Kosovës, nuk ka vend në rregullimin tonë shtetëror e kushtetues”.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 15:19
Kurti pas takimit me Lajçak: Bashkimi Europian të bëjë përgjegjëse Serbinë për shkeljen e marrëveshjeve

1681829886_Screenshot8.jpg

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka deklaruar se Bashkimi Europian duhet të bëjë Serbinë përgjegjëse për shkeljet e marrëveshjeve të dakordësuara deri më tani.

“Mirëprita Përfaqësuesin Special të BE-së, Miroslav Lajçak, në zyrat tona qeveritare sot. Theksova nevojën që Marrëveshja Themelore të zbatohet në tërësi dhe nevojën që BE-ja ta mbajë Serbinë përgjegjëse për shkeljet e vazhdueshme të asaj Marrëveshjeje”, ka thënë Kurti pas takimit me Lajçak.

Ora 10:05
Lajçak pas takimit me Kurtin: Kemi marrëveshje dhe kemi aneksin e zbatimit, të qartësohen hapat e ardhshëm

1683750209_miroslavlajcak.JPG

Përfaqësuesi i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun, Miroslav Lajçak, është deklaruar për media pas takimit me kryeministrin Albin Kurti Para gazetarëve, ai tha se me Kurtin kanë diskutuar për hapat e mëtejshëm të dialogut.

Përderisa sqaroi se do të shkojë në veri që të bisedojë me qytetarët atje, ai paralajmëroi një takim ndërmjet zëvendëskryeministrit të Kosovës Besnik Bislimit dhe drejtorit të të ashtuquajturës Zyrë për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviç, të hënën.

Lajçak tha se ka ardhur në Prishtinë për të shikuar rrugën përpara pas takimit që ndodhi më 2 maj. Ai ka bërë të ditur se të hënë do të ketë një takim ndërmjet kryenegociatorëve, pra ndërmjet Besnik Bislimit e Petar Petkoviq, raporton Nacionale.

“Kam ardhur në Prishtinë të diskutoj me kryeministrin Kurti e zv/kryeminsitrin Bislimi, rrugën përpara në procesin e normalizimit pas takimit më 2 maj. Kanë qenë diskutime të rëndësishme në të gjitha aspektet, të njëjtat diskutime do ti kem edhe nesër në Beograd. Do t’i takoj Bislimin e Petkoviçin të hënën në Bruksel, kjo është e rëndësishme. Kemi marrëveshjen kemi ankesin dhe duhet të kemi mirëkuptim të qartë për hapin 1, hapin 2, hapin 3. Do të shkojë në Mitrovicën e Veriut, dua të kem informacionet e dorës së parë atje, dhe besoj që do të kemi zgjidhje politike që do të na mundësojë të dakordohemi për zbatimin e marrëveshjeve”, tha më tutje ai.

Lajçak tha se interesi i të gjitha palëve është që të mos ketë eskalim, por normalizim të raporteve.

“Ne mund të kemi vetëm normalizim ose konfrontim. Ne duam të fokusohemi në normalizim, dhe duam të shangim ndonjë eskalim apo konfrontim. Kjo nuk është interes i askujt”, tha më tutje Lajçak.

Emisari i BE-së për dialogun bëri të ditur se në takim kanë prezantuar qëndrimin e BE-së lidhur me draftin e Asociacionit. Ai tha se ka një pajtim me Kurtin lidhur me këtë proces.

Më 2 maj, në Bruksel është mbajtur rundi i fundit i dialogut në nivel të lartë, mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq. Draft-statutin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe të prezantuar nga Ekipi Menaxhues, emisari Lajçak e quajti “pikënisje të rëndësishme për diskutimet në vijim në nivelin e kryenegociatorëve,”

SI.E./r.k./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

MPJD i kundërpërgjigjet Beogradit, ia refuzon kërkesën për vizitë një ministri serb

MPJD i kundërpërgjigjet Beogradit, ia refuzon kërkesën për vizitë një ministri serb