12 orë negociata historike në Ohër, Kosova dhe Serbia arrijnë një marrëveshje për planin evropian por palët nuk nënshkruajnë! Borrell: Caktohet rruga drejt pajtimit

OHËR- "Tym i Bardhë" në Ohër pas 12 orë ethe negociatash historike mes Kosovës dhe Serbisë me negocimin e shefit të diplomacisë së BE, Borrell dhe Lajçak për propozimin evropian për dy palët. Borrell doli në një deklaratë për media ku u shpreh se sot bisedimet u ndalën në hapa praktikë dhe më në fund mes dy vendeve pati bisedime konkrete dhe dy palët u pajtuan për aneksin e propozimit evropian. Megjithatë palët nuk e kanë nënshkruar zyrtarisht marrëveshjen. 

Shefi i politikës së Jashtme të Bashkimit Evropian Josep Borrell tha se Kosova dhe Serbia janë pajtuar për aneksin e zbatimit të marrëveshjes për normalizim e marrëdhënieve ndërmjet tyre, por nuk pati ndonjë nënshkrim nga palët. Pas rreth 12 orë bisedimesh që i cilësoi të vështira, zoti Borrell tha se palët janë pajtuar të respektojnë të gjitha pikat e planit evropian për të cilin janë pajtuar që më 27 shkurt në Bruksel.

Kosova është pajtuar të nisë menjëherë, dhe kur them menjëherë, e kam fjalën menjëherë, negociatat e lehtësuara nga Bashkimi Evropian për një marrëveshjeje specifike dhe garanci për të siguruar një shkallë të duhur të vetë-menaxhimit për komunitetin serb në Kosovë. Palët ranë dakord gjithashtu të miratojnë si çështje urgjente deklaratën për personat e zhdukur siç është negociuar në kuadër të dialogut të lehtësuar nga BE-ja”, tha zoti Borrell.

I dërguari amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, tha se Kosova dhe Serbia arritën një marrëveshje “të vështirë, por të nevojshme”.

 “Kjo, jo vetëm që hap derën për integrime më të mëdha euroatlantike për të dyja shtetet, por hap derën edhe për rajonin për të hyrë në një epokë të re të paqes”, tha zoti Escobar.

Ashtu siç edhe e kishte lajmëruar një ditë më parë, Presidenti i Serbisë Aleksandër Vuçiç nuk ka firmosur asgjë për dialogun Kosovë-Serbi, por u shpreh se u arrit një kompromis në parim. Në një prononcim për gazetarët pas më shumë se 12 orësh raund bisedimesh në Ohër, Presidenti Serb u shpreh se është i kënaqur me marrëveshjen por megjithatë, ende nuk ka firmosur asgjë. Ka qenë një takim i ethshëm, i dyti pas atij të Brukselit, por kësaj radhe ndryshimi është parë vetëm nga ana e Beogradit.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, nën ndërmjetësimin e BE-së, diskutuan në Ohër të Maqedonisë së Veriut për planin e zbatimit të propozimit evropian.  Para takimit Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti është takuar në Ohër me Ali Ahmetin, kryetar i partisë shqiptare në Maqedoni të Veriut, Bashkimi Demokratik për Integrim. Vuçiç nuk është treguar optimist ndërsa dhjetëra protestues mbushën sheshin dhe i kërkonin që të mos pranonte marrëveshjen ose të jepte dorëheqjen. Në fjalimin e tij, Vuçiç paralajmëroi se Lufta e Tretë Botërore nuk është larg duke dhënë mesazhin se ‘do ruajnë Serbinë e plotë’ duke shtuar se nuk planifikon të nënshkruajë asgjë.

 

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 11:15
Ambasadori i SHBA-ve në Prishtinë: U arrit një marrëveshje e rëndësishme

1679221089_167378040864001673778621xjeffreyhovenier207.png

Një marrëveshje të rëndësishme e ka quajtur ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier, pajtueshmërinë mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentit serb, Aleksandar Vuçiç për zbatimin e Marrëveshjes drejt normalizimit të marrëdhënieve mes dy vendeve.

 “Shtetet e Bashkuara do të ofrojnë mbështetje të plotë për zbatimin e këtyre obligimeve, në përputhje me përpjekjet tona afatgjata për të avancuar sigurinë dhe stabilitetin për popullin e Kosovës dhe rajonit”, ka thënë ambasadori Hovenier përmes një postimi në Twitter.

Ora 23:30
Borrell jep lajme të mira nga Ohri: Kosova dhe Serbia arritën marrëveshje dypalëshe dhe u pajtuan për dialog

 

Shefi i diplomacisë së BE ka dhënë lajme të mira pas 12 orësh negociata në Ohër me Presidentin Vuçiç dhe Kryeministrin e Kosovës, Kurti.

‘Sot bisedimet  u përqendruan sesi do implementohej kjo marrëveshje. Pra ishin hapa praktikë. Më në fund, pas 12 orësh ne kemi një marrëveshje sesi ta bëjmë këtë më praktike. Kosova dhe Serbia arritën pajtimin e normalizimit e marrëdhënieve dypalëshe. Pra aneksin e planit evropian, u pajtuan me të gjitha propozimet. Dhe këto vijnë pas një pune shumë të gjatë dhe një negocimi shumë të madh.

Në këtë mënyre, dy palët do të jenë palë e marrëveshjes për të qenë pjesë e BE. Ne do të sigurojmë palët që t’i nënshkruajnë marrëveshjet pasi ato do të jenë palë e familjes së madhe evropiane. Dhe nëse nuk i nënshkruajnë, do të ketë pasoja. Sepse dialogu s’po behët për Kosovën dhe Serbinë, është për balancë dhe prosperitetit e të gjithë kontekstit gjeopolitik.

Serbia dhe Kosova e kanë të dobishme të arrijnë një dialog. Është e rëndësishme që të ecim përpara për ta bërë këtë gjë realitet, ne do të vazhdojmë derisa të arrijmë një marrëveshje. Do të punojmë për të arrijmë normalizimin e marrëdhënieve të tyre.”- tha Borrell.

Ora 23:05
Vuçiq njofton për ‘një lloj marrëveshjeje’ në Ohër: Jam i kënaqur por nuk kam firmosur sërish

 

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, tha se në takimin me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, është arritur “një lloj marrëveshjeje”.

“Ka një lloj marrëveshjeje. Jam i kënaqur, ka disa pika për të cilat do duhet të diskutojmë. Prioritet mbetet formimi i Asociacionit, pala shqiptare insistoi për nënshkrimin e marrëveshjes. Unë nuk kam nënshkruar asgjë. Do të diskutoj në Serbi për atë që kam rëndë dakord. Nesër do të raportoj për atë se çfarë ka ndidhur. Do të kemi edhe deklaratat edhe të Borrell e Kurtit. Duhet të qëndrojmë në rrugën evropiane”, theksoi ai.

Ora 23:03
Marrëveshja e Ohrit/ BE dhe SHBA, përfitime dhe ndëshkime për Serbinë dhe Kosovën

1679177075_ffffrs.JPG

Në lidhje me atë se çfarë iu është ofruar palëve, Top Channel, ka siguruar një dokument, për të cilin thuhet se iu është vu palëve në tavolinë nga ShBA-ja e BE-ja.

Në deklaratë përcaktohen parimet themelore të marrëveshjes, që është një kuadër për të lehtësuar marrëdhëniet paqësore dhe bashkëjetesën, pavarësisht dallimeve thelbësore midis palëve. Një kornizë e qëndrueshme dhe e besueshme e integrimit në Bashkimit Europian për Serbinë dhe Kosovën, krahas gjatë vendeve të Ballkanit Perëndimor.

Dhe është një proces i mbështetur nga të 27 shtetet anëtare të BE-së, përfshirë edhe ata që nuk e njohin pavarësinë e Kosovës. Ne deklaratë thuhet se janë dy kryediplomatë të aftë nga vendet anëtare jo-njohëse të BE-së, Spanja dhe Sllovakia, të cilët menaxhojnë procesin e normalizimit për të garantuar drejtësi.

Teksti përfundimtar i Marrëveshjes është produkt i një analize gjithëpërfshirëse dhe të plotë të të gjitha përvojave të tanishme dhe të kaluara. Është një produkt unik politik, një kompromis i vërtetë i brendshëm i Bashkimit Europian, i pranueshëm për të njohur dhe mosnjohur shtetet anëtare. Elementet kryesore të Marrëveshjes Themelore të sponsorizuar nga BE janë Respektimi i vijave të kuqe të palëve. Për të përshtatur vijën e kuqe të Serbisë për mosnjohjen e pavarësisë së Kosovës, Kosova bën një hap prapa në këmbënguljen e saj për një normalizim të përqendruar vetëm në njohjen reciproke. Në vend që të luftojë me Serbinë, Kosova zotohet të punojë me Serbinë për zgjidhjen e nevojave praktike të të gjithë njerëzve dhe komuniteteve.

Serbia bën një hap prapa për të pranuar vijën e kuqe të Kosovës për të mos negociuar pavarësinë e saj dhe zotohet për marrëdhënie të plota praktike me Kosovën. Në vend që të luftojë për Kosovën, Serbia zotohet të punojë me komunitetin ndërkombëtar për të përfituar të gjithë njerëzit dhe komunitetet që jetojnë në Kosovë. Serbia dhe Kosova zotohen për zgjidhjen paqësore të të gjitha mosmarrëveshjeve. Serbia angazhohet të përmbahet nga çdo veprim që perceptohet si armiqësi diplomatike ndaj Kosovës. Kosova angazhohet për një nivel të duhur të vetë-menaxhimit për komunitetin serb të Kosovës në përputhje me vlerat e BE-së dhe praktikat më të mira ekzistuese, kjo në vija të përgjithshme do të thotë themelimi i asocacionit.

Sipas hartuesve, Marrëveshja Themelore nuk do të rregullojë vetëm marrëdhëniet mes Serbisë dhe Kosovës. Krahas kritereve të Kopenhagës, Marrëveshja Themelore do të menaxhojë edhe procesin e integrimit të Serbisë dhe Kosovës në Bashkimin Europian. Për të shmangur gabimet e saj në të kaluarën, Bashkimi Europian dhe pjesa tjetër e komunitetit perëndimor do të mbështesin në mënyrë aktive të dyja palët financiarisht, ekonomikisht dhe politikisht në çdo hap të rrugës. Përmes Procesit të Berlinit dhe Komunitetit Politik Evropian, BE-ja dhe pjesa tjetër e komunitetit perëndimor do të ofrojnë një kornizë të besueshme të integrimit në BE për Serbinë, Kosovën dhe pjesën tjetër të Ballkanit Perëndimor.

Marrëveshja Themelore ofron një proces normalizimi me stimuj të qartë dhe të besueshëm ekonomikë, financiarë dhe politikë. Pranimi i Serbisë do të thotë fillim i partneritetit te fortë strategjik të Serbisë me komunitetin perëndimor. Ky partneritet do ta transformojë Serbinë në një forcë shtytëse ekonomike dhe politike rajonale. Gjithashtu do ta afrojë Serbinë me komunitetin serb të Kosovës. Pranimi i Kosovës do të shënojë fillimin e shkëputjes së Kosovës nga menaxhimi i krizës, një mundësi e mirëfilltë për t’u fokusuar në zhvillimin substancial socio-ekonomik. Kosova më në fund mund të rritet vetë.

SHBA dhe Bashkimi Europian shikojnë edhe çfarë është në rrezik, në një kohë kur Rusia teston vendosmërinë perëndimore në Ukrainë, në një kohë kur Kina arrin të ndërmjetësojë një marrëveshje historike midis Arabisë Saudite dhe Iranit, duke u imponuar fuqishëm si një lojtar botëror i aftë për të ofruar, komuniteti perëndimor nuk e ka luksin të dështojë në Ballkanin Perëndimor.

Kompromisi është një vlerë kryesore e kulturës politike dhe vendimmarrjes së BE-së. Marrëveshja Themelore është një kompromis i vërtetë i brendshëm i BE-së, i pranueshëm për vendet e BE që e njohin apo nuk e njohin Kosovën. Edhe Serbia, dhe Kosova duhet ta përqafojnë atë. Uniteti i BE-së kufizon opsionet e Serbisë dhe Kosovës: Palët duhet të pranojnë marrëveshjen dhe të harmonizojnë qëndrimet e tyre me 27 vendet e Bashkimit Europian. Refuzimi i marrëveshjes ka pasoja, pezullon rrugën e integrimit në BE dhe hidhet tutje i gjithë procesi dhe përfitimet e lidhura.

Së shpejti do të pasojë izolimi dhe trazirat e brendshme. Serbia dhe Kosova mund të vazhdojnë të gëzojnë përfitimet e marrëveshjeve ekzistuese me BE-në dhe pjesën tjetër të komunitetit perëndimor vetëm nëse angazhohen plotësisht që të bëhen lojtarë konstruktivë në përpjekjet e BE-së për ndërtimin e paqes dhe stabilizimin. Nuk ka rrugëdalje.

Dështimi i Serbisë për të harmonizuar pozicionin e saj me BE do të krijojë një mundësi që Kosova të rritet pa pasur nevojë të punojë me Beogradin. Serbia nuk ka veto ne BE dhe NATO. Nëse e refuzon marrëveshjen, Serbia do të humbasë edhe pesë vendet qe nuk e njohin Kosovën. Pavarësisht nga rezultati, Bashkimi Europian dhe NATO përfundimisht do të flasin me një zë të vetëm për Kosovën.

Kosova duhet të përmbushë plotësisht pritjet e komunitetit perëndimor, veçanërisht duke respektuar marrëveshjet e kaluara. Refuzimi i Kosovës për ta bërë këtë mund të ketë pasoja të rënda për të ardhmen e Kosovës. Të zhgënjyer, partnerëve perëndimorë do t’u mungojë nxitja për të mbështetur rritjen e mëtejshme të Kosovës. Pa këtë mbështetje thelbësore, Kosova mund të shohë një përmbysje të progresit në disa fusha.

Ora 22:44
Në bisedimet në Ohër për dialogun Kosovë-Serbi  i pranishëm edhe Gabriel Escobar

1679175905_tttttt.JPG

I dërguari i Shteteve të Bashkuara, Gabriel Escobar, ka qenë i pranishëm në takimet në Ohër në cilësinë e vëzhguesit.

Pas përfundimit të bisedimeve, ai është parë në hotelin ku është vendosur qendra mediale.

Ora 22:02
Përfundojnë diskutimet Vuçiç-Kurti në Ohër

1679155352_finalprojekt.00025702.Still019.jpg

Raundi i bisedimeve mes liderëve të Kosovës dhe Serbisë, ka përfunduar, bëri të ditur zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, nën ndërmjetësimin e BE-së, diskutuan në Ohër të Maqedonisë së Veriut për planin e zbatimit të propozimit evropian.

Pas përfundimit të këtij raundi bisedimesh, pritet që të ketë një deklaratë për media nga shefi i diplomacisë së BE-së, Josep Borrell.

Ora 20:50
‘Ethet e negociatave’, sërish pauzë pas 10 orësh në tryezën e bisedimeve të Kurtit dhe Vuçiçit në Ohër

1679169052_fff.JPG

Siç mëson Radio Evropa e Lirë, në Ohër të Maqedonisë së Veriut, liderët e Kosovës dhe Serbisë, kanë ndërprerë përkohësisht bisedimet, për t’u rikthyer sërish pas një pauze.

Takimet në Ohër, mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, nisën në orën 10:30.

Fillimisht, Kurti dhe Vuçiq, zhvilluan takime veç e veç me ndërmjetësuesit evropianë dhe më pas nisi takimi trepalësh, ku palët diskutuan për zbatimin e propozimit evropian për normalizimin e raporteve.

Më herët gjatë ditës, takimi trepalësh u ndërpre për mbi një orë, po ashtu për shkak të një pauze..

Ora 16:38
Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë: Me një rezultat ideal në dialog, të gjitha shtetet do e njohin pavarësinë e vendit

1679153944_fj.JPG

Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde, i ka thënë Radios Evropa e Lirë më 15 mars se, nëse bisedimet mes Kosovës dhe Serbisë, që mbahen sot në Ohër, prodhojnë rezultat ideal, atëherë ai pret që pesë shtetet mosnjohëse të BE-së ta njohin pavarësinë e Kosovës.

Në intervistë, Rohde ka folur edhe për propozimin evropian për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi dhe ka thënë se njohja reciproke është kyçe në rrugën e këtyre vendeve drejt BE-së.

Ora 15:37
Nis takimi i përbashkët, Kurti dhe Vuçiç përballë njëri-tjetrit

 

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiqç, nisën takimin e përbashkët, me ndërmjetësimin e zyrtarëve evropianë, në Ohër të Maqedonisë së Veriut.

Paraprakisht, ata takuan ndaras shefin e politikës së jashtme të BE-së, Josep Borrell, dhe të dërguarin e BE-së për bisedimet Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak.

Në agjendë janë diskutimet për zbatimin e propozimit të BE-së për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi.

Ora 13:49
Përfundojnë takimet dypalëshe në Ohër të Maqedonisë së Veriut, pritet nisja e takimit Kurti-Vuçiç

Kanë përfunduar takimet dyplëshetë zyrtarëve të BE-së, me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti dhe presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiç në Ohër të Maqedonisë e Veriut.

Tashmë pritet që të vijohet sipas agjendës me diskutimet për aneksin e zbatimit të propozimit të Bashkimit Europian për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi.

Ora 13:04
Pendarovski: Një rezultat pozitiv nga takimi Kurti-Vuçiq do të ishte i mirë për rajonin

1679137097_tak.JPG

Presidenti i Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski tha në Ohër se rezultati pozitiv i takimit të sotëm mes liderëve të Kosovës dhe Serbisë, Albin Kurti dhe Aleksandar Vuçiq, do të ishte i mirë për të gjithë rajonin.

“Nëse ka lajme pozitive në fund të takimit Kurti-Vuçiq është mirë për të gjithë rajonin”, u tha Pendarovski gazetarëve që po ndjekin raundin e ri të dialogut ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës në qendrën për media.

Presidenti maqedonas tha se nuk mund të japë parashikime. Ai shprehet se i ka përshëndetur edhe Vuçiqin edhe Kurtin dhe i ka uruar “punë të mbarë dhe të suksesshme”.

Pendarovski është përgjigjur negativisht në pyetjen se a është kjo “Dita e D” për negociatat ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës nën patronazhin e BE-së.

Ora 12:51
FOTOLAJM/ Nga dhoma e gazetarëve në Ohër, të gjithë të pritje të lajmeve nga Kurti dhe Vuçiç

Zhvillimet sot në Ohër po ndiqen me shumë interes nga dhjetëra gazetarë nga e gjithë bota. Kjo foto tregon dhomën e gazetarëve që ndodhen sot në pritje të të rejave nga takimi Kurti-Vuçiç.

Ora 12:27
Kurti takon ndërmjetësuesit europianë, pas pak pritet takimi me Vuçiç

1679139006_kk.JPG

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka nisur takimin me ndërmjetësuesit evropianë të dialogut Kosovë-Serbi.

Në përfundim të takimeve dypalëshe, pritet takimi me Vuçiçin.

Ora 11:54
Presidenti maqedonas publikon pamjet nga pritja e Kurtit dhe Vuçiçit në vilën 'Biljana' të Ohrit

Presidenti i Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski ka publikuar fotot nga pritja e organizuar për përfaqësuesit e BE-së, Josep Borrell dhe Miroslav Lajçak si dhe liderët e Kosovës dhe Serbisë, ALBIN Kurti dhe Aleksandër Vuçiç.

"Mirësevini në Vila Biljana përfaqësuesin e Lartë të BE-së Josep Borrell, presidentin serb Aleksandër Vuçiç dhe kryeministrin e Kosovës Albin Kurti, për një sesion pune të negociatave në kuadër të dialogut të nivelit të lartë Beograd-Prishtinë nën kujdesin e BE-së”- shkruan Pendarovski.

 

Ora 11:36
Nisin takimet dypalëshe në Ohër, Vuçiç bisedon me Josep Borrell dhe Mirosllav Lajçak

1678025865_Screenshot1.jpg

Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç ka nisur takimin me ndërmjetësuesit evropianë të bisedimeve për normalizimin e marrëdhënieve midis Prishtinës dhe Beogradit.

Pas tij, shefin e politikës së jashtme të BE-së, Josep Borrell, dhe të dërguarin e BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, do t’i takojë kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

Ora 11:17
Borrell publikon foto: Sytë e BE-së dhe Ballkanit Perëndimor janë tek Ohri! Do diskutojmë aneksin e zbatimit të marrëveshjes

Përfaqësuesi i lartë i BE-së, Josep Borrell ka publikuar fotografi nga Ohri duke thënë se sytë e BE-së dhe Ballkanit Perëndimor janë atje pasi do të diskutohet për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi.

“Sytë e BE-së dhe Ballkanit Perëndimor janë sot te Ohri. Pas diplomacisë intensive të anijes ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, do të diskutojmë me Aleksandër Vuçiç dhe Albin Kurtin aneksin e zbatimit - një pjesë integrale e Marrëveshjes për rrugën drejt normalizimit të marrëdhënieve”, shkroi Borrell.

Ora 11:08
Ali Ahmeti në Ohër: Sot vendoset ardhmëria e shqiptarëve dhe rajonit

1679134158_800061cab0c6d2cc1.jpg

Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti, ka thënë se në rast se Kosova dhe Serbia arrijnë marrëveshje sot në Ohër do të jetë historike. Ahmeti, në një intervistë për Klan Kosova, tha se sot do të vendoset për ardhmërinë e shqiptarëve dhe rajonit, njofton Klankosova.tv.

“Unë këtu kam ardhur me shumë miq dhe bashkëmendimtar për të inkurajuar palët që sot të arrihet një marrëveshje historike. Të presim mbase kjo do të ndodhë”.

“Unë nuk kam ardhur në cilësinë e këshillëdhënësit, por në cilësinë e një shqiptari që beson se do të bëhet mirë për shqiptarët dhe gjithë rajonin, për paqen dhe stabilitetin. Këtu vendoset ardhmëria e shqiptarëve dhe rajonit” tha Ahmeti./ KlanKosova

Ora 10:54
Kurti: Do të kemi bisedime për planin e zbatimit, s’mund të ketë marrëveshje pa tekst përfundimtar

 

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti është shprehur se nuk mund të ketë marrëveshje në rast se nuk është teksti i përfunduar nga BE. Ndaj thotë se ditën e sotme do të zhvillohen vetëm bisedime për planin e zbatimit të propozimit evropian për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë.

“Do të kemi bisedime për planin e zbatimit, sepse nuk ka tekst të përfunduar. Përderisa nuk ka tekst të përfunduar, nuk mund të ketë përfundim të bisedimeve, e përderisa nuk ka përfundim të bisedimeve, nuk mund të ketë marrëveshje.

Përveçse jam optimist, kam ardhur me qëllim të mirë, me vullnet të mirë dhe në mirëbesim që dakordimin e arritur më herët, që fatkeqësisht nuk u nënshkrua në Bruksel më 27 shkurt, ta vazhdojmë përmes bisedimeve për planin e zbatimit dhe në këtë mënyrë ta rrumbullakojmë marrëveshjen për normalizim të raporteve”, tha Kurti.

Ai u zotua se do të bëjë "më të mirën për Kosovën dhe të gjithë qytetarët, pa dallim".

 

Ora 10:46
Stoltenberg: Pres përparim nga bisedimet e ndërmjetësuara në Ohër, është çelësi për të ardhmen europiane të rajonit

1677169592_stole.JPG

Shefi i NATO-s, Jens Stoltenberg thotë se raundi i radhës i bisedimeve në Ohër është shumë i rëndësishëm dhe pret që Kurti me Vuçiçin të angazhohen për të bërë përparim.

“Bisedimet e ndërmjetësuara nga BE në Ohër janë të rëndësishme dhe unë pres nga Aleksandër Vuçiç dhe Albin Kurti që të angazhohen në mënyrë konstruktive dhe për të bërë përparim. Ky është çelësi për stabilitetin e qëndrueshëm dhe të ardhmen evropiane dhe euroatlantike të rajonit. NATO vazhdon të punojë për një Kosovë stabile dhe paqësore”, shkroi Stoltenberg në Twitter.

Ora 10:22
Pse u zgjodh Ohri për takimin Kurti-Vuçiç? A do të bëhet qyteti ballkanik simbol i pajtimit të shqiptarëve me sllavëve?

Shumë kush e pa me habi përzgjedhjen e Ohrit për takimin e radhës mes Albin Kurtit dhe Aleksandër Vuçiç.  Takime të tilla deri tani kanë ndodhur në Bruksel, Berlin, Paris dhe Ëashington.

Përzgjedhja e këtij qyteti vjen nga një simbolikë e fortë për rajonin shpesh të trazuar e të përfshirë nga luftëra të ashpra ndëretnike. Në Ohër u arrit një nga marrëveshjet historike që i dha fund konfliktit të armatosur në Maqedoninë e Veriut dhe i mundësoi këtij vendi bashkëjetesën dhe progresin në rrugën drejt integrimit euroatlantik. Ohri  po konsiderohet dhe sot vendim ku mund të hapet një kapitull i ri për Ballkanin. 

Po çfarë ndodhi në Ohër 23 vjet me parë? Më 13 gusht 2001 pas konfliktit ndëretnik në Republikën e Maqedonisë, u nënshkrua Marrëveshja e Ohrit. Nënshkrues të kësaj marrëveshjeje ishin Presidenti Boris Trajkovski; Kryeministri dhe lider i VMRO-DPMNE-së, Lubço Georgievski; Lideri i LSDM-së Branko Çervenkovski; Lideri i PDSH-së, Arben Xhaferi dhe lideri i PPD-së, Imer Imeri. Në cilësinë e garantuesve, dokumentin e nënshkruan edhe përfaqësuesi posaçëm i Bes-ë dhe përfaqësuesi posaçëm i SHBA-së

Marrëveshja i dha fund konfliktit ndërsa hodhi bazat për rritjen e të drejtave të shqiptarëve në vend. Në marrëveshje, përveç zyrtarizimit të gjuhës shqipe, janë përfshirë edhe zhvillimi i pushtetit vendor, mos diskriminimi, përfaqësimi i drejtë, zbatimi i procedurave të veçanta të Kuvendit për çështje si gjuha, kultura, arsimi dhe simbolet.

Gjithashtu u vendos që një gjuhë e çcla flitet nga më shumë se 20 për qind e popullsisë në cilindo qytet të vendit, përveç maqedonishtes, të jetë gjuhë zyrtare.

Me “Ligjin për përdorimin e gjuhëve” të miratuar nga Kuvendi i Maqedonisë së Veriut më 11 janar 2018, i cili parasheh që gjuha shqipe të jetë gjuhë zyrtare krahas maqedonishtes, u bë gjuha e dytë zyrtare në vend më 15 janar 2019.

Në kontekstin e zbatimit të marrëveshjes, vlen të përmendet se në vitin 2004 u formua edhe Sekretariati për Zbatimin e Marrëveshjes Kornizë të Ohrit, që funksionon në kuadër të Qeverisë së Maqedonisë së Veriut. Sekretariati më pas u shndërrua në Ministri për Sistem Politik dhe Marrëdhënie Ndërmjet Bashkësive.

Një marrëveshje në Ohër solli pajtimin e shqiptarëve dhe maqedonasve në Maqedoninë e Veriut. A do të firmoset një marrëveshje tjetër kyçe sot, që do ta shndërronte këtë qytet në simbolin e pajtimit të shqiptarëve me sllavët.

Ora 10:15
Do ketë zhvillim pozitiv nga takimi i sotëm? Kurti përgjigjet shkurt: Patjetër

1679130989_kk.JPG

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka arritur te vila shtetërore “Bilana” në Ohër të Maqedonisë së Veriut, ku sot do të takohet me Presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiç.

Ai është pyetur nga gazetarët nëse pritet ndonjë zhvillim pozitiv dhe sërish është treguar optimist duke u përgjigjur “patjetër”.

Ora 10:09
Komuniteti ndërkombëtar kërkon firmosjen sot, çfarë thotë teksti i propozimit evropian për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi

1679130683_autokosoveserbi780x4391512500083.jpg

Bashkimi Evropian më 27 shkurt publikoi të plotë tekstin e propozimit evropian për normalizimin e raporteve mes Kosovës dhe Serbisë, marrë që komuniteti ndërkombëtar kërkon firmosjen sot. Teksti u publikua pas rundit të dialogut, ku palët u pajtuan për këtë propozim. Ky është teksti i plotë i propozimit: Palët kontraktuese, Të vetëdijshme për përgjegjësinë e tyre për ruajtjen e paqes; Të përkushtuara për të kontribuar në bashkëpunimin dhe sigurinë e frytshme rajonale dhe për të kapërcyer trashëgimin e së kaluarës; Të përkushtuara të kontribuojnë në sigurinë dhe bashkëpunimin e frytshëm rajonal në Evropë; Të vetëdijshëm për paprekshmërinë e kufijve dhe respektimit të integritetit dhe sovranitetit territorial, si dhe mbrojtja e pakicave kombëtare, janë kushtet themelore për paqen;

Duke vepruar nga fakti historik dhe pa paragjykuar pozicionet e ndryshme të palëve në lidhje me çështjet themelore, përfshirë çështjet e statusit;

Me dëshirën për të krijuar kushte për bashkëpunim midis palëve për të mirën e njerëzve, kanë rënë dakord që:

Neni 1

Palët do të zhvillojnë marrëdhënie normale të fqinjësisë së mirë me njëra-tjetrën, mbi bazën e të drejtave të barabarta. Të dyja palët do t’i njohin dokumentet relevante dhe simbolet kombëtare të njëra-tjetrës, përfshirë pasaportat, diplomat, targat e automjeteve dhe vulat doganore.

Neni 2

Të dyja palët do të udhëzohen nga qëllimi dhe parimet e përcaktuara në Kartën e Kombeve të Bashkuara, veçanërisht ato që kanë të bëjnë me të drejtat sovrane të shteteve, respektimin e pavarësisë, autonomisë dhe integritetit territorial të tyre, të drejtën për vetëvendosje, mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe mosdiskriminimin.

Neni 3

Në përputhje me Kartën e Kombeve të Bashkuara, palët do ta zgjidhin çdo mosmarrëveshje ndërmjet tyre vetëm në mënyrë paqësore dhe do të përmbahen nga kërcënimi apo përdorimi i forcës.

Neni 4

Palët nisen nga supozimi se asnjëra nga këto të dyja nuk mund ta përfaqësojë palën tjetër në sferën ndërkombëtare apo të veprojë në emër të saj. Serbia nuk do ta kundërshtojë anëtarësimin e Kosovës në asnjë organizatë ndërkombëtare.

Neni 5

Asnjëra palë nuk do të bllokojë, ose do të inkurajojë të tjerët të bllokojnë përparimin e palëve në rrugët e tyre perspektive drejt BE-së bazuar në meritat e tyre. Të dyja palët duhet të respektojnë vlerat e përmendura në nenin 2 dhe 21 të Traktatit të Bashkimit Evropian.

Neni 6

Përderisa kjo marrëveshje bazë përfaqëson një hap të rëndësishëm të normalizimit, të dyja palët do të vazhdojnë me një shtysë të re në procesin e dialogut të udhëhequr nga BE-ja, që do të çojë në marrëveshjen ligjërisht të detyrueshme, gjithëpërfshirëse për normalizimin e marrëdhënieve.

Palët bien dakord ta thellojnë bashkëpunimin në të ardhmen në fushat e ekonomisë, shkencës dhe teknologjisë, transportit dhe lidhshmërisë, marrëdhënieve në drejtësi dhe zbatim të ligjit, postë dhe telekomunikacion, shëndetësi, kulturë, fe, sport, mbrojtje të mjedisit, persona të zhdukur, dhe fusha të tjera të ngjashme përmes arritjes së marrëveshjeve specifike. Detajet do të pajtohen në marrëveshjet shtesë në dialogun e ndërmjetësuar nga BE-ja.

Neni 7

Të dyja palët janë të përkushtuara në arritjen e marrëveshjeve specifike dhe garancive, në përputhje me instrumentet përkatëse të Këshillit të Evropës dhe duke përdorur përvojat ekzistuese evropiane, për të siguruar një nivel të përshtatshëm të vetëqeverisjes për komunitetin serb në Kosovë dhe mundësinë e ofrimit të shërbimeve në disa fusha specifike, përfshirë mundësinë e ndihmës financiare nga Serbia dhe kanalet e drejtpërdrejta të komunikimit të komunitetit serb me Qeverinë e Kosovës.

Palët do ta zyrtarizojnë statusin e Kishës Ortodokse Serbe në Kosovë dhe do të ofrojnë një nivel të lartë të mbrojtjes së trashëgimisë fetare dhe kulturore serbe, në përputhje me modelet ekzistuese evropiane.

Neni 8

Palët do të shkëmbejnë misione të përhershme. Ato do të vendosen në selitë përkatëse të qeverive. Çështjet praktike që lidhen me vendosjen e misioneve do të trajtohen veçmas.

Neni 9

Të dyja palët vënë në dukje angazhimin e BE-së dhe donatorëve të tjerë për ta krijuar një pako të veçantë ndihme financiare për projektet e përbashkëta të palëve për zhvillimin ekonomik, lidhshmërinë, tranzicionin e gjelbër dhe në fusha të tjera kyçe.

Neni 10

Palët do ta krijojnë komisionin e përbashkët, të kryesuar nga BE-ja, për monitorimin e zbatimit të kësaj marrëveshjeje. Të dyja palët konfirmojnë detyrimet e tyre për zbatimin e të gjitha marrëveshjeve të dialogut nga e kaluara.

Neni 11

Palët angazhohen të respektojnë udhërrëfyesin e zbatimit të kësaj marrëveshjeje.

Ora 10:05
Takimi Kurti-Vuçiç në Ohër, Blinken: Presim rezultate për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë

1676490320_Screenshot2.jpg

Sekretari amerikan i Shtetit Antony J. Blinken dhe shefi i Politikës së Jashtme të Bashkimit Evropian Josep Borrell, gjatë një bisede telefonike të zhvilluar ditën e djeshme thanë se është koha e duhur që Kosova dhe Serbia të hedhin hapa domethënës në interes të integrimeve perëndimore.

Të dy zyrtarët e lartë diskutuan mbi mbështetjen e tyre të fortë për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Serbisë dhe Kosovës, në prag të takimit të udhëheqësve në Ohër, të Maqedonisë së Veriut.

“Diskutuam Dialogun Serbi-Kosovë të udhëhequr nga BE-ja dhe anëtarësimin në BE për vendet e Ballkanit Perëndimor dhe mbështetjen tonë të unifikuar dhe të palëkundur për Ukrainën”-shkruan Blinken.

Ora 09:42
Kurti takohet në Ohër me kryetarin e partisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut (VIDEO)

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti është takuar në Ohër me Ali Ahmetin, kryetar i partisë shqiptare në Maqedoni të Veriut, Bashkimi Demokratik për Integrim.

Ata biseduan në prag të takimit të Kurtit me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiç. Në përfundim të takimit, asnjëri nuk foli për mediat..

/M.Q./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Adem Jashari: 19/03/2023 03:52

    A kerkoi falje Vucici per krimet qe ka kryer Serbia ne Kosove?

    Përgjigju
  • Njohja: 19/03/2023 03:47

    Njohje perfundimtare Kosovës patjeter

    Përgjigju
  • A'U'Tok'Ton: 18/03/2023 16:58

    Ore hidheni në Gjyqësorin Evropian Kongresin Famëkeq të Londrës e Konferencën e Parisit,të dyja Anti Shqiptare,ku popullsia Arbnore pësoi Genocidin më tragjik e më të madh...për të kënaqur epshet pro _ruso-sllave-greke!

    Përgjigju
  • Alb: 18/03/2023 10:51

    Jepi kuri jepi. Go kurti go

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    17 Dhjetor, 08:53

    Hapet një tjetër grupkapitull me BE, a po ecet shpejt drejt integrimit?



×

Lajmi i fundit

Fier/ Shpërndante kokainë në doza pranë gjimnazeve, arrestohet 29 vjeçari (EMRI)

Fier/ Shpërndante kokainë në doza pranë gjimnazeve, arrestohet 29 vjeçari (EMRI)