Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj i ka vënë përpara zgjedhjes përfaqësuesit e biznesit të vogël dhe atij të mesëm, sa i takon rishqyrtimit të taksave të miratuara kohë më parë nga këshilli Bashkiak, të propozuara nga Bashkia.

Sipas njërit prej përfaqësuesve të Shoqatës së Tregtarëve, Adriatik Lapaj këtë ofertë, për heqjen e taskës së tavolinës ose taksës së hapësirës publike, tha se Veliaj e ka bërë në një emision televiziv dhe jo në takimin e mbajtur mbrëmë.

"Mbrëmë në një emision televiziv kryetari i Bashkisë Tiranë na vuri përpara zgjedhjes, që të heqë taksën e tavolinës ose taksën e hapësirës publike. Dje nuk na e tha në takim" tha Lapaj.

Adriatik Lapaj, i ftuar në emisionin “Rreze dielli” në Report Tv ka thënë se do të takohen sërish me kryetarin e bashkisë, për të diskutuar për rishqyrtimin e taksave që ata i kanë listuar si shkatërruese të biznesit, nëse lihet në fuqi vendimi për rritjen e tyre.

Por ai ka thënë se, taksa e tavolinës u premtua që do të zerohej, po ashtu të hiqen për muajt janar e shkurt detyrimet e këtij vendimi të marrë.

Në takimin e djeshëm u arrit që të zerohet taksa e tavolinës, për biznesin e vogël e të mesëm. Po ashtu, u arrit që për janarin e shkurtin,  të zerohen detyrimet shtesë për bizneset” tha Lapaj.

Lapaj ka shtuar se në takim nuk u pranua indeksimi për taksën e hapësirës publike, ndërkohë që ka theksuar se biznesi i vogël dhe ai i mesëm janë për mosndryshimin e saj.

Ata që zënë hapësira, kjo i godet, taksa të qëndrojë 1500 lekë për metër katror sa është, të mos ketë ndryshime për sipërfaqe shumë të vogla.Nga 40-80 metra katror, me 3 mijë lekë metri, për 120 metra katror 4500 lekë metri, pra të ketë shkallëzim progresiv” ka thënë ai.

Sa i takon rritjes së taksave, Lapaj tha se, 10-fishimi i taksave që është bërë me vendim të Këshillit Bashkiak, merr 35 % të xhiros në total të një biznesi. Nga këto taksa, që aplikohen tek 10 mijë bizneset aktive që janë në total, rrezikohen bizneset me xhiro 8 milion lekë në vit, pasi 2 milion duhet të paguajnë hapësirë publike.

Mbrëmë pas takimit të shoqatës së tregëtarëve dhe Bashkisë së Tiarnës, kreu i Shoqatës së Tregtarëve Nikollaq Neranxi deklaroi se Bashkia nuk ra dakord me propozimet e tregtarëve, duke u treguar kategorike për zbatimin e taksave të reja.

Përfaqësuesit kanë lënë një afat të ri deri nesër, përndryshe, në rast se këto kërkesa nuk plotësohen, do të përshkallëzojnë protestat para godinës së bashkisë, të cilat kanë javë që i kanë nisur.

Redaksia Online
(F.T/shqiptarja.com)