200 mijë shqiptarë të diasporës kanë bërë kërkesë për regjistrim pranë KQZ-së si votues përmes postës.

Deri më tani janë pranuar gati 162 mijë emigrantë dhe gati 38 mijë janë refuzuar.

Me këto ritme, parashikohet që gjatë dhjetë ditëve të fundit, pra, deri në 4 mars, shifra totale e të regjistruarve të kapë 200 mijë zgjedhës nga jashtë.

Kjo është sa dyfishi i parashikimit që kishte bërë KQZ dhe qeveria për këtë votim që do të realizohet për herë të parë.

Të dy palët, kishin rezervuar 5 milionë euro fond për postën, që do të mjaftonte për 100 mijë fletë votimi. Burime pranë KQZ thanë për Report TV se ky institucion kërkon nga qeveria fond shtesë, që mund të jetë edhe 5 mln euro të tjera, si dhe shtesë në staf, i cili duhet të kujdeset për mbushjen e zarfeve me fletët e votimit dhe dorëzimin e tyre në postë.

Deri më tani, pranë KQZ-së janë paraqitur për tu regjistruar 20 parti politike. Edi Rama, Sali Berisha dhe Ilir Meta nga burgu kanë firmosur kërkesat e tyre. Akoma nuk e kanë dorëzuar kërkesën e tyre parti të cilat janë duke menduar një organizim të përbashkët, si LZHK e Dash Shehit, Djathtas 1912 e Alibeajt si dhe partia e re e Bashës.

Në funksion të 11 majit, Ilirjan Celibashi do tu prezantojë partive dy plane për shtrirjen e votimit elektronik. Një skenar i mësuar nga Report TV, përfshin votim e numërim elektronik në njësinë nr. 8 në Tiranë, si dhe në bashkitë Vorë e Kavajë. PD refuzoi shtrirjen e këtij modeli në një qark të plotë.