Përgjegjësi i policisë pyjore pranë Inspektoratit Shtetëror, Mjedisit, Pyjeve dhe Ujërave si dhe tre inspektorë janë proceduar penalisht nga policia e Dibrës, pasi kanë lejuar dëmtimin e 1 hektar pylli.
 
Sipas policisë së Dibrës, bëhet e ditur se procedimi penal ka nisur për: A. Lika, 44 vjeç, me detyrë Përgjegjës i Policisë dhe tre inspektorëve D. Kozi, 39 vjeç, I. Zuna, 28 vjeç dhe A. Topi, 39 vjeç,  me detyrë inspektorë të Policisë  Pyjore pranë ISHMP-se Dibër,dega Bulqizë.
 
Policia shton se, ata janë proceduar penalisht për shpërdorim detyre, pasi nuk kanë kryer detyrat funksionale që iu ngarkon ligji “Për pyjet dhe shërbimin pyjor” në lidhje me dëmtimin e masivit pyjor që gjendet në Ternovë, të  Bulqizës. 
 
Rasti është konstatuar nga Shërbimet e Komisariatit të Policisë Bulqizë pas një kontrolli të ushtruar në masivin  pyjor në Ternovë ku kanë konstatuar rreth 1 hektar pyll të dëmtuar, prerë në mënyrë të paligjshme, ku nuk kanë mbajtur asnjë proces verbal dhe nuk kanë kryer asnjë veprim  e nuk e kanë raportuar duke shpërdoruar detyrën.

Redaksia Online
(F.T/shqiptarja.com)