Unaza e Peshkopisë, ajo e Klosit, aksi Arras Kastritot, dhe ndërtimi i një ure janë investimet kryesore në këtë qark, që sipas kryeministrit Rama, bashkë me Rrugën e Arbrit do t’i japin frymëmarrje zonës.
Gjatë vizitës në Dibër, Kryeministri Rama i shoqëruar nga kryetari i Bashkisë së Dibrës, Muharrem Rama inspektuan kantierin e punimeve të Unazës së Peshkopisë që pritet të përfundojnë në pranverën e ardhshme.
“Edhe kjo është rruga e vogël e Arbrit. Premto, premto dhe edhe kjo tani po bëhet. Natyrisht është një gjë shumë e rëndësishme për qytetin dhe do ta lehtësojnë shumë pjesën tjetër që nuk do ketë më gjithë kamionët deri te shtëpia,” tha Rama.
Një tjetër kantier në Qarkun e Dibrës është ai i rrugës Arras-Kastriot. Rruga lidh banorët e 20 fshatrave dhe do të shkurtojë kohën e lëvizjes nga 2 orë në 20 minuta.
“Kjo është gjëja kryesore, rruga e Arbërit nga njëra anë, krijimi i një infrastrukture solide, në Dibrën rurale, ka një problematik të trashëguar keqas, na japin një tjetër bazë për të krijuar më shumë inpak,” shprehet Rama.
Unaza e Klosit është një tjetër kantier në përfundim në Qarkun e Dibrës, e cila do të shmangë trafikun dhe kalimin e mjeteve të tonazhit të rëndë brenda në qytet.
Kryeministri Rama, inspektoi punimet i shoqëruar nga kryetari demokrat i Bashkisë së Klosit, Basir Çupa.
“Do të bëjmë dhe urën, do bëjmë dhe rrugën në hyrje. Kryetari e ka projektin për t’u lidhur me unazën. Kur bashkëpunojnë socialistët me demokratët për punët reale bëhen gjëra të mëdha. Kur zihen socialistët dhe demokratët shpërthejn edhe kazani pastaj” – theksoi Kryeministri Rama.
Kryeministri, i shoqëruar nga ministrja e Mbrojtjes Olta Xhaçka ishin në fshatin Komsi, ku Forcat e Armatosura kanë përfunduar ndërtimine një ure.
“Ura që i dorëzojmë sot, 1200 banorëve të Muzhakës dhe fshatrave përreth është një urë që i vjen në ndihmë shumë komunitetit, i vjen në ndihmë mbi 300 nxënësve të kësaj zone dhe i vjen në ndihmë banorëve për të aksesuar shumë më kollaj arteriet kryesore, për të komunikuar më kollaj mes fshatrave, por edhe për të aksesuar qendrat shëndetësore.
Kjo është një nga 9 urat që ne kemi bërë në Qarkun e Dibrës” – u shpreh ministrja Olta Xhaçka.
Kryeministri Rama shtoi se projekte të tjera janë në proces në gjithë zonat rurale në Qarkun Dibër, për të mbështetur njerëzit dhe prodhimin.
Redaksia Online
Xh.F /Shqiptarja.com

VIDEO











