Reshjet e dëborës kanë përfshirë zonat e Dibrës dhe Kukësit, si pasojë e uljes së temperaturave, duke krijuar vështirësi në qarkullimin e automjeteve në disa segmente rrugore.

Në Dibër, problematika raportohet kryesisht në aksin Maqellarë–Peshkopi, pranë zonës së Çenokut, ku reshjet e dëborës kanë bërë që rruga të bëhet e rrëshqitshme. Drejtuesit e mjeteve këshillohen të reduktojnë shpejtësinë, të ruajnë distancën e sigurisë dhe të përdorin goma dimërore.

Ndërkohë, në Kukës reshjet e borës kanë nisur në zonën e Kalimashit, pranë tunelit, si dhe në disa segmente të Rrugës së Kombit. Kompania e mirëmbajtjes së rrugës ka nxjerrë në terren mjetet borëpastruese për pastrimin e akumulimeve të dëborës.

Deri më tani, në Rrugën e Kombit nuk raportohen pengesa në qarkullim dhe lëvizja vijon normalisht. Megjithatë, drejtuesit e mjeteve këshillohen të pajisen me zinxhirë dhe të tregojnë kujdes të shtuar gjatë udhëtimit.

Në Kukës vijojnë gjithashtu reshjet e shiut, të shoqëruara me erëra të forta, ndërsa raportohet edhe për ndërprerje të energjisë elektrike në zonën e Surrojit.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 20:16
Kukës/ Borë edhe në Rrugën e Kombit, borëpastrueset në terren! Një fshat pa drita (VIDEO)

 

Reshjet e borës kanë nisur edhe në qytetin e Kukësit, kryesisht në zonën e Kalimashit, pranë tunelit, si dhe në disa segmente të Rrugës së Kombit, si pasojë e uljes së temperaturave.

Për shkak të reshjeve të borës dhe lagështisë së krijuar nga shiu i orëve të mëparshme, kompania e mirëmbajtjes së rrugës ka nisur menjëherë punën për pastrimin e borës me mjete borëpastruese.

Deri më tani nuk raportohen pengesa në qarkullim dhe lëvizja e automjeteve vijon normalisht. Megjithatë, drejtuesit e mjeteve këshillohen të përdorin goma dimërore dhe të mbajnë me vete zinxhirë, për të shmangur problematikat gjatë udhëtimit.

Reshje bore ka edhe në zonat e larta malore, mbi 700 metra mbi nivelin e detit. Deri më tani nuk raportohen problematika të mëdha, ndërsa në disa segmente të rrugëve nacionale dhe bashkiake ka pasur rënie gurësh, fenomen që shfaqet shpesh gjatë reshjeve të shiut. Në qytetin e Kukësit vijojnë reshjet e shiut me intensitet mesatar, të shoqëruara me erëra të forta.

Ndërkohë, sa i përket furnizimit me energji elektrike, raportohet për ndërprerje të energjisë në zonën e Surrojit.