Makina të bllokuara nga bora në Iballë, evakuohen pasagjerët! Fushë-Arrëzi në izolim total! Stuhi në mbarë vendin

Vendi është përshirë nga reshje të dendura bore. Kamionë të rrëzuar nga era e fortë, vështirësi në qarkullimin e mjeteve si dhe rrugë të bllokuara nga dëbora, kjo ka qenë panorama e së shtunës në veri dhe juglindje të vendit.

Situata më emergjente paraqitet në bashkinë Fushë-Arrëz e cila ka shpallur gjendjen e jashtëzakonshme për shkak të reshjeve të dendura të borës, njofton kryetari i bashkisë Hil Curri. Në një lidhje për Report tv Curri tha se 12 fshatra janë të bllokuar totalisht. Rruget që i lidhin me qendrat administrative janë të bllokuara, ndërsa prej orësh vazhdon mungesa me furnizim të energjisë elektrike.

Ne aksin Iballë-Fushë Arrëz janë bllokuar për disa orë 7 makina. Për shkak se temperaturat janë shumë të ulëta u bë evakuimi i pasagjerëve dhe shoferëve duke i lëvizur në vende të sigurta derisa të bëhet zhbollikimi i rrugës.

Probleme raportohen edhe disa qarqe të tjera të vendit. Për shkak të bllokimit të disa makinave që tentuan të lëvizin pa zinxhirë në rrugën e Arbrit, Policia Rrugore u detyrua të bllokojë plotësisht qarkullimin, kësisoj lëvizja e mjeteve drejt Tiranës kryhet nga aksi i vjetër Klos-Burrel-Shkopet. Në pjesën e bypass-it të Murrizit rekomandohet përdorimi i zinxhirëve për shkak të vështirësive në qarkullim. Edhe në rrugën e Kombit, pavarësisht reshjeve të dëborës, vijon qarkullimi i automjeteve.  

I gjithë qarku i Dibrës është përfshirë nga reshje intensive bore, ndaj këshillohet përdorimi i zinxhirëve edhe akset Peshkopi-Maqellarë- Bulqizë dhe Peshkopi-Kala e Dodës – Kukës.

Në aksin nacional Korçë-Bilisht në afërsi të fshatit Cangonj një taksi doli nga rruga për shkak të ngricës dhe përfundoi në kanal. Për pasojë dy pasagjerë mbeten të plagosur. Reshje ka patur edhe në Qafë Thanë e Qafë Plloçë, duke sjellë bllokim makinash dhe trafik të rënduar për disa orë. Lëvizja e automjeteve në aksin Librazhd-Qafë Thanë kryhet vetëm me zinxhirë, ndërsa bllokohet lëvizja e mjeteve të tonazhit të rëndë.

Në Kukës fshatrat malorë Topojan, Zapod, Grykë Çaj dhe Arren, kanë mungesë të energjisë elektrike. Akset rrugore në njësit administrative Arrën, Kalis dhe Zapod, janë të bllokuara. Ndërsa rrugët nacionale janë të kalueshme me zinxhirë, si Kukës-Krumë, Shishtavec, Bushtrice. Rruga e Kombit dhe akset e tjera rrugore, janë të kalueshme. Për shkak të erës së fortë një nga mjetet borëpastruese u përmbys në afërsi të tunelit të Kalimashit. Drejtuesi i mjetit nuk mori lëndime ndërsa u desh ndërhyrja e mjeteve të tjera për ta nxjerrë nga rruga. Aktualisht rruga e kombit nga Miloti në Morinë është e kalueshme, por në disa vende kërkohet qe drejtuesit e mjeteve të bëjnë kujdes për shkak të prezences së dëbores.

Edhe në qarkun e Shkodrës reshjet e dëborës janë intensive këtë të shtunë. Pas disa orësh e bllokuar aksi Bogë-Theth aktualisht  është i kalueshëm. Ndërsa rruga e Vermoshit kalohet me zinxhirë.

Në Njësitë Administrative Bushat dhe Vig Mnele në bashkinë Vau Dejës reshjet e shiut vazhdojnë me intensitet të mesëm dhe nuk ka energji elektrike. Në Temal dhe Shllak, reshjet e dëborës kanë arritur në trashësinë 30 cm. Po ashtu mungon edhe furnizimi me energji elektrike, kurse disa rrugë rurale janë bllokuar.  Situatë të qetë paraqet Puka. Deri në këtë moment, nuk raportohen probleme. Rruga nacionale Pukë – Fushë Arrëz - Mirditë është e kalueshme me zinxhirë.

Era e fortë ka vështirësuar lëvizjet në rrugën nacionale Lezhë-Milot, ku për pasojë një kamion është përmbysur në anë të urës, fatmirësisht pa pasoja në njerëz. Po ashtu për shkak të reshjeve të dendura të borës probleme pati edhe në  Aksin Skuraj-Burrel, ku për më shumë se dy orë me dhejtra automjete u bllokuan në rrugë. Ndërhyrja e  borëpastueses, solli normalizimin e situatës.  Në disa zonë të qarkut Lezhë ka pasur ndërprerje të energjisë, por po punohet për të rikthyer. 

Ndërkohë në Mirditë trashësia e dëborës shkon në 40 cm dëborë në zonën e Nënshejt, Ndërshenës, Lajthizës, njësia administrarive Orosh, por reshjet kanë ndaluar. 

Trafiku paraqitet i rënduar, ndërsa policia rrugore apelon drejtuesit e mjeteve të ulin shpejtësinë.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 22:23
FOTOLAJM/ Korça nën petkun e dëborës

1705786003_moti.jpg

Petku i bardhë i borës ka krijuar një pamje magjepsëse në qytetin e Korçës. Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka ndarë disa pamje në rrjete sociale, ku shihen fëmijë që gëzojnë të luajnë me topa bore dhe të rinj e qytetarë që bëjnë foto, teksa flokët e borës bien dhe i japin edhe më shumë hijeshi mahnitëse pejsazhit natyror në Korçë.

“Korça sot”, shkroi Rama.

 

Ora 21:11
7 makina të bllokuara prej borës në aksin Iballë-Fushë Arrëz, evakuohen pasagjerët dhe shoferët, vijon puna për zbllokimin e rrugës

 

Është bërë evakuimi i pasagjerëve dhe shoferëve që ndodheshin në 7 makinat që janë bllokuar në mes të dëborës në aksin rrugor Iballë-Fushë Arrëz. Ata janë dërguar në një vend të sigurtë ndërsa borëpastrueset dhe fadromat janë duke punuar për zhbllokimin e rrugës që të vijojnë më pas rrugëtimin e tyre.

Ora 20:47
Milot/ Era e fortë hedh në tokë fasadën e pallatit 5-katësh

1705780088_WhatsAppImage20240120at20.38.00.jpeg

Moti i keq me erë të fortë ka shembur fasadën e një pallati 5-katësh në Milot, por fatmirësisht nuk raportohet për persona të lënduar.

Pallati ishte restauruar pak muaj më parë si pjesë e programit të Rindërtimit nga tërmeti, por cilësia e dobët e punimeve duket se ka ndikuar në demtimin fasadës në njërën anë të saj.

Ora 20:46
Moti i keq në vend/ Ministria e Mbrojtjes bën përditësimin e situatës

1705780256_motiikeq.jpg

Ministria e Mbrojtjes përmes një njoftimi për media bën me dije se "situata e krijuar në vend nga reshjet e dendura ditën e sotme është në monitorim të vazhdueshëm të të gjitha strukturave shtetërore".

"Grupet e punës në terren vijojnë ndërhyrjet deri në zonat më të thella për të qenë pranë çdo banori, veçanërisht në qarqet Shkodër, Dibër, Kukës, Elbasan, Korçë, ku reshjet e borës dhe shiut kanë krijuar problematika. Në aksin Elbasan-Qafë Thanë është ndaluar qarkullimi i mjeteve të tonazhit të rëndë, për shkak të reshjeve të borës", njofton më tej ministria.

Përsërsim thirrjen për të gjithë qytetarët të kufizojnë lëvizjet e panevojshme në këtë situatë dhe të kërkojnë ndihmën e strukturave vendore në rast nevoje!

Ora 20:28
ARRSH: Aksi Bogë-Theth i hapur për qarkullim e automjeteve

1705779055_54e67ukedukukrd6yuk.JPG

Autoriteti Rrugor Shqiptar ka njoftuar se intensiteti i reshjeve të dëborës në zonën e Thethit ka rënë ndjeshëm dhe se borëpastrueset po punojnë pa ndërprerje për pastrimin e dëborës, zgjerimin e pjesës kaluese, si dhe shpërndarjen e kripës për evitimin e ngricave në aksin Bogë-Theth.

Lajmërohet se aktualisht ky aks është i kalueshëm për automjetet.

“Në Bogë-Theth intensiteti i reshjeve ka rënë por mjetet borëpastruese po punojnë pa ndërprerje për pastrimin e dëborës, zgjerimin e pjesës kaluese dhe shpërndarjen e kripës për evitimin e ngricave.

Rruga është e hapur për qarkullimin e mjeteve.

Drejtuesit e mjeteve të pajisen me goma dimërore dhe zinxhirë kur udhëtojnë për në segmentet me prezencë dëbore, të ulin shpejtësinë, të respektojnë sinjalistikën dhe udhëzimet e Policisë Rrugore”,- lajmëron ARRSH.

Ora 20:03
VIDEO/ Shtatë automjete bllokohen në Iballë të Pukës për shkak të dëborës, autoritetet evakuojnë pasagjerët

 

Dy mjete borëpastruese dhe një fadromë po punojnë për hapjen e rrugës në Iballë të Pukës.

Aktualisht raportohet se të bolluara në këtë aks janë 7 mjete, ku në to mpërpos shoferëvë ka dhe disa pasagjerë.

Autitetetet po punpojnë për evakuimin e tyre, duke i lëvizur me automjete të tjera pasi temperaturat janë shumë të ulëta.

Ora 19:45
Bllokohen edhe 5 makina të tjera në aksin rrugor të Iballës në Pukë! Fushe-Arrëzi vijon të jetë i izoluar

Situata në Bashkinë Fushë-Arrëz vijon të jetë problematike, me shumicën e fshatrave nën izolin total dhe pa drita. Në aksin rrugor të Iballës janë bllokuar edhe 5 automjete të tjera, ndërsa një fadromë dhe foristradë janë nisur për ndihmë. 

1. Bashkia Shkodër:
– Aksi rrugor Bogë-Theth është i kalueshem, mjetet vijojne punën ne ketë aks rrugor.
– Njësitë Administrative Shalë dhe Shosh për momentin nuk kanë energji elektrike.

2. Bashkia Malësi e Madhe:
– Në këtë bashki situata paraqitet e stabilizuar.
– Nuk raportohet për akse rrugore të bllokuara, furnizimi me energji elektrike vijon normalisht.

3. Bashkia Vau Dejës:
– Ne kete bashki po fryen era me shpejtesi të lartë.
– Nuk ka energji elektrike në të gjitha njësitë administrative të Bashkisë.

4. Bashkia Pukë:
– Situata për Bashkinë Pukë po shkon drejt normalizimit. Reshjet e dëborës kanë pushuar. Vazhdon puna për pastrimin e rrugëve urbane dhe rurale.

5. Bashkia Fushë Arrëz:
– Në territorin e Bashkisë Fushë-Arrëz, situata vijon vështirë per shkak te reshjeve te deborës.
– Ne aksin rrugor të Iballes janë bllokuar edhe 5 automjete të tjera. Një fadromë dhe foristradë janë nisur për ndihmë.
– Rruget që lidhin fshatrat me qendrat administrative janë të bllokuara.
– Vazhdon mungesa me furnizim të energjisë elektrike në disa fshatra. – Momentalisht reshjet e dëbores kanë pushuar.

6. DRV Shkodër:
– Referuar informacioneve të marra nga kontraktorët nuk raportohen probleme në akset rrugore që mbulon Drejtoria Rajonale e Shërbimit të Transportit (DRV) në Shkodër.
– Të gjitha akset rrugore janë pastruar dhe eshte hedhur sasi kripe.
– Nga kjo drejtori apelohet që perdoruesit e automjeteve të përdorin goma dimrore dhe zinxhire në akset rrugore me prezencë te debores, të respektojnë sinjalistikën rrugore duke ulur shpejtësinë.
– Firmat mirembajtese janë në terren, të organizuar me mjete dhe personel për të perballuar ç’do situatë te mundshme.

Ora 19:43
Dëborë e stuhi në mbarë vendin, administrata Doganore në Pikat e Kalimit Kufitar e angazhuar me kapacitet të plotë

1705776234_76d16757be9f47318464cae3af4011a1.jpg

Vendi ynë prej mbrëmjes së djeshme është përfshirë nga mot me reshje shiu të dendur dhe dëbore.

Struktura e Administratës Doganore në Pikat e Kalimit Kufitar, Kapshticë, Qafë - Thanë, Bllatë e Morinë, ku reshjet e dëborës janë më të dendura, por dhe në të gjithë pikat e kalimit kufitar është e angazhuar dhe po shërben me kapacitet të plotë për mbarëvajtjen e punës në shërbim të biznesit.

Ora 19:41
VIDEOLAJM/ ‘Deda’ i Mirditës, elektriçisti riparon linjën elektrike në kushte ekstreme të motit
Mirditë, 20 janar 2024

Moti i ashpër ditën e sotme ka sfiduar të gjitha strukturat dhe autoritetet përkatëse në vend nga veriu në jug.

Era e fortë dhe reshjet e dendura të dëborës kanë sjellë edhe shkëputjen e energjisë elektrike në disa qarqe si ai e Lezhës, ku dhe është shkrepur fotoja e mësipërme.

Pavarësisht stuhisë së borës një elektriçist në Mirditë duket se po përpiqet të riparojë një linjë elektrike për të mos lejuar që qytetarëve të mos ju mungojë i ngrohti dhe energjia elektrike, duke vënë kështu në rrezik edhe jetën e tij.

Ora 18:42
Reshjet e borës në Qafë Thanë, Balla: Aksi Librazhd-Pogradec është plotësisht i kalueshëm 

 

Aksi Librazhd Podradec i rikthehet normalitetit. Ministri i Brendshëm Taulant Balla njofton se është plotësisht i kalueshëm.

"Qafë Thanë-Reshjet e dëborës krijuan një situatë të vështirë, por në këtë moment aksi rrugor Librazhd-Pogradec është plotësisht i kalueshëm. Policia e Shtetit, Autoriteti Rrugor Shqiptar dhe njësitë e qeverisjes vendore janë në krye të detyrës për garantimin e sigurisë dhe pastrimin e rrugëve në të gjithë vendin", thotë Balla.
 

Ora 18:38
VIDEO/ Korça e mbuluar nga dëbora, nuk ndalen reshjet

 

Korça është zbardhur nga dëbora ndërsa reshjet vijojnë. Ekipet dhe mjetet borëpastruese vijojnë të qarkullojnë në gjithë qarkub për shpërndarjen e kripës dhe pastrimin e dëborës në të gjitha akset ku ka prezencë të saj. Subjektet kontraktore janë duke kriposur dhe mirëmbajtur akset kryesore nacionale e ato turistike. Në terren janë 21 borëpastruese, 8 fadroma, 11 kamionçina  dhe 7 kamiona. Për drejtuesit e automjeteve rekomandohet përdorimi i gomave dimërore dhe në ndonjë rast edhe i zinxhirëve.

Ora 18:21
Ndërpriten reshjet e dëborës në Qarkun e Lezhës, pasojat pas stuhisë përmes fotove

Situata në qarkun e Lezhës paraqitet e qetë dhe raportohet se reshjet e dëborës janë ndërprerë.

Aktualisht territori po përshkohet nga erëra të forta, të cilat kanë krijuar probleme në qarkullimin e mjeteve të rënda në urën e Milotit në aksin e vjetër, ku një kamion është përmbysur si pasojë e erës së fortë. Fatmirësisht nuk ka të lënduar por vetëm dëme materiale.

Nga policia e qarkullimit rrugor janë marr masat për ndalimin e qarkullimit të mjeteve të rënda si dhe në akset ku ka patur dëborë është monitoruar qarkullimi.

Bashkinë Lezhë kemi patur ndërprerje te energjisë elektrike në disa zona si shkak i erës së fortë, dhe po punohet nga OSHEE Lezhë momentalisht për riparimin e defekteve.

Në orë e pasdites në fshatin Ishull Lezhë, Njësinë Administrative Shëngjin është rrëzuar një peme e cila ka bllokuar qarkullimin. Ndërhyrja e forcave të MZSH ka normalizuar situatën.

Bashkinë Kurbin nuk raportohet për problrmatika deri në këto momente.

Në disa fshatra dhe lagje të qytetit ka mungesë te energjisë elektrike, për të cilat po punohet nga personeli i OSHEE për ti riparuar.

Bashkinë Mirditë reshjet e dëborës janë ndërprerë në gjithë territorin e saj.

Trashësia e dëborës ka arritur deri në 40 centimetër në zonën e Nënshejt, Ndërshenës, Lajthizës, Njësia Administrarive Orosh.

Bashkia ka ndërhyrë në disa akse për pastrimin e rrugëve të bllokuara nga dëbora në njësitë administrative Fan dhe Orosh.

Grupet e punës të OSSHE kanë qenë në terren ku kanë bërë të mundur riparimin e defekteve të linjave elektrike të dëmtuara.

Ora 18:03
Aksi Librazhd-Qafë Thanë i kalueshëm vetëm me zinxhirë, ndalohet lëvizja e mjeteve të tonazhit të rëndë

1705770386_whstrhswhtths4r.JPG

Policia e Elbasanit ka njoftuar së fundmi se lëvizja e automjeteve në aksin Librazhd-Qafë Thanë kryhet vetëm me zinxhirë për shkak të të ngricave dhe reshjeve intensive të dëborës.

Po ashtu, blutë njoftojnë se në këtë aks rrugor është bllokuar lëvizja e mjeteve të tonazhit të rëndë.

“Aksi rrugor "Librazhd-Qafë thanë" është përfshirë nga reshjet e dëborës, dhe aktualisht lëvizja e automjeve kryhet vetëm me zinxhirë.

Ndërkohë, në këtë aks rrugor është bllokuar lëvizja e mjeteve të tonazhit të rëndë”,-njofton policia.

Ora 17:50
Ja si paraqitetet situata në Qarkun e Kukësit, akset e bllokuara nga dëbora dhe 24 fshatra e njësi administrative pa energji elektrike

I gjithë territori i Qarkut Kukës vazhdon të jetë i përfshirë nga reshje bore me intensitet të ulët, por shoqëruar me erë të fortë. Nga informacioni i marrë nga terreni rezulton se rrugët nacionale janë të qarkullueshme normalisht me goma dimërore.

Subjektet kontraktore kanë vazhduar punën për pastrimin, kriposjen dhe mbajtjen funksionale të tyre.

Nga bashkitë Kukës, Tropojë dhe Has nuk kemi raportime për ndonjë problematikë të veçantë.

Bashkia Kukës ka mobilizuar në kapacitetet të plotë punonjësit e emergjencës civile në terren për hapjen e rrugëve që lidhin njësitë administrative me rrugët nacionale.  Raportohen të bllokuara njësitë administrative Arrën, Zapod, Grykë Çajë, dhe Kalis. Mësohet se energjia eletrike është shkëputur në njësitë administrative Arrën, Surroj, Shishtavec, Topojan ,Zapod, Kolsh, Malzi, si dhe fshatrat Mgullë Qam, Vrish, Gdheshtë.

Në Tropojë të gjitha rrugët që lidhin njësitë administrative me rrugët nacionale janë të hapura.

Bashkia Tropojë ka mobilizuar në kapacitetet të plotë punonjësit e emergjencës civile në terren për hapjen e rrugëve që lidhin fshatrat me njësitë administrative. Mësohet se energjia eletrike është shkëputur në njësitë administrative Lekbibaj, Bujan, Llugaj, Margegaj, Tropojë e Vjetër, Bytyç, si dhe fshatrat Pac ,Vlad dhe Zherkë.

Has të gjitha rrugët që lidhin njësitë administrative me rrugët nacionale janë të kalueshme normalisht.

Bashkia Has ka mobilizuar në kapacitetet të plotë punonjësit e emergjencës civile në terren për pastrimin e rrugës që lidh fshatin Dobrun me rrugën nacionale.

 Deri tani ngelen të bllokuara rrugët e fshatrave Nikoliq dhe Vlahen, ndërsa rruga Krumë-Cahan kalohet me vështirësi.

Mësohet se energjia eletrike është shkëputur në njësitë administrative Golaj, Gjinaj, si dhe fshatrat Nikoliq, Vlahen dhe Myç.

Ora 17:16
VIDEOLAJM/ Dhjetëra makina të bllokuara prej disa orësh në aksin Skuraj-Burrel, reshjet e dëborës vazhdojnë me intensitet të lartë

 

Reshje e dendura të dëbores kanë sjellë probleme të shumta në rrugën nacionale Skuraj-Burrel.

Ky segment rrugor është bllokuar, duke bërë që dhjetra mjete të ngelen të bllokuara prej disa orësh.

Udhëtarët kërkojnë ndërhyrje të firmës kontraktore, pasi reshjet vijojnë me intensitet të lartë dhe duke qenë se ky segment ka dhe shembje në disa vende, rreziku është edhe më i madh.

Ora 16:58
VIDEOLAJM/ Fushë-Arrëzi në gjendje të jashtëzakonshme, shoferët të bllokuar brenda makinave në mes të borës

 

Fushë-Arrëzi ka shpallur gjendjen e jashtëzakonshme për shkak të reshjeve të denduara të borë. Në disa akse banorët janë bllokuar në makina, në mes të borës.

Kryetari i bashkisë Hil Curri në një lidhje telefonike për Report tv tha se janë 12 fshatra të bllokuar me shumë prej të cilëve kanë humbur dhe komunikimin për shkak se është ndërprerë dhe energjia elektrike.

Ora 16:55
Reshjet e dendura të shiut, lumi Ishëm del nga shtrati në fshatin Murqinë të Krujës

 

Fryrja e madhe e lumit Ishëm ka bërë që ai të dalë nga shtrati në fshatin Murqinë të Krujës duke përmbytur dhjetëra hektarë tokë.

Siç e paralajmëruam paraditen e sotme reshjet që vijojnë tashmë prej 24 orëësh kanë bërë që niveli i lumit Ishëm të ngrihet ndjeshëm e të dalë nga shtrati në disa pika. Një ndër to më problematikja në fshatin Muqrqinë ku është përmbytur dhe rruga e lagjes së këtij fshati e cila aktualisht është e kalueshme vetëm me mjete te larta. Gjithashtu prezencë uji ka edhe nëpër ara.
 

Ora 16:47
Borë në rrugë, bllokohet qarkullimi në aksin Prrenjas-Qafë Thanë, ka trafik të rënduar

 

Qarku i Korçës mbetet një nga zonat më të mpira të Shqipërisë për shkak të motit të keq.

Si pasojë e reshjeve të dendura të dëborës raportohet se një trafik kilometrik është krijuar në aksin Prrennjas-Qafë Thanë.

Po ashtu, mësohet se Policia Rrugore ndodhet ne terren për menaxhimin e situatës.

 

Ora 16:43
Moti i keq, ja si paraqitet situata në të gjithë vendin: Nga akset rrugore, te furnizimi me ujë të pijshëm dhe energji elektrike

1705765641_motiikeq.jpg

Vendi ynë, prej mbrëmjës së djeshme, është përfshirë nga moti i keq me reshje të dendura shiu dhe dëbore, shoqëruar edhe me erëra të forta. Ministria eInfrastrukturës dhe Energjisë ka bërë një përditësim sesi paraqitet situata në të gjithë vendin.

AKSET RRUGORE

Intensiteti i lartë i reshjve të dëborës ka krijuar vështirësi në disa prej akseve rrugore. Në Rrugën e Arbrit po punojnë 5 borëpastruese. Në pjesën e bypass-it të Murrizit rekomandohet përdorimi i zinxhirëve për shkak të vështirësive në qarkullim. Edhe në rrugën e Kombit, pavarësisht reshjeve të dëborës, vijon qarkullimi i automjeteve. Në segmented Peshkopi-Maqellarë dhe Ulëz-Burrel vazhdojnë reshjet e dëborës. Mjetet borëpastruese po punojnë pa ndërprerje dhe segmentet janë të hapura. Në akset Vau Dejës-Pukë-Kukës, Ura e Çerenecit-Bulqizë ka reshje të shumta dëbore. Po punohet me 4 borëpastruese. Qarkullimi kryhet me vështirësi dhe me kujdes, veçanërisht në segmentin Fierzë-Qafë Shllak pasi era e fortë përhap dëborën nga bankina në rrugë. Edhe në akset Qafë Plloçë-Maliq, Zëmblak-Dogana Goricë, Korçë-Ersekë, Korçë-Dogana Kapshticë kanë nisur reshjet e dëborës me intensitet, po punohet me borëpastruese për pastrimin e tyre. Qarkullimi vijon normalisht. Rekomandohet përdorimi i gomave dimërore dhe pajisja me zinxhirë në të gjitha zonat ku janë regjistruar reshje dëbore.

FURNZIMI ME ENERGJI ELEKTRIKE

Mbi 1500 punonjës janë angazhuar në terren në të gjithë vendin nga ana e OSSH për menaxhimin e situatës dhe ndërhyrjen në një kohë sa më të shpejtë për çdo problematikë. Prioritet mbetet furnizimi me energji elektrike i objekteve të rëndësisë së veçantë. Si pasojë e motit janë 37 fidera jashtë pune. Situata më e rënduar me defekte konstatohet në rajonin e Burrelit, Shkodrës dhe Kukësit, ku stakimi i energjisë ka ardhur si pasojë e këputjes së përcjellësave, thyerjes së izolatorëve apo dëmtimi i kabllove. Defektet më së shumti janë evidentuar në zonat e thella rurale ku linjat janë ajrore. Me gjithë vështirësitë e motit po vijon puna për riparimin e tyre. Gjithashtu, ka pësuar defekt edhe një prej fiderave të nënstacionit Lezhë, i cili furnizon me energji elektrike Hidrovorin Gocaj dhe Fideri 7 N/St Lezhë që furnizon me energji elektrike hidrovorin Grykëzezë. Të gjitha linjat 35Kv, si dhe fiderat e tjerë dalës 20/10/6 KV që furnizojnë hidrovorët janë në skemë normale të furnizimit me energji elektrike. Prej mëngjesit të sotëm, si pasojë e erës së fortë, janë stakuar linja 400 kV Tirana 2 - Podgoricë dhe Tirana 2-Koman, pa ndikim tek konsumatorët. Situata në kaskadën e Drinit paraqitet normale.

FURNIZIMI ME UJË TË PIJSHËM

Situata e furnizimit me ujë paraqitet normale dhe pa problematika. Edhe impiantet e përpunimit të ujërave të ndotura janë në funksion të plotë dhe nuk janë raportuar problematika. Të gjitha ekipet e shoqërive rajonale UK janë në gatishmëri.

PORTET DHE AEROPORTET

Në Portin e Durrësit situata oparaqitet normale. Tragetet kanë mbërritur në kohë dhe në terminalet portuale vijon pa ndërprerje përpunimi i mallrave. Edhe në Portin e Vlorës nuk raportohen problematika. Lëvizja e tragetit ka vijuar sipas orarit të parashikuar. Aeroporti ndërkombëtar “Nënë Tereza” ka vijuar punën normalisht pa vonesa apo anulime. Edhe në aeroportin ndërkombëtar të Kukësit nuk janë evidentuar problematika.

Ora 16:36
Dibër/ Rruga e Arbrit dhe bypassi Qafë-Murrizë të bllokuara! Policia tregon akset e kalueshme vetëm me zinxhirë

1705765126_yohyo.hiohy.JPG

Policia Rrugore e Dibrës ka njoftuar se për shkak të reshjeve të vazhdueshme të dëborës rruga e Arbrit pjesa e aksit të bypassit Qafë-Murrizë mbeten të paaksesueshme. 

Po ashtu, raportohet se lëvizja e automjeteve drejt Tiranës dhe anasjelltas, vijon të kryhet nga aksi i vjetër rrugor.  

Ndër të tjera, blutë bëjnë me dije se akset rrugore Peshkopi-Maqellarë- Bulqizë dhe Peshkopi-Kala e Dodës -Kukës janë të kalueshme dhe lëvizja e mjeteve kryhet vetëm me zinxhirë.

“Aktualisht rruga e Arbrit pjesa e aksit të bypass Qafë Murrizë për shkak se vijojnë të bien reshje të dendura  dëbore,  vijon të jetë i bllokuar dhe lëvizja e automjeteve drejt Tiranës dhe anasjelltas, vijon të kryhet nga aksi i vjetër rrugor.  

Akset rrugore Peshkopi-Maqellarë- Bulqizë; Peshkopi-Kala e Dodës -Kukës; janë të kalueshme dhe lëvizja e mjeteve kryhet vetëm me zinxhirë”,- njofton policia.

Policia e Dibrës apelon për drejtuesit e mjeteve që të bëjnë kujdes në lëvizje, të respektojnë sinjalistikën rrugore, të reduktojnë shpejtësinë, të mos qarkullojnë pa goma dimërore e zinxhirë dhe të ndjekin udhëzimet e shërbimeve në terren.

Ora 16:22
Elbasan/ Era e fortë rrëzon pemën, bie mbi një kioskë (VIDEO)

 

Moti i keq ka sjellë probleme në të gjithë vendin. Era e fortë ka rrëzuar një pemë e cila ka rënë mbi një kioskë në afërsi të fakultetit Ekonomik në Elbasan.

 

Ora 16:04
VIDEO/ Përmbyset borëpastruesja në Rrugën e Kombit

 

Moti i keq po sjell probleme edhe për borëpastrueset të cilat janë vënë në punë për të hapur rrugët nga dëbora.

Një mjet borëpastrues u përmbys gjatë punës në rrugën e Kombit në afërsi të tunelit të Kalimashit.

Drejtuesi i mjetit fatmirësisht nuk mori lëndime, ndërsa u desh ndërhyrja e mjeteve të tjera të rëndë për largimin e borëpastrueses nga rruga.

Aktualisht rruga e kombit nga Miloti në Morinë është e kalueshme, por në disa vende kërkohet qe drejtuesit e mjeteve të bëjnë kujdes për shkak të prezencës së dëborës.

Ora 15:57
Dëbora bllokon rrugët në qarkun e Korçës, kompanitë kontraktore dhe bashkitë në terren për pastrimin e tyre! Probleme me energjinë elektrike

1705747512_korce.PNG

Për shkak të reshjeve intensive të dëborës që kanë përfshirë të gjithë qarkun e Korçës, raportohet se për mirëmbajtjen e rrugëve, në terren janë janë 21 borëpastruese, 8 fadroma, 11 kamionçina  dhe 7 kamiona, të cilat po operojnë kryesisht në akset Qafë Thanë- Pogradec- Korçë-Kapshticë, Korçë-Ersekë, Leskovik-Çarshovë, Korçë-Voskopojë, Boboshticë-Dardhë, K/Zëmblak-Doganë- Goricë, Maliq-Lozhan-Moglicë, Podgorie-K/Zvezdë dhe Bilisht-Miras.

Po ashtu, mësohet se nga bashkitë po punohet për rrugët dytësore, lidhëse dhe qendrat e qyteteve.

Ndërsa në Njësitë Administrative të Pogradecit si Dardhas, të gjitha akset janë të kalueshme vetëm me zinxhirë. Në njësinë administrative Proptisht ka probleme të vazhdueshme me energjinë, ndërsa akset janë të kalueshme me zinxhirë. Njësia Administrative Trebinjë raportohet të jetë e bllokuar dhe e pamundur për automjetet.

Ora 15:27
Shefi i Rrugores në qarkun e Korçës tregon akset më të rrezikshme: Përdorni gomat dimërore dhe zinxhirët, evitoni daljet e panevojshme

 

 

Shefi i Qarkullimit Rrugor në qarkun e Korçës, Kreshnik Skëndo, duke marrë shkas nga moti i ashpër i cili ka përfshirë këtë qark, u ka bërë thirrje drejtuesve të mjeteve të përdorin gomat dimërore dhe zinxhirët si një masë e domosdoshme.

Ndër të tjera, Skëndo u bëri thirrje qytetarëve që të evitojnë daljet e panevojshme nga shtëpitë, pasi moti ekstrem përbën rrezikshmëri për sigurinë e tyre.

Ai tha se akset më problematike të momentin janë Qafë-Thana, Qafë-Plloça, Qafë-Qari por edhe atraksionet turistike si Dardha dhe Voskopoja.

“Gjithë qarku i Korçës është përfshirë nga reshje me intensitet të lartë dëbore dhe për fatin e mirë deri në këto momente nuk kemi pasur dëme, kemi pasur aksidente të vogla me dëme materiale.

Dua t’u bëj një thirrje drejtuesve të mjeteve që të përdorin gomat dimërore, të përdorin zinxhirët për të udhëtuar, të ecin ngadalë, të jenë shumë të kujdesshëm, të evitojnë lëvizjet jo të domosdoshme në këtë mot të keq dhe të mos përdorin celularin e aq më tepër pije alkoolike.

Akset më të rrezikshme janë Qafë-Thana, Qafë-Plloça, Qafë-Qari. Të tjerat paraqesin një rrezikshmëri pak më të ulët por jo e nuk janë të rrezikshme.

Firmat kontraktore janë të gjitha në punë. Deri në këto momente kanë kryer me sukses detyrën e tyre. Vazhdojnë të qarkullojnë mjetet dhe nuk ka pasur bllokime në asnjë aks rrugor të qarkut të Korçës. Duhet të përmend edhe Dardhën dhe Voskopojën, ku ka pushues që e frekuentojnë, duhet të kalojnë me zinxhirë dhe goma dimërore.

I gjithë sektori i Policisë Rrugorë në këto momente që ne flasim është 100% në punë dhe do të rrijë me orare të zgjatura deri në tejkalimin e kësaj situate me mot të keq”,- është shprehur Skëndo.

Ora 15:20
Fushë Arrëzi në gjendje të jashtëzakonshme, Kryebashkiaku për Report TV: 12 fshatra totalisht të bllokuar, s'kemi as komunikim! Mjetet e pastrimit ngecin në borë

Fushë Arrëzi ka shpallur gjendjen e jashtëzakonshme për shkak të reshjeve të denduara të borës. Kryetari i bashkisë Hil Curri në një lidhje telefonike për Report tv tha se janë 12 fshatra të bllokuar me shumë prej të cilëve kanë humbur dhe komunikimin për shkak se është ndërprerë dhe energjia elektrike. E pamundur ka qenë dhe ndërhyrja me borëpastruese të cilat janë bllokuar në dëborë, për shkak të trashësisë së saj.     

“Gjendja shumë e rëndë. Të gjitha akset e bllokuara përveç kryesorreve që lëvizin me zinxhir. Trashëmsia deri në 51 cm. Energjia elektrike është ndërprerë në çdo fshat hde nuk e kemi të mundur lidhjen as me anë telefonike dhe as tokësore. Shtabi i emergjencës është i shpërndarë. Është e pamundshme lidhja me fshatrat dhe njësitë administrative."

Janë 3000 banorë të bllokuar, 12 fshatra. Fshatrat Iballë, Berishë e Madhe, Galisht… . Deri në qendër të Iballës kemi munduar të çojmë mjete borëpastruese por kanë mbetur në rrugë. Në Fierzë janë dhe pesë fshatra të tjera të bllokuara. Mjetet e pastrimit në Iballë janë bllokuar nga reshjet e borës. E pamundur dhe lidhja me fshatrat me anë të telefonit. Ndërhyrja me helikopter është e pamundur. Situata është tejet e jashtëzakonshme. Në dhjetë vitet e fundit ky vit është më i vështirë për bashkinë e Fushë Arrëzit. Vështirësia bëhet çdo orë e më shumë më problematike.  Kemi kërkuar pjesën e ndihmës me anë të mjeteve dhe pastaj për ti furnizuar me ushqime disa fshatra.”

Me dhjetëra banorë janë në izolim! Rrugët rurale janë të bllokuara si dhe energjia elektrike është ndërprerë në të gjithë territorin e bashkisë.

“Me një pjesë të fshatrave është shumë e vështirë sepse ka 24 orë që është ndërprere energjia elektrike dhe është e pamundur komunikimi, ata nuk kanë me çfarë të komunikojnë. Mungon edhe energjia elektrike në ata fshatra. Janë shumë të pakta informacionet. Çdo minutë e më shumë janë duke u pakësuar informacionet për fshatrat e bllokuara. Lutem për qytetarët e mi", tha Curri

Kryetari i Bashkisë shprehet se po koordinojmë punen me Emergjencat Civile Kombetare për të përballuar situatën kritike që duket se sa vjen dhe po vështirësohet.

“Jam në pritje i kam kërkuar shtabit të përgjithshëm të emergjencës cvile të më pajisë me mjete. Deri tani nuk kemi asnjë konfirmim. Situata është shumë e vështirë por me shpresë që do ia dalim. Ndërprerja e energjisë dhe bllokimi i rrugëve të dyja përnjëherë e kanë bërë të vështirë qarkullojnë”.

 Ndërsa akset nacionale që lidhin Fushë-Arrëzin me Pukën dhe në Mirditën janë të kalueshme me vështirësi, vetem me zinxhirë.

Ora 14:48
Punonjësit e OSHEE, Lezhë sfidojnë kushtet atmosferike, në terren për riparimin e defekteve

 

Moti i keq me stuhi të fortë ka shkaktuar dëme të shumta edhe në rrjetin elektrike, kryesisht ne zonat rurale të Lezhës.

Prej orëve të para të mëngjesit të kësaj të shtunë punonjësit e Njësisë së OSHEE në Lezhë ndodhen në terren, duke sfiduar kushtet atmosferike për riparimin e defekteve te shkaktuara ne rrjet dhe rikthimin e energjisë në zonat ku mungon.

Ora 14:03
Reshjet e dendura të dëborës, bashkia e Fushë-Arrëzit shpall gjendjen e jashtëzakonshme

Bashkia Fushë-Arrëz ka shpallur gjendjen e jashtëzakonshme për shkak të reshjeve të dendura të borës, njofton kryetari i bashkisë Hil Curri.

Ekipi i Emergjencave Civile të bashkisë, nënvizon me tej ai, po punon me të gjithë sektorët për përballimin e situatës.

Kryetari i bashkisë Hil Curri njofton se do të do të bej të pamundurën për të ju gjendur pranë banoreve me të gjithëve Njësitë Administrative, Iballe, Blerim, Fierze, Qafë-Mali.

‘Po koordinojmë punën me Emergjencat Civile Kombëtare për të përballuar situatën.’- njofton kryetari i bashkisë.

 

 

Ora 13:47
Trashësia e dëborës arrin deri në 50 cm, ARRSH njoftim për gjendjen e rrugëve: Ka prezencë të orteqeve

1705740664_puke.jpg

Autoriteti Rrugor Shqiptar dale më një njoftim në lidhje me gjendjen e rrugëve në vend për shkak të motit të keq.

Kështu sipas ARRSH në aksin malor Vaudejes-Pukë-Kukës, Ura e Çerenecit-Bulqizë ka reshje të shumta dëbore, ku në Qafë Mali arrijnë deri në trashësi 40-50cm.

‘Në terren po punohet me 4 borëpastruese, qarkullimi kryhet me vështirësi dhe me kujdes, sidomos në segmentin Fierzë-Qafë Shllak pasi ka erë të fortë që e përhap borën nga bankina në rrugë, duke sjellë edhe prezencë të orteqeve, çka vështirëson punën e borëpastrueseve

Rekomandohet përdorimi i zinxhirëve si dhe shmangia e këtyre akseve nga drejtuesit e mjeteve deri në qetësimin e situatës.’-njofton ARRSH.

 

Ora 13:01
Shefi i Qarkullimit Rrugor në Lezhës: Kamionët me tenda të qarkullojnë me ngarkesa pasi era është e fortë

 

Shefi i Qarkullimit Rrugor në Lezhë, Valmir Nikolli tha se forcat e policisë janë në terren, ndërsa shtoi se akset janë të gjitha të kalueshme por duhet pasur kujdes. Nikolli vuri theksin tek shoferët e kamionëve, për të cilët tha se nuk duhet të qarkullojnë pa ngarkesa pasi rrezikojnë nga era.

'Kushtet janë tepër të vështira për përdoruesit e rrugës. Akset janë të gjitha të kalueshme. Policia është në terren. Një problematike janë kamionët me tenda. Kamionët me tenda duhet të qarkullojnë me tenda të hapura ose nëse kanë ngarkesa mund të qarkullojnë, pasi era është shumë e fortë. Siç e patë në urën e Milotit është anuar një kamion, por fatmirësisht pa dëm enë njerëz.'- tha Nikolli.

Ora 11:59
VIDEO/Stuhi të forta ere, rrëzohet kamioni në urën e Milotit! Krijohet trafik

 

Qarku i Lezhës është përfshirë nga stuhi të fora dëbore. Në urën e Milotit për shkak të erës së fortë është rrezuar një kamion. Ndërkohë është krijuar edhe trafik i rënduar.

Ora 11:56
Mori i keq në qarkun e Kukësit, Policia: Akset rrugore në Topojan, Zapod, Grykë Çaj dhe Arren të bllokuara

Policia e Shtetit ka dhënë informacion në lidhje me situatën nga moti i keq në qarkun e Kukësit. Policia bën me dije se në njësit administrative Topojan, Zapod, Grykë Çaj dhe Arren, janë të bllokuara.

Akset e tjera rrugore janë të kalueshme me paisje dimërore.

‘Për shkak të rënies së reshjeve të dëborës, Drejtoria Vendore e Policisë Kukës ka rritur prezencën e shërbimeve policore në akset rrugore urbane e rurale, për t’ju ardhur në ndihmë dhe këshilluar drejtuesit e mjeteve.

Njëkohësisht po bashkëpunohet me pushtetin vendor dhe firmat kontraktuese për mirëmbatjen e rrugëve, si dhe me Njësinë Rrugore për Sigurinë e Autostradës Milot-Morinë, për të bërë të mundur rritjen e sigurisë në rrugë dhe pastrimin e rrugës nga dëbora.

Akset rrugore në njësit administrative Topojan, Zapod, Grykë Çaj dhe Arren, janë të bllokuara.

Akset e tjera rrugore janë të kalueshme me paisje dimërore.

DVP Kukës apelon për të gjithë drejtuesit e automjeteve të bëjnë kujdes të madh, të reduktojnë shpejtësinë, të përdorin pajisjet dimërore dhe të respektojnë rregullat e qarkullimit rrugor.’- njofton policia.

 

Ora 11:38
​​​​​​​Shi dhe borë në qarkun e Lezhës! Mungesë energjia dhe vështirësi lëvizje ne disa zone në Mirditë! Pezullohet lundrimi për mjetet e peshkimit

 

Moti i keq me reshje shiu dhe dëbore ka përfshire dhe Qarkun e Lezhës. Sipas të dhënave zyrtare të Mbrojtjes Civile prej mbrëmjes të së premtes zonat fushore në Bashkitë Lezhë dhe Kurbin janë përfshire nga reshjet e shiut me itensitet të lartë dhe mesatar, por fatmirësisht pa krijuar probleme. Ndërsa territori i Bashkisë Mirditë është përfshire nga reshjet e dëborës, trashësia e së cilës arrin nga 5 deri në 25 cm në varësi të zonave.

Prezenca e dëborës ka krijuar vështirësi në lëvizjen e automjeteve në rrugën e kombit segmenti Fan-Tuneli i Thirrës si dhe në rrugët e brendshme të fshatrave të Njësive Administrative Fan, Orosh dhe Selitë. Po ashtu raportohet për mungesë të energjisë elektrike, në fshatrat Prosek, Trojez dhe Perlat Qender si dhe në Njësinë Administrative Rrëshen, fshati Gziq.

Moti i keq me ere të fortë ka sjellë probleme edhe në lundrimin detar në Shëngjin. Kapiteneria e Portit ka urdhëruar ndalimin e lundrimit të mjeteve të peshkimit, pasi dallgëzimi arrin deri në 5 ballë. Ky vendim do të jetë në fuqi deri në përmirësimin e kushteve atmosferike, ndërsa e gjitha situata e motit në tërësi po mbahen nën monitorim të vazhdueshëm nga sektori i Mbrojtjes Civile në të tre Bashkitë e Qarkut Lezhë.

Ora 11:24
VIDEO/Stuhi të forta në Dibër, gazetari i Report Tv mbulohet nga dëbora në Qafë-Murrizë

 

Qarku i Dibrës është përfshirë nga reshje dhe stuhi të forta dëbore.

Gazetari i Report Tv, Mahir Jangulli, i cili ka dalë në terren në bypassin e Qafë-Murrizës, aks i cili është bllokuar si pasojë e dëborës e kishte të pamundur që të raportonte, për shkak të stuhisë së fortë së borës.

Ora 11:14
Reshjet e dëborës, bllokohet aksi rrugor Bogë-Qafë Thore! Dhe rruga Fushë Arrëz- Iballë e bllokuar

 

Qarku i Shkodrës është përfshirë nga reshje të dendura dëbore duke krijuar vështirësi në qarkullimin e mjeteve.

Si pasojë, aksi rrugor Bogë-Qafë Thore, është bllokuar. Borëpastrueset po punojnë për hapjen e këtij aksit.

Aksi rrugor Kir-Mali I Shoshit i kalueshëm me zinxhirë.

Aksi rrugor Pukë – Fushë Arrëz i kalueshëm me zinxhirë.

Aksi rrugor Fushë Arrëz- Iballë është i bllokuar.

Fushë Arrëz – Qafë Mali – Fierzë- lëvizja e mjeteve kryhet me zinxhirë.

Borëpastrueset janë në terren për pastrimin e të gjitha akseve rrugore.

‘Shërbimet e Policisë Rrugore ndodhen të gjitha në terren dhe apelon për drejtuesit e mjeteve që të mos qarkullojnë pa goma dimërore, pa mjete antirrëshqitëse,  të tregojnë kujdes të shtuar në drejtimin e mjetit pasi ka prezencë akulli dhe të mos bëjnë manovra të rrezikshme në rrugë. Në rast nevoje për ndihmë, telefononi në numrin 112.’- njofton policia.

Ora 10:49
Bllokohet bypass i Qafë Murrizës! Lëvizja e mjeteve në drejtim të Tiranës do kryhet nga aksi i vjetër

Policia bën me dije se për shkak të motit të keq është bllokuar bypass Qafë Murrizë. Borëpastrueset po punojnë për hapjen e aksit dhe lëvizja e mjeteve në drejtim të Tiranës do të kryhet nga aksi i vjetër Klos-Burrel-Shkopet.

‘Qarku i Dibrës është përfshirë nga reshje të dendura dëbore duke krijuar vështirësi në qarkullimin e mjeteve.

Si pasojë, aksi rrugor bypass Qafë Murrizë, është bllokuar. Borëpastrueset po punojnë për hapjen e aksit dhe lëvizja e mjeteve në drejtim të Tiranës do të kryhet nga aksi i vjetër Klos-Burrel-Shkopet.

Aksi rrugor Peshkopi-Maqellarë- Bulqizë i kalueshëm me zinxhirë. Peshkopi-Kala e Dodës - Kukës lëvizja e mjeteve kryhet me zinxhirë.

Borëpastrueset janë në terren për pastrimin e të gjitha akseve rrugore.

Shërbimet e Policisë Rrugore ndodhen të gjitha në terren dhe apelon për drejtuesit e mjeteve që të mos qarkullojnë pa goma dimërore, pa mjete antirrëshqitëse,   të tregojnë kujdes të shtuar në drejtimin e mjetit pasi ka prezencë akulli dhe të mos bëjnë manovra të rrezikshme në rrugë.

Në rast nevoje për ndihmë, telefononi në numrin 112.’- njofton policia.

Ora 10:40
Moti i keq, policia e Shtetit: Jemi në gatishmëri në gjithë vendin për të ndihmuar drejtuesit e mjeteve e qytetarët

 

Policia e Shtetit bën me dije se për shkak të vështirësimit të qarkullimit të mjeteve, nga reshjet e shiut dhe të borës, ka kaluar në gatishmëri në të gjithë vendin, për t’iu ofruar ndihmë drejtuesve të mjeteve dhe qytetarëve.  

Sipas policisë janë ngritur grupe drejtimi për të koordinuar punën dhe për të menaxhuar informacionet që sigurohen nga të gjitha zonat e vendit.  Forcat Kombëtare të Sigurisë, së bashku me grupet e evakuim -shpëtimit dhe Policinë Alpine që janë pjesë e kësaj force, janë në gadishmëri për t’iu dhënë ndihmë qytetarëve, në rast nevoje. 

Policia e shtetit u ka bërë apel drejtuesve të mjeteve që të që të moderojnë shpejtësinë dhe të ruajnë distancën e sigurisë me mjetet e tjera në rrugë, të mos kryejnë parakalime të gabuara, të mos përdorin celularin gjatë drejtimit të automjetit dhe të vendosin rripin e sigurimit.

'Policia e Shtetit, për shkak të vështirësimit të qarkullimit të mjeteve, nga reshjet e shiut dhe të borës, ka kaluar në gatishmëri në të gjithë vendin, për t’iu ofruar ndihmë drejtuesve të mjeteve dhe qytetarëve.  Në DPPSH dhe në çdo Drejtori Vendore të Policisë, janë ngritur grupe drejtimi për të koordinuar punën dhe për të menaxhuar informacionet që sigurohen nga të gjitha zonat e vendit.  Forcat Kombëtare të Sigurisë, së bashku me grupet e evakuim -shpëtimit dhe Policinë Alpine që janë pjesë e kësaj force, janë në gadishmëri për t’iu dhënë ndihmë qytetarëve, në rast nevoje.  Inspektorët dhe specialistët e policimit në komunitet janë shpërndarë në zonat që mbulojnë dhe janë në kontakt të pandërprerë më përfaqësuesit e pushtetit vendor, emergjencat civile dhe kryetarët e fshatrave, me qëllim monitorimin e situatës dhe ndërhyrjen në kohë, në rast nevoje. Të gjithë punonjësit e Policisë Rrugore kanë dalë në terren, për të menaxhuar qarkullimin e mjeteve dhe për të ndihmuar drejtuesit e mjeteve që kanë kërkuar ndihmë duke telefonuar në 112. Për shkak të reshjeve të dendura të shiut dhe të borës në disa zona, në rrugët urbane dhe interurbane ka prezencë të shtuar të ujit dhe të borës, që krijon vështirësi në qarkullimn e mjeteve dhe të këmbësorëve. Firmat kontraktore për mirëmbajtjen dhe pastrim e rrugëve po punojnë intensivisht për të pastruar borën dhe inertet që bien si pasojë e reshjeve të shiut. 

Policia e Shtetit apelon për drejtuesit e mjeteve që të moderojnë shpejtësinë dhe të ruajnë distancën e sigurisë me mjetet e tjera në rrugë, të mos kryejnë parakalime të gabuara, të mos përdorin celularin gjatë drejtimit të automjetit dhe të vendosin rripin e sigurimit. Gjithashtu, Policia e Shtetit apelon për qytetarët që të mos qëndrojnë në vende të pasigurta, duke qenë se për shkak të reshjeve dhe erës, mund të rrëzohen pemë ose mund të bien sende të forta nga lartësitë. Policia e Shtetit është në gadishmëri të plotë dhe për çdo rast nevoje për ndihmë, drejtuesit e mjeteve dhe qytetarët të telefonojnë numrin pa pagesë 112.'- njofton policia.

Ora 10:27
Nisin reshjet e dëborës në Korçë e Pogradec

 

Edhe qarku i Korçës është përfshirë nga reshje dëbore. Sipas të dhënave vetëm në Qafë-Thanë dhe Qafë-Plloçë ka reshje dëbore me intensitet të ulët.

Në zona të tjera reshjet shiu, ndërsa në vazhdim parashikohet dëbore në të gjithë qarkun. Sa i përket energjisë elektrike aktualisht s’ka probleme.

Zona e Vlocishtit ka pasur probleme me energjinë ku 580 abonentë ishin pa energji por pas punës intensive energjia u rikthye.

Reshjet e dëborës kanë nisur edhe në qytetin e Pogradecit.

Ora 10:17
Moti i keq në vend, ARRSH: Drejtuesit e mjeteve të pajisen me goma dimërore dhe zinxhirë! Qarkullimi vijon pa probleme

Autoriteti Rrugor Shqiptar ka reaguar në lidhje me situatën nga moti i keq në vend. ARRSH u bën apel drejtuesve të mjeteve të pajisen me goma dimërore dhe zinxhirë.

‘Reshje shiu me intensitet mesatar kanë përshkuar vendin duke sjellë rënie gurësh e materialesh si në Skuraj-Burrel, të cilat janë pastruar menjëherë nga grupet e punës duke mos lejuar të krijohet vështirësi në qarkullim.

Në zonën veriore ka pasur reshje dëbore me intensitet dhe erë si në Ura e Zapodit-Shishtavec në Tamarë-Vermosh, në Qafë Thore-Bogë, Klos, Peshkopi, Bajram Curri-Fierzë, në Tropojë

Në mëngjes edhe në Qafë Thanë kanë filluar reshjet e dëborës me intensitet mesatar

Mjetet borëpastruse dhe punëtorët e mirëmbajtjes kanë qenë në terren pa ndërprerje

Rrugët janë të pastruara nga dëbora dhe qarkullimi vijon pa probleme

Drejtuesit e mjeteve të pajisen me goma dimërore dhe zinxhirë kur udhëtojnë për në segmentet me prezencë dëbore, të ulin shpejtësinë, të respektojnë sinjalistikën dhe udhëzimet e Policisë Rrugore.’- njofton ARRSH.

Ora 09:57
Nuk përdorën zinxhirët, bllokohen disa makina në segmentin Ura e Vashës në rrugën e Arbrit

 

Rreth 10 makina janë bllokuar për shkak të mospërdorimit të zinxhirëve në Planin e Bardhës, segment i rrugës Ura e Vashës-Qafa e Buallit, në rrugën e Arbrit. Pritet ndërhyrja e borëpastrueseve dhepër hapjen e qarkullimit.

Ora 09:24
Dëborë në Rrugën e Kombit, segmenti i qarkullueshëm normalisht

Moti i keq me reshje dëbore ka përfshirë Bashkinë Mirditë, trashësia e së cilës arrin nga 5 deri në 25 cm në fshatrat Fan, Selite dhe Orosh.

Rrugët rurale janë të bllokuara dhe ka ndërprerje të energjisë elektrike.

Prezenca e dëborës ka krijuar vështirësi në lëvizjen e automjeteve në Rrugën e Kombit, përkatësisht segmenti Fan-Tuneli i Kalimashit.

Ora 09:23
Zonat malore në qarkun e Shkodrës përfshihen nga dëbora, borëpastrueset në terren për mbajtjen hapur të rrugës

 

Edhe qarku i Shkodrës është përshirë nga reshje dëbore. Në akset e Lotit 1 Hani i Hotit-Tamarë, Tamarë-Vermosh dhe Bogë-Theth gjatë natës ka patur dëbore që vazhdojnë edhe tani të shoqëruara me erë të fortë.

Borëpastrueset ndodhen në terren për pastrimin e rrugës dhe mbajtjen hapur të akseve kryesisht nga bora që sjell era.

Duhet treguar kujdes në qarkullim pasi pamja është e vështirësuar nga furtunat e erës dhe nga bora që ngre era.

Reshjet e dendura të bores kanë përfshirë edhe Pukën. Firma kontraktore po punon për të mbajtur të hapur rrugën. Këshillohet lëvizja me goma dimërore dhe në disa segmente me zinxhirë.

Ora 08:54
Reshje dëbore në qarkun e Kukësit, trashësia arrin deri në 30 cm

 

Po ashtu edhe territori i Kukësit gjatë gjithë natës dhe vazhdon të jetë i përfshirë nga reshje bore, ku lartësia e borës shkon deri në 15-30 cm.

Në qarkun e Kukësit, rrugët janë të qarkullueshme normalisht me goma dimërore. Po ashtu raportohet se disa zona janë pa energji elektrike.

‘I gjithë territori i Qarkut Kukës gjatë gjithë natës dhe vazhdon të jetë i përfshirë nga reshje bore, ku lartësia e borës shkon deri në 15-30 cm.

Nga informacioni i marrë nga terreni rezulton se:

Rrugët nacionale janë të qarkullueshme normalisht me goma dimërore. Nga subjektet kontraktore ka vazhduar puna gjatë gjithë kohës për pastrimin, kriposjen dhe mbajtjen funksionale të tyre.

Nga bashkitë Kukës, Tropojë dhe  Has nuk kemi raportime për ndonjë problematikë.

Furnizohet me energji elektrike pjesërisht qyteti i Kukësit dhe Nj Adm Zapod.

Furnizohet normalisht qyteti Krumës dhe i B.Currit. E gjithë pjesa tjetër e Qarkut nuk furnizohet për momentin me energji elektrike. Furnizimi me ujë të pijshëm është normal.’- njofton prefektura.

M.Q./B.K/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    26 Dhjetor, 08:05

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Pesë pyetje për 2025-ën

Pesë pyetje për 2025-ën