Partia Socialiste ka ankimuar në gjykatën administrative dekretin e presidentit për zgjedhjet në Dibër.
 
Padia e cila bazohet në nenet 108 dhe 111 të Kodit të Procedurës Administrative kërkon shpalljen e pavlefshmërisë absolute dhe pezullimin e efektit të dekretit të Nishanit.
 
Sipas PS-së shpallja e datës së zgjedhjeve për Bashkinë e Dibrës para se vendimi i Gjykatës Kushtetuese të publikohet në Fletoren Zyrtare, shkel Kushtetutën dhe Kodin Zgjedhor gjithashtu.
 
Por duke qenë se bëhet fjalë për pushtet vendor, akti merr vlere administrative. Presidenti me dekretin e tij të 2 gushtit pretendohet se ka shkelur nenin 132, pika 2, të Kushtetutës dhe nenin 10 të kodit zgjedhor.
 
Presidenti përcaktoi 11 shatorin për zgjedhjet në Dibër pasi në 1 gusht Gjykata Kushtetuese e quajti të vlefshme procedurën e ndjekur nga qeveria për shkarkimin e Shukri Xhelilit.

Në një konferencë për shtyp dje, Nishani tha se dekreti nuk ka asnjë shkelje, pasi data e zgjedhjeve ishte përcaktuar nga vendimi i Gjykatës Kushtetuese.

Sipas tij, do të ishte shkelje e Kodit Zgjedhor pritja e botimit të vendimit në Fletoren Zyrtare. 

Redaksia Online
l.q/Shqiptarja.com