Partia Socialiste përmes një reagimi ka sqaruar se kandidati i aleancës së majtë për zgjedhjet në bashkinë e Dibrës do të zyrtarizohet në fillim të javës së ardhshme.
 
Selia rozë thekson se është në proces konsultimi të fundit me strukturat në Dibër, por edhe me aleatët e saj për emrin që do të vendosin përballë Sherefedin Shehut.
 
Deri tani sipas PS janë disa kandidatura të mundshme për kryetar bashkie, mes tyre edhe Drejtori i Tatimeve të Qarkut të Dibrës Dionis Ymeri.
 
Dje Partia Demokratike zyrtarizoi Sherefedin Shehun kandidat për bashkinë e Dibrës për zgjedhjet e 11 shtatorit.
 
Zgjedhjet në bashkinë e Dibrës zhvillohen për shkak të shkarkimit të Shukri Xhelili pas skandalit seksual pak muaj më parë, ku ish-kryebashkiaku i kërkonte favore seksuale një vajze 21-vjeçe për ta punësuar.
 
Shukri Xhelili e ankimoi vendimin e qeverisë për shkarkimin, por Gjykata Kushtetuese e rrëzoi, ndërsa aktualisht ish-kryebashkiaku ndodhet në burg.
 
Presidenti Nishani dekretoi datën 11 shtator për zhvillimin e zgjedhjeve në bashkinë e Dibrës.


d.b/shqiptarja.com