Dibranët e dashuruar me qiellin

Dibranët e dashuruar me qiellin
Në një ditë fundmuaji, si ajo e 29 marsit 1980, pista e aerodromit luftarak të Rinasit gumëzhinte nga gjallëria e njerëzve me uniforma dhe zhurma e avionëve reaktiv. Ditë e zakonshme fluturimesh, por mobilizimi dhe përgjegjësia për zbatimin me rigorozitet e përpikëri të çdo elementi në ecurinë pa ngjarje të tyre është si gjithmonë i lartë. Avionët reaktiv njëri pas tjetrit fluturonin drejt qiellit blu... e pasi kanë realizuar detyrat luftarake kthehen përsëri në bazë.

Ekuipazhi i avionit reaktiv dyvendësh luftarako-mësimor UTIMig-17 me Nr. Anësor 8-34 del në start dhe kërkon leje për nisje e fluturimit. Udhëheqësi i fluturimit lejon ngritjen. Avioni starton vrullshëm përpara e pas disa sekondash shkëputet nga pista. Rajoni i kryerjes së detyrës është në veri të  aerodromit dhe koha për realizimin e saj është rreth 30 minuta. Çdo gjë shkon mirë deri në orën 11:20 kur komandanti i ekuipazhit piloti Sabri Toçi raporton në radio se avioni ka rënë në pozicionin e tryelës vertikale. Avionët që ishin në fluturim kanë marrë urdhër për t’u kthyer në Bazë e po ulen një e nga një.

Çfarë ka ndodhur që nuk po çohen më avion të tjerë në fluturim. Shqetësimi sa vjen e rritet, zemrat rrahin me tjetër ritëm. Sekondat duken orë e pritja bëhet e padurueshme. Diçka jo e mirë duhet të ketë ndodhur, zemra e ndjen por goja nuk e shpreh. Ka ndodhur ajo që asnjeri nuk e dëshironte dhe nuk e priste, ka ndodhur ngjarje e rëndë ajrore si rezultat i së cilës gjetën vdekjen të dy pilotët dhe u shkatërua plotësisht avioni.

Ngjarja
Sipas një rregulli të përcaktuar, në zbatim të kërkesës së rregullores së fluturimit dhe planit të Komandës së Regjimentit, një ditë më parë, pra, në datë 28.03.1980 është zhvilluar përgatitja për fluturim për datën 29.03.1980. Për të zbatuar detyrën e dhënë të dy pilotët u përgatitën në mënyrë individuale, në skuadriljen dhe në Regjiment. Përgatitja e të dy pilotëve ka qenë e tillë që lejoheshin për të plotësuar detyrat të këtij niveli vështirësie në ajër.

Më datën 29.03.1980, sipas rregullave para fillimit të fluturimeve është kryer kontrolli i kohës, nga Zv/komandantit i Regjimentit për fluturim, cili do të kryente edhe detyrën e udhëheqësit të fluturimeve. Mbas kontrollit të kohës, gjendjes së aerodromit, gjendjes shëndetësore të efektivit fluturues dhe gatishmërisë së avionëve për fluturim, u mor vendimi për të filluar fluturimet duke e rritur lartësinë deri në 4000 metra, për shkak të shikimit të dobët në lartësi të vogël, por pa ndryshuar përmbajtjen e detyrës. Në orën 11:06 piloti Armando Gjoka dhe komandanti i skuadriljes piloti Sabri Toci, i cili do të mësonte dhe do të kontrollonte aftësitë e Armandos në pilotimin e avionit, pasi kontrolluan gjendjen e avionit, hipën në avion, ndezën motorin dhe kërkuan leje për tu ngritur në ajër. Pas marrjes së lartësisë së caktuar, por edhe të domosdoshme për kryerjen e detyrës, raportuan vendndodhjen e tyre dhe kërkuan leje për plotësimin e saj. Udhëheqësi i fluturimeve i lejoj plotësimin e detyrës.

Çdo gjë shkon në rregull deri në minutën e 14-të pas ngritjes kur piloti Sabri Toçi raporton me radio se avioni ju ka rënë në pozicionin e tryelës vertikale. Pas këtij raportimi, udhëheqësi i fluturimit i udhëzon me radio si të vepronin për ta nxjerr avionin nga kjo figurë e vështirë por nuk mori përgjigje. Ai i urdhëroi që të hidheshin me katapult por as ky veprim nuk u krye nga pilotët. Avioni nuk doli nga tyrjela vertikale dhe u përplas me tokën rreth 2 km në perëndim të qytetit të Laçit. Në këtë aksident të rëndë ajror gjeten vdekjen të dy pilotët dhe u shkatërrua plotësisht avioni. Ngjarje tepër e rëndë. Zemrat e pilotëve trima të Regjimentit të Rinasit u tronditën thellë, pikëllimi për humbjen e shokëve më të mirë ishte shumë i madh.

Cilët ishin pilotët që humbën jetën në këtë katastrofë ajrore.
Piloti Sabri Shefki Toçi i datëlindjes 12.10.1942 u lind në fshatin Cernez të Dibrës, ka mbaruar Shkollën e Aviacionit Vlorë në vitin 1966dhe është emëruar pilot në Regjimentin e Aviacionit Rinas në Tetor 1966. Nga prilli i vitit 1969 deri në Dhjetor 1970 ka kryer detyrën e instruktorit fluturues në Shkollën e Aviacionit duke përgatitur dy breza pilotësh. Në vitin 1971 u përzgjodh nga Komanda e Aviacionit dhe dërgohet për specializim në Kinë ku kreu kalimin në avionin MIG-19 dhe pas kthimit u emërua pilot në Regjimentin e Rinasit. Në këtë repart ka kryer detyra të ndryshme si Komandant Katërshe, ndihmës komandant regjimenti për teknikën e qitjet dhe në vitin 1977 u emërua Komandat Skuadrilje. Ka qenë pilot i klasit të dytë që në vitin 1974. Ka kryer me sukses gjithsej 1220 fluturime me kohën 727 orë e 25 minuta. Gjendja e tij shëndetësore ka qenë shumë e mirë. Gjatë fluturimeve ka pasur shumë besim në aftësitë e tij për të pilotuar avionin. Punonte me efektivin e skuadriljes pilot, teknik e mekanik për zbatimin e detyrave dhe kishte kërkesë të mirë llogarie.

Me vendimin Nr.228, datë 22.04.1996 të Këshillit të Ministrave është shpallur “Dëshmor i Atdheut”. Trupi i tij prehet në Varrezat e Dëshmorëve të Kombit në Tiranë
Piloti Armando Liman Gjoka i datëlindjes 01.04.1954 ka lindur në Tiranë, ka studiuar për pilotë në Shkollën e Lartë të Aviacionit Vlorë, të cilën e mbaroj në vitin 1976 dhe u emërua pilot në Regjimentin e Kuçovës. Mbas tre vitesh punë në këtë Regjiment, në Vitin 1979 filloj kalimin me avion MIG-19 në Regjimentin e Rinasit. Gjatë periudhës si pilot ka kryer gjithsej 768 fluturime në kohën 231 orë 17 min. Gjendja e tij shëndetësore ka qenë shumë mirë. Ka patur dëshirë për të fluturuar dhe bënte përpjekje për ngritjen e tij tekniko-profesionale.

Me vendimin Nr.228, datë 22.04.1996 të Këshillit të Ministrave është shpallur “Dëshmor i Atdheut”. Trupi i tij prehet në Varrezat e Dëshmorëve të Kombit në Tiranë
Sipas raportit të përgatitur nga Komisioni i ngritur nga Komanda e Aviacionit për të analizuar ngjarjen e rëndë ku humbën jetën pilotët, mbështetur në dokumentet dhe librat e shfrytëzimit rezulton se aeroplani me nr. anësor 8-34 që pilotohej nga këta pilotë në ditën e ngjarjes ka fluturuar nga fillimi i shfrytëzimit 62 orë 18 minuta, nga 600 orë që duhesh të kryente deri në riparimin e parë kapital. Motori kishte punuar 66 orë e 25 minuta nga 200 orë deri në riparimin e tij.
Të gjitha punimet e shërbimet në këtë aeroplan ishin kryer sipas kërkesave të instruksioneve. Përgatitja e aeroplanit për ditën e fluturimit ishte bërë e plotë, ishte kontrolluar nga tekniku i katërshes dhe është e dokumentuar në librat përkatës. Oksigjeni medicional me të cilin ishte furnizuar avioni i përgjigjej plotësisht normativës (99.7%), karburanti sipas pasaportës N.34 datë 28.03.1980, i përgjigjej standardit shtetëror, vaji MK-8 dhe lëngjet e tjera ishin sipas standardeve shtetërore.
 
Shpallja “Qytetar Nderi”
Pallati i kulturës në qytetit e Peshkopisë, ditën kur u zhvillua ceremonia e dhënies së titullit “Qytetar Nderi” për dy pilotët dëshmor, bij të kësaj treve të lavdishme shqiptare, qe mbushur plot. Familjarë të tyre, veteranë të Aviacionit, ushtarak të Forcës Ajrore, Pushtetar vendor, qindra banorë e nxënës shkollash kishin ardhur për të nderuar jetën, punën dhe sakrificën e tyre sublime. Trupa artistike e Estradës së Peshkopisë kishte përgatitur një program të veçantë për këtë rast. Këngëtari Ilir Shaqiri kishte ardhur nga Kosova për të përshëndetur këtë aktivitet. Kënga “Vaj” e kompozuar nga Përparim Tomçini, vëllai i dëshmorit të aviacionit Sefedin Tomçini, dhe e interpretuar me mjeshtëri nga Ilir Shaqiri krijoi në sallë emocione të fuqishme.

Kryetarët e komunave të vendlindjeve të Dëshmorëve u dorëzuan certifikatat “Qytetar Nderi” bashkëshorteve të tyre.
Mes emocioneve piloti dibran Bedri Kaloshi tha: Sot është dita të nderojmë me respekt kujtimin e dy pilotëve të  aviacionit “Dëshmorëve të Atdheut”, pa gjakun, sakrificat dhe shembullin e tyre Forcat Ajrore nuk do të ishin këto që janë dhe historia e tyre nuk do të ishte kaq dinjitoze dhe e lavdishme sa është.
Piloti veteran Allaman Isaku,i cili është piloti i parë dibran i aviacionit shqiptar, u shpreh: Ne, veteranët e aviacionit shqiptar kujtojnë e nderojnë me respekt shokët e vëllezërit tanë, ata që kontribuuan dhe sakrifikuan për krijimin e zhvillimin e armës së aviacionit, të cilët nuk kursyen as gjakun dhe jetën e tyre të re.

Një tjetër piloti dibran Florian Delia u shpreh: Ata janë krenaria dhe nderi i Aviacionit, simboli i mënyrës se si i duhet shërbyer atdheut, me një përkushtim që nuk merr parasysh as sakrificat sublime. Gjatë viteve të shërbimit të tyre në radhët e Aviacionit Shqiptar dëshmuan vlera të larta morale, përkushtim dhe devotshmëri ndaj detyrës.
Kryetari i shoqatës “Familjet e Dëshmorëve të Aviacionit” zoti Kujtim Serani u shpreh se: Ne, Familjarët e tyre jemi krenar që ATA kontribuuan dhe sakrifikuan për krijimin e zhvillimin e Aviacionit dhe nuk kursyen as gjakun e jetën e tyre për konsolidimin e kësaj arme. Ata janë krenaria dhe nderi i të gjithëve, simboli i mënyrës se si i duhet shërbyer atdheut. Marrja e këtij titulli të lart i bën të pavdekshëm Dëshmorët e Aviacionit në vendlindjet e tyre.

Në përvjetor të tjerë ne do të kujtojmë me respekt dhe mirënjohje të thellë shqiponjat dibrane të Aviacionit Luftarak që mbetën përjetësisht në qiellin e Shqipërisë. Ata do të mbeten figura të dashura e shumë  të  vlerësuara jo vetëm në radhët e Forcës Ajrore, por për gjithë popullin shqiptar.
 
* Major ® Shef i Sektorit të Aereologjisë në SHMU

Shkrimi u publikua sot (30.03.2014) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Si do e drejtojë Kuvendin Elisa Spiropali krahasuar me Lindita Nikollën?



×

Lajmi i fundit

Zjarr pranë ish-repartit ushtarak në Fier, dëgjohen shpërthime fishekësh (VIDEO)

Zjarr pranë ish-repartit ushtarak në Fier, dëgjohen shpërthime fishekësh (VIDEO)