TIRANË, 8 Janar/ATSH/- Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Artan Didi, i ka dërguar një letër ngushëllimi homologut francez, Jean-Marc Falcone, pas atentatit terrorist të ndodhur në zyrat e revistës "Charlie Hebdo" në Paris, Francë.
Në mesazhin e tij, Didi shpreh njëherazi edhe mbështetjen e tij dhe të Policisë shqiptare në luftën e përbashkët kundër krimit të organizuar në përgjithësi dhe terrorizmit në veçanti. "Ky akt i shëmtuar terrorist na detyron që të shtojmë akoma edhe më shumë përpjekjet dhe bashkëpunimin tonë në luftën e përbashkët ndaj terrorizmit, në mënyrë që të ndalojmë këtë fenomen global', shkruan Didi, në mesazhin drejtuar Falcones.
Ne emër të Policisë së shtetit shqiptar, si dhe në emrin tim personal, vijon Didi, më lejoni t'ju garantoj mbështetjen tonë maksimale në luftën e përbashkët kundër krimit të organizuar në përgjithësi dhe terrorizmit në veçanti. /a.gjonaj//m.m/











