Mali i Zi mbetet vendi kandidat më i avancuar për anëtarësim në BE, me perspektivën për t'u bërë anëtar në vitin 2028. Vendi ka mbyllur tashmë disa nga 33 kapitujt negociues dhe pritet të përfundojë edhe të tjerë në muajt e ardhshëm.
Ministri i Jashtëm kroat, Gordan Grliq Radman, deklaroi së fundmi se procesi po ecën "shumë shpejt”. Zagrebi ka përsëritur një sërë kërkesash ndaj Malit të Zi, duke argumentuar se ato do të ndihmojnë në përshpejtimin e procesit të integrimit. Megjithatë, në sfond mbetet kërcënimi i nënkuptuar për përdorimin e vetos.
Ndër kërkesat e Kroacisë janë kompensimi për ish-të burgosurit e kampeve malazeze gjatë luftërave të viteve 1990, sqarimi i fatit të kroatëve të zhdukur dhe ndjekja më efektive e të dyshuarve për krime lufte. Dy vendet vazhdojnë të kenë mosmarrëveshje edhe për kufirin detar, ndërsa Kroacia kërkon gjithashtu rreth 2.4 miliardë euro si kompensim për asetet e ish-Ushtrisë Popullore Jugosllave.
Disa nga këto kërkesa, veçanërisht ato që lidhen me zbardhjen e fatit të të zhdukurve dhe trajtimin e së kaluarës së luftës, konsiderohen të arsyeshme. Të tjera, si pretendimet për asetet ushtarake, mbeten të debatueshme. Lista e kërkesave lidhet edhe me politikën e brendshme kroate. Asnjë qeveri në Zagreb nuk dëshiron të perceptohet si e butë ndaj çështjeve që lidhen me Luftën e Kroacisë (1991-1995). Për më tepër, Kryeministri konservator i moderuar Andrej Plenkoviq mund ta përdorë këtë çështje për t'u paraqitur si mbrojtës i vendosur i interesave kombëtare.
Serbia: Kroacia nuk është pengesa e vetme
Serbi ka hapur negociatat e anëtarësimit që në vitin 2014, por përparimi ka qenë i kufizuar. Në korrik 2026, tetë shtete anëtare të BE-së, përfshirë Kroacinë, u shprehën kundër hapjes së kapitujve të rinj negociues.
Shqetësimet kryesore lidhen me gjendjen e demokracisë, sundimin e ligjit dhe korrupsionin. Nga ana tjetër, Kroacia vazhdon të ngrejë çështje të pazgjidhura nga periudha e luftës së viteve 1991-1995, si personat e zhdukur, krimet e luftës, të drejtat e pakicave dhe interpretimet historike. Marrëdhëniet mes dy vendeve mbeten të tensionuara edhe për shkak të retorikës nacionaliste./ DW







Komente
Komento