TIRANË- Mbarëvajtja e rendit dhe sigurisë para, gjatë dhe pas zgjedhjeve lokale të 21 Qershorit, ka bërë që Drejtuesit e Policisë së Shtetit t'i nënshtrohen një proçesi trajnimi me mbështetjen e OSBE-së.
Çelja e këtij procesit të trajnimit është shoqëruar dhe me një aktivitet në Akademinë e Sigurisë në Sauk, ku ishin të pranishëm Kreu i Policisë së Shtetit, Artan Didi, Kreu i Prezencës së OSBE-s në Tiranë, Ambasadori Florian Rauning, si dhe përfaqësues të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve...etj, të cilët i uruan punë të mbarë Drejtuesve të Policisë së Qarqeve në këtë proçes trajnimi.
Kryepolici Didi: Policia larg politikës, procesi zgjedhor në siguri të plotë
Kryepolici Artan Didi në fjalën e tij, theksoi se rendi dhe siguria në proçesin zgjedhor janë elementë thelbësor dhe për këtë policia duhet jetë sa më profesionale dhe e distancuar nga politika.
Sipas Didit, institucioni që ai drejton disponon të gjitha burimet njerëzore dhe materiale të nevojshme për të realizuar një proçes zgjedhor në kushte sigurie dhe rendi të plotë, teksa garantoi dhe bashkëpunim me institucionet e tjera që ngarkohen me ligj për mbarëvajtjene e zgjedhjeve. "Për të arritur objektivat e saj, Policia e Shtetit do të rrisë dhe forcojë bashkëpunimin me KQZ dhe institucionet zgjedhore edhe në bazë të shtrirjes territoriale. Efektivët e policisë do t'i përmbahen parimit se askush nuk mund të dalë mbi ligjin dhe të gjithë janë të barabartë para ligjit", u shpreh Didi.
Kryepolici Didi, gjithashtu vlerësoi si mjaft të rëndësishëm trajnimin, pasi do i japi mundësi drejtuesve të policisë së shtetit dhe efektivëve të njihen me modelet më të mira të policimit dhe të menaxhimit të zgjedhjeve. "Në këto trajnime do të jepet informacion i vlefshëm mbi rolin e Policisë së Shtetit, por edhe për mënyrën e garancisë dhe sigurisë së materialeve zgjedhore", tha ai.
Në fund Didi , ritheksoi angazhimin e Policisë në garantimin e votës së lirë dhe distanicimin e policisë nga çdo ngjyrosje politike. Drejtori i Policisë tha se "nga vota e lirë rrjedhin të gjitha pushtetet, ndaj e drejta e votës është e shenjtë. Ne duhet të jemi të nderuar që ligji na ngarkon për ruajtjen e kësaj të drejte", deklaroi Didi.
Kreu i OSBE-së, Rauning: Policët duhet të njohin detyrën e tyre gjatë zgjedhjeve
Kreu i Prezencës së OSBE-së në vendin tonë, Florian Rauning theksoi se Policia e Shtetit ka një rol mjaft të rëndësishëm për mbarvajtjene zgjedhjeve dhe njohja e rolit të gjithësecilit prej punonjësve të policisë, ndihmon në rritjen e efiçencës së punës së saj.
Raunig, e vlerësoi rolin e policisë në proceset e kaluara zgjedhore si tejet profesional, duke nënvizuar rëndësinë e vijimit në këtë drejtim. "Kjo është vetëm faza e parë e trajnimit. Puna që ju bëni është element thelbësor për të pasur zgjedhje të suksesshme. Kam besim se polica do të ndikojë paanshmërisht në këtë proces dhe do të punojë me profesionalizëm. OSBE do të jetë partner strategjik për të dhënë mbështetje të plotë", përfundoi diplomati i OSBE-së./ATSH//