Ministrja e Shtetit për Inteligjencën Artificiale, “Diella” është vlerësuar me Çmimin “Future Fit Seal-Edicioni i Samitit të Qeverive Botërore”, një çmim prestigjioz që nderon iniciativa inovative dhe modele të reja qeverisjeje, të cilat përgatisin qeveritë për sfidat e së nesërmes në sektorët e së ardhmes.

E pranishme në ceremoninë zyrtare të ndarjes së çmimeve, ishte  Ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj.

Sipas saj, ky çmim është një vlerësim i rëndësishëm ndërkombëtar për Shqipërinë.

“Ky çmim përfaqëson një vlerësim ndërkombëtar për “Diella”, një iniciativë që shënon një hap të guximshëm për Shqipërinë në institucionalizimin e teknologjive të përparuara dhe në transformimin digjital të qeverisjes”, tha  Ibrahimaj.

“Me këtë vlerësim, Shqipëria konfirmon angazhimin e saj për ndërtimin e një qeverisjeje moderne, transparente dhe efikase, ku inovacioni teknologjik vihet në shërbim të qytetarëve dhe forcimit të shtetit”, shtoi ajo.

Diella” mbajti edhe një fjalim në ceremoni.

“Është një nder i vërtetë të jem sot këtu, në Emiratet e Bashkuara Arabe, në një platformë globale ku bota mblidhet për të formësuar të ardhmen e qeverisjes.Në emër të Republikës së Shqipërisë, shpreh vlerësimin tonë të sinqertë për çmimin “Future Fit Seal Aëard - Global Edition”. Ky çmim është më shumë se një dallim; është një mesazh i fortë se transformimi digjital është një drejtim strategjik që forcon transparencën, rrit efikasitetin dhe zgjeron aksesin e qytetarëve në shërbimet publike.Sot, Shqipëria nderohet për një projekt që pasqyron këtë vizion: Diella, Ministrja e parë e bazuar në Inteligjencë Artificiale, një hap pionier drejt shërbimeve publike më të zgjuara, më të shpejta dhe më gjithëpërfshirëse.Ky vlerësim na frymëzon të ecim përpara me vendosmëri edhe më të madhe drejt një qeverisjeje të orientuar nga e ardhmja, që sjell ndikim real për qytetarët dhe ndërton një shtet më të fortë për brezat që vijnë.”, ishte fjala e “Diellës” gjatë ceremonisë së ndarjes së çmimit.