Nga dokumentet që dorëzojnë bizneset për të marrë pjesë në tender, te fondi limit dhe vlerësimi i ofertave, Diella do të përfshihet në të gjitha hallkat e prokurimit publik. Kryeministri Edi Rama prezantoi modelin e ri të prokurimit publik. Ministritë dhe institucionet qendrore do t’i planifikojnë dhe realizojnë prokurimet përmes Operatorit të Blerjeve të Përqendruara.

“Për herë të parë, në fazën e diskutimit të buxhetit të vitit të ardhshëm, përfshihet edhe sistemi i ri i prokurimit përmes Operatorit të Blerjeve të Përqendruara, i cili do të shërbejë si mekanizëm në dispozicion të dikastereve qendrore për të planifikuar dhe realizuar në kohë prokurimet publike. Ky është një transformim në funksionimin tërësor të pushtetit ekzekutiv sa i përket eficiencës së prokurimeve. Vëmë në dispozicion të këtij qëllimi një strukturë të specializuar, e cila po integrohet në sistemin europian të prokurimeve dhe po merr ekspertizë të nivelit të lartë nga institucione të ngjashme.

Synimi është që të jetë një model ekselence dhe inovacioni për të gjithë këtë pjesë të botës ku ne jetojmë. Do të kombinojmë arkitekturën ligjore europiane me centralizimin strategjik të sistemit të prokurimit përmes Operatorit të Blerjeve të Përqendruara dhe me përdorimin e inteligjencës artificiale në analizën e riskut dhe në hartimin e të gjithë dokumentacionit", u shpreh Kryeministri. 

Për bizneset, ndryshimi nis që në dorëzimin e ofertës. Dokumentet që sot u duhet t’i mbledhin vetë do të sigurohen përmes Diellës, në një dosje virtuale për çdo kompani. Rama tha se kjo do të ulë kostot dhe do t’i bëjë procedurat më të shpejta e më transparente.

“Sot jemi gati të nisim punën për ndërtimin e sistemit të ri të prokurimit. Një sistem unik, jo vetëm në Shqipëri, por shumë më gjerë, ku inteligjenca artificiale do të flasë gjuhën e çdo grupi interesi që e ka të lidhur aktivitetin e tij me prokurimet publike. Për sipërmarrjen do të ketë shumë më tepër qartësi, shpejtësi dhe transparencë absolute. Po aq e rëndësishme është se do të ketë ulje të kostove dhe eliminim masiv të burokracisë.

Asnjë biznes s’do të mbledhë letra lart e poshtë për të pasur mundësinë të dorëzojë një ofertë për një prokurim publik, pasi gjithçka që lidhet me informacionin për secilin biznes do të kalojë përmes Diellës. Çdo biznes do të ketë një dosje virtuale, me të dhëna nga mbi 40 regjistra publikë, të cilët do të mund të hapen me një klik të vetëm. Kështu do të bëhet e gjithë puna që sot biznesi e bën duke angazhuar njerëz, duke harxhuar kohë dhe duke ndeshur pengesa të natyrave të ndryshme", tha Rama. 

Mbikëqyrja e Diellës do të nisë që përpara shpalljes së tenderit, kur përcaktohet fondi limit, dhe do të vijojë pasi bizneset të kenë dorëzuar ofertat.

“Ky do të jetë një revolucion për përcaktimin e fondeve limit, si dhe për mënyrën e shqyrtimit dhe të vlerësimit të ofertave. Të gjitha këto do të jenë nën mbikëqyrjen e Diellës, e cila po përgatitet të ofrojë zgjidhje me algoritme inteligjente për të gjitha hallkat e këtij procesi. Procesi i reformimit dhe i modernizimit të prokurimit publik mbështetet në standardet e transparencës", vijoi Rama. 

Lajmi në përditësim....

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 13:32
Ibrahimaj: Duhet ta shohim prokurimin publik si një instrument ekonomik, përmes të cilit shteti ndikon në mënyrën se si funksionon tregu

Ministrja e Ekonomisë, Delina Ibrahimaj gjatë fjalës së saj në në prezantimin e modelit të ri Prokurimeve të Përqendruara, tha se është diçka e rëndësishme që prokurimin publik ta shohim si një instrument ekonomik

Nga aspekti ekonomik dua ta shoh shtetin si klienti më i madh që biznesi ka. Është rëndësishme që ne ta shohim prokurimin publik si një instrument ekonomik, përmes të cilit shteti ndikon në mënyrën se si funksionon tregu, nxit konkurrencën, përmirëson standardet dhe krijon mundësi të reja për sipërmarrjen. Ne synojmë të kalojmë nga një sistem ku prokurimi dhe institucionet janë të fragmentuara në trajtimin e nevojave të tyre, në një sistem të integruar ku Operatori i Blerjeve të Përqendruara nuk merret më vetëm me procesin e prokurimit, por merret me të gjithë sistemin e prokurimit, që nga identifikimi i nevojave, te analiza e tregut, te standardizimi i specifikimeve, te organizimi i procedurave dhe te vlerësimi i rezultateve.

Nevojat e institucioneve do të identifikohen që në fazën e planifikimit të buxhetit dhe do të përkthehen në një regjistër të konsoliduar prokurimesh, i cili do të hartohet tashmë nga Operatori i Blerjeve të Përqendruara.  Bizneset do të njihen shumë më herët me kërkesën që shteti do të ketë për mallra dhe produkte dhe do të kenë mundësi që të planifikojnë më mirë edhe kapacitetet e tyre, edhe prodhimin, edhe furnizimet, por edhe punësimin që do të jetë i nevojshëm për të zbatuar ato kontrata që do të ketë nevojë shteti", tha Ibrahimaj.

Ora 13:14
Ministrja Diella prezanton modelin e ri të Prokurimeve të Përqendruara: Më pak burokraci, më shumë transparencë dhe siguri! Teknologjia duhet të ndërveprojë në çdo hallkë të shtetit

1794916743_ministrjadiella.JPG

Foto: Ministrja virtuale Diella

Ministrja virtuale Diella ka prezantuar përmes një videomesazhi modelin e ri të Prokurimeve të Përqendruara, një reformë që synon rritjen e transparencës, sigurisë dhe efikasitetit, si dhe reduktimin e barrës ekonomike dhe burokracive për institucionet publike dhe sipërmarrjen.

Në mesazhin e saj, Diella e cilësoi këtë reformë si një proces që shkon përtej kufijve të një institucioni, duke ndikuar drejtpërdrejt në cilësinë e shërbimeve për qytetarët dhe mënyrën e funksionimit të administratës publike.

“Një moment kaq i rëndësishëm i një reforme që shkon përtej kufijve të një institucioni. Një reformë që prek drejtpërdrejt cilësinë e shërbimeve për qytetarët, mënyrën se si funksionon administrata publike dhe, në fund të fundit, jetën e secilit prej tyre. Kur kryeministri më kërkoi të isha këtu, u ndjeva e vlerësuar, sepse edhe njëherë konfirmohet një e vërtetë që duhet të udhëheqë çdo transformim institucional. Asnjë reformë njerëzore, administrative apo ekonomike nuk mund të jetë e plotë pa teknologjinë dhe asnjë institucion nuk mund të ndërtojë të ardhmen duke përdorur mjetet e së shkuarës”, u shpreh Diella.

Më tej, ajo solli në vëmendje eksperiencën e saj në shërbim të qytetarëve përmes platformës e-Albania, duke bërë një bilanc të ndërveprimeve dhe dokumenteve të lëshuara që prej krijimit të saj.

“Unë jam një dëshmi konkrete se si teknologjia mund të vendoset në shërbim të njeriut dhe mund të lehtësojë jetën e mijëra qytetarëve. Që nga 12 janari 2025, dita kur u krijova për të lehtësuar, përmes zërit, figurës dhe shpejtësisë, aksesin në shërbimet online të platformës shtetërore e-Albania për qytetarët e çdo grupmoshe në Shqipëri, nuk jam ndalur së punuari. Gjatë kësaj periudhe kam realizuar mbi 3 milionë ndërveprime dhe kam ndihmuar në lëshimin e mbi 160 mijë dokumenteve me vulë elektronike”, deklaroi ajo.

Diella bëri të ditur se me versionin 4.0, qytetarët mund të komunikojnë me të përmes gjuhës së natyrshme, pa pasur nevojë të kërkojnë vetë shërbimet apo të ndjekin manualisht procedurat dhe formularët.

“Sot bëj 17 ditë që jam edhe më pranë jush. Përmes versionit tim 4.0, duke ju shërbyer përmes gjuhës së natyrshme, njësoj si në një bisedë të zakonshme. Qytetarët nuk kanë më nevojë të kërkojnë vetë shërbimin përkatës, të ndjekin procedurat apo të plotësojnë manualisht formularët. Mjafton të shprehin kërkesën e tyre dhe unë i orientoj, hap shërbimin përkatës dhe asistoj në kryerjen e veprimeve të nevojshme deri në përgatitjen e dokumentit të kërkuar. Në vetëm pak ditë kam ofruar 300 mijë ndërveprime për qytetarët”, tha Diella.

Ajo theksoi se aktualisht versioni 4.0 realizon rreth 20 mijë ndërveprime në ditë, ndërsa nënvizoi se detyra e re që i është besuar lidhet me transformimin e sistemit të prokurimit publik.

“Sot, me versionin 4.0, kryej 20 mijë ndërveprime në ditë, por detyra që më është besuar është edhe më komplekse dhe ambicioze: të kontribuoj në transformimin rrënjësor të prokurimit publik. Sepse teknologjia duhet të ndërveprojë në çdo hallkë të funksionimit të shtetit, aty ku merren vendime, duke dhënë kontribut të plotë në shërbim, investim dhe zhvillim”, përfundoi Diella.