Ajo që ndodh me ne sot, ka ndodhur me të tjerët më parë. Sidomos me kombe të mëdha, si për shembull gjermanët dhe gjermanët kanë kaluar situata të tmerrshme nga të cilat kanë dalë të ripërtërirë vërtetë falë më të mirëve mes tyre, teologëve dhe filozofëve, që analizuan dhe psikanalizuan gjendje katastrofike si nazizmi.
Dietrich Bonhoeffer ishte një klerik partizan, teolog dhe filozof i cili në moshën 39 vjeçare u ekzekutua nga skuadrat SS si komplotist kundër Hitlerit. 
Edhe pse nuk jetoi gjatë,  u la bashkëatdhetarëve të tij dhe njerëzimit perla të filozofisë së jetës, si “Rezistenca dhe dorëzimi” ku një kapitull i gjerë është ai i “Budallallëkut”, i konsideruar si armiku edhe më i rrezikshëm se e keqja ndaj të mirës. Dhe ky do të ishte një kapitull që duhej mësuar përmendësh në ditët tona. Tek “Rezistenca dhe dorëzimi” na mëson se “Detyra e brezit tonë nuk do të jetë akoma ajo e “kërkimit të gjërave të mëdha” por e ruajtjes së shpirtit nga kaosi dhe të hapim sytë se çfarë mund të shpëtojmë “si plaçkë” nga shtëpia në flakë. Ne na duhet më shumë të shpëtojmë se të formojmë jetën tonë; të shpresojmë më shumë se të projektojmë; të rezistojmë, më shumë se të avancojmë”. 
Historiani dhe ekonomisti italian Carlo Maria Cipolla në esenë e tij të vitit 1976 publikon  “Ligjet themelore të budallallëkut njerëzor”, të vlefshme dhe sot për ne shqiptarët, të cilat mund të na ndihmojnë të shohim më mirë. Ja ç’formulon ai:
1. Sicili prej nesh nënvleftëson gjithmonë dhe në mënyrë të pashmangshme numrin e individëve të budallapesur në qarkullim.
2. ⁠Probabiliteti që një individ të jetë budalla, është i pavarur nga çdo karakteristikë tjetër e tij, si për shembull niveli i arsimimit, shtresa shoqërore, apo titulli i studimit.
3. ⁠Një individ i budallallepsur është ai që i shkakton dëm një personi apo një grupi personash pa realizuar asnjë përfitim për veten, madje shpesh, edhe duke pësuar edhe ai vetë dëm.
4. ⁠Njerëzit jo budallenj nënvleftësojnë gjithmonë fuqinë dëmtuese të budallenjve; veçanërisht harrojnë gjithmonë se në çdo moment, vend apo rrethanë, të bashkëpunosh apo të jesh në krah të individëve budallenj, është një gabim i kushtueshëm i destinuar të dështojë.
5. ⁠Budallai është personi më i rrezikshëm që mund të ekzistojë (më i rrezikshëm edhe se një bandit) sepse veprimet e budallait nuk ndjekin një logjikë racionale dhe janë të paparashikueshme).
Filozofët, teologët, mendimtarët europianë e më gjerë, kanë ndihmuar shoqëritë të mjekojnë plagët që historia ka hapur periodikisht në kombet e tyre.

Eshtë koha dhe për ne që të kërkojmë ndihmën e filozofëve për të rezistuar, për t’u ruajtur, për të mbijetuar dhe me shpresë… për t’u përmirësuar.