Diferencat kulturore, arsimore, gjendja ekonomike e sociale janë disa nga arsyet që veçon psikologia Mimoza Sylaj, për dhunën e përhapur në familjet shqiptare. Sipas Sylajt rritja e numrit të grave që fitojnë autonominë ekonomike dhe ecin në karrierë bëhet shpesh burim i sjelljes agresive të burrave në Shqipëri.

“Eshtë aspekti ekonomik, diferenca në kultura të ndryshme dhe të ardhurat të ndryshme apo fuqizimi që ka marrë gruaja në profesion apo në arsim. Kur gruaja po arrin të marrë përgjegjësi të cilat deri tani shoqëria ia kishte artribuar burrit sic është ekonomia apo sigurimi  jetesës më të mirë në familje dhe kur këtë rol e merr gruaja burri ndihet i kërcënuar, bie potenca që ka mbi gruan dhe këtu nisin konfliktet. Frika e burrit se po humbet burrërinë e tij kundrejt gruas apo familjes,” shprehet psikologia.
 
Po si ndikon kjo tek fëmijët që rriten në mjedis të dhunshëm? Rozeta Hoxhallari, edukatore në çerdhen nr 61 në Tiranë, tregon se gjatë eksperiencës 17 vjeçare është përballur me shumë fëmijë që vuajnë dhunën në familje, tendencë kjo që ka ardhur në rritje.
 
“Këta fëmijë kanë një sjellje tipike, ose janë shumë të tërhequr nga shokët e grupit ose janë shumë të dhunshëm. E para që është diskutimi, komunikimi me prindin, me psikologun, pastaj është puna ime individuale që ta bashkoj me pjesën tjetër të grupit nëse është i tërhequr, dhe nëse është i dhunshëm ndërhyjmë përmes lojrave, bisedave të ndryshme” shprehet edukatorja.

Dhjetra raste të ushtrimit të dhunës njoftohen çdo ditë. Vetëm në muajt qershor dhe korrik janë denoncuar 450 raste në të gjithë vendin. Shifrat janë po aq alarmante në muajin gusht, ku edhe pse s’janë publikuar shifrat zyrtare rezultojnë afro 200 raste,  ndërkohë që vetëm në 24 orët e para të muajit shtator janë shënuar 14 raste dhune.


Redaksia Online
e.m/Shqiptarja.com