Projektligji i ri për kinematografinë dhe audiovizualin i hedhur për konsultim, gati një vit më parë, parashikonte që shndërrimi i Qendrës Kombëtare të Kinematografisë, në një Agjenci me statusin e institucionit qendror, në varësi të ministrisë përgjegjëse për kulturën. Ky variant, hasi në kundërshtime të forta të kineastëve. Sipas tyre Qendra zhvlerësohej, duke humbur autonominë e saj, ndërsa statusi i drejtuesit të këtij institucioni shndërrohej në “Drejtor i përgjithshëm”, përkundër titullit aktual “Kryetar i QKK”.
Zëvendësministrja e Kulturës Lira Pipa shpjegoi sot se vërejtjet janë marrë në konsideratë.
“Ka pasur mjaft komente që kanë ardhur edhe nga komuniteti i kineastëve, nga kompani të ndryshme, të cilat kanë referuar sugjerimet e tyre dhe, së bashku me Qendrën e Kinematografisë, ne i kemi reflektuar këto komente.”, tha Pipa.
Ndërsa Jonid Jorigji, Kryetari i Qendrës, siguroi se paavarësisht se drafti parashikon tanimë një Agjenci…
“Statusi i Qendrës Kombëtare të Kinematografisë nuk ndryshon nga ai që është, që do të thotë është një status, i cili ka atë autonominë e vet, gjithmonë të bashkërenduar me ministrinë përkatëse, por nuk ndryshon nga ai që është.”
Drafti, i cili zëvendëson ligjin e vitit 1996, parashikon zgjerimin e mbështetjes përtej filmit artistik, duke përfshirë serialet, produktet imersive dhe videolojërat.
Në këtë kuadër, është propozuar edhe krijimi i Agjencisë Kombëtare të Kinematografisë dhe Audiovizualit, si pjesë e riorganizimit institucional të sektorit.
“Mendoj që është reflektuar gati mbi 90 për qind e gjithë rekomandimeve që janë dhënë, qoftë nga institucionet, qoftë nga komuniteti, por qoftë edhe nga biznesi. Synimi ynë është të ndërtojmë një industri gjithmonë e më të qëndrueshme dhe të promovojmë kulturën shqiptare nëpërmjet filmit.”, tha Jorgji.
Një nga risitë kryesore është skema e propozuar e rimbursimit të 30 për qind të shpenzimeve të pranueshme për produksionet që xhirojnë në Shqipëri, në bashkëpunim me kompani vendase.
Parashikohet gjithashtu krijimi i Komisionit të Filmit, për promovimin e vendit si destinacion xhirimesh dhe lehtësimin e procedurave për produksionet, edhe kjo një pikë, për të cilën ka pasur debate me komunitetin.
“Komisioni i Filmit është një strukturë, e cila në rang kombëtar sot pothuajse ekziston në të gjithë botën ose në të gjitha institucionet simotra në botë. Në shumë vende të botës ka avancuar akoma më tepër sepse ka kaluar dhe në nivele lokale, që do të thotë edhe qytetet kanë komisionet e tyre të filmit. Është një strukturë, e cila qëllimin kryesor ka promovimin e vendit si një destinacion ideal për xhirime, për të prodhuar produkte audiovizuale, por njëkohësisht asiston dhe lehtëson çdo procedurë që lidhet me xhirimet në Shqipëri.”, tha Jorgji.
Drafti parashikon që 70 për qind e buxhetit të institucionit të orientohet drejt filmit artistik dhe 30 për qind drejt sektorit audiovizual, si dhe hartimin e një programi kombëtar katërvjeçar, me përfshirje më të madhe të komunitetit në vendimmarrje, vlerësim dhe monitorim.
Paralelisht, Ministria po punon edhe për ndryshimet në ligjin e sponsorizimit, me synimin për të rritur përfshirjen e sektorit privat në financimin e artit, kulturës dhe sportit.








Komente
Komento