Për sa kohë Sali Berisha mbetet në krye të Partisë Demokratike, demokratët nuk kanë shanse të rikthehen në pushtet. Kjo ishte analiza e juristit Kreshnik Spahiu në emisionin “Sot Live” në Report TV, i cili argumentoi se marrëdhëniet e ngrira me SHBA dhe partnerët perëndimorë vazhdojnë të jenë një pengesë e rëndësishme për rikthimin e PD-së në pushtet.
Sipas Spahiut, ambasadori i ri amerikan, Eric Wendt, po ndjek të njëjtën linjë që mbajti edhe paraardhësja e tij, Yuri Kim, pasi qëndrimi ndaj Berishës, sipas tij, buron nga politika e Departamentit Amerikan të Shtetit, pavarësisht vizës që ai mori për udhëtimin që kreu në SHBA pak kohë më parë.
“Ambasadori i ri amerikan po mban të njëjtin qëndrim me Yuri Kim. Ditën kur ajo vendosi të mos e takojë Berishën, të mos e ftojë në ambasadë, të mos i shkojë në zyrë, ashtu vazhduan 3 vite e gjysmë mandat të saj. Edhe ambasadori i ri e ka Berishën në listën e zezë për shkak të orientimit të Departamentit Amerikan të Shtetit që e ka ende në listën e personave non-grata, pavarësisht nga viza që mori për të udhëtuar. Për këto arsye ambasadori e ka këtë qëndrim jo me Berishën personalisht por me liderin e PD që quhet Sali Berisha. Duhet t’i kushtojmë rëndësi sepse nëpërmjet kësaj embargoje të Ëashingtonit ndaj PD për sa kohë ka kryetar Berishën, atëherë ccdo demokrat duhet të kuptojë që PD nuk ka shanse të rikthehet në pushtet. Kur nuk e njeh si kryetar opozite ai nuk mund të jetë kryeministër. Sot prej 5 vitesh në zyrën e Berishës nuk shkon as ambasadori gjerman, as britaniku, as italiani, as spanjolli, as francezi, askush. Demokratët t’i thërrasin mendjes e të mos gënjehen me ftesën e një eurodeputeti që vjen e pi një kafe private me liderin e tyre. A e dinë demokratët që në ceremoninë e pritjes së ambasadorit Ëendt kanë qenë mbi 1000 të ftuar? Edhe parukierë të famshëm ka pasur në festë ndërsa Berisha jo” tha Spahiu.
Situata me opozitën, sipas Spahiut, do të thotë se zgjedhjet parlamentare të vitit 2029 nuk do të sjellin rotacion politik.
“Asnjë nga partitë e reja nuk merr dot 71 deputetë. Iu duhet koalicion dhe koalicioni i bie o me Berishën o me Ramën. Me Berishën nuk e lejojnë ndërkombëtarët dhe i bie koalicion me PS” tha Spahiu
Lajmi kryesor:
'Debati me Braçen nuk e dëmtoi PS', analiza e Spahiut në Report TV: Rama doli më i fortë politikisht, Territorialja i jep avantazh në zgjedhjet vendore








