Vlorë/ Digjet makina e punonjësit të hipotekës, dyshohet e qëllimshme! E motra: Kam një proces gjyqësor me ish-bashkëshortin për fëmijët, mund të jetë bërë shkak
Një makinë është djegur gjatë orëve të mëngjesit të sotëm në Vlorë. Policia njofton se ngjarja ka ndodhur në lagjen ‘Kushtrimi’ në orën 03:25 ku mori zjarr makina tip ‘Toyota’ në pronësi të 32-vjeçarit Ermal Hoxha, punonjës hipoteke.
Redaksia 4 Shkurt 2021, 07:16 | Përditesimi: 4 Shkurt 2021, 13:58
VLORË - Një makinë është djegur gjatë orëve të mëngjesit të sotëm në Vlorë.
Policia njofton se ngjarja ka ndodhur në lagjen ‘Kushtrimi’ në orën 03:25 ku mori zjarr makina tip ‘Toyota’ në pronësi të 32-vjeçarit Ermal Hoxha, punonjës hipoteke.
Gazetari i Report Tv, Armand Xhelili raporton se zjarri që ka përfshirë makinën ka qenë e qëllimshme por nuk ka ende një njoftim nga policia. Në momentin që ajo u përfshi nga flakët, ishte e parkuar pranë shtëpisë së Ermal Hoxhës.
“Më datë 04.02.2021, rreth orës 03:25, në lagjen “Kushtrimi”, Vlorë, ka rënë zjarr dhe është djegur një automjet i markës “Toyota”, në pronësi të shtetasit E. H., 32 vjeç, banues në Vlorë” – njofton policia.
Grupi hetimor po punon për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes dhe shkakut të rënies së zjarrit.
Vlorë/ Punonjësit të hipotekës i djegin makinën, flet e motra: Kam një proces gjyqësor me bashkëshortin për fëmijët, mund të jetë bërë shkak
Motra e Ermal Hoxhës, punonjësit të hipotekës që iu dogj makina në Vlorë ka folur në lidhje me ngjarjen.
Zamira Hoxha thotë se dyshojnë se mjeti mund të jetë djegur për motive që lidhen me profesionin e të riut, por pa përjashtuar pistën e konflikteve personale ( familjare).
Sipas saj shkak mund të jetë bërë beteja ligjore e saj për kujdestarinë e fëmijëve, pasi ajo përballet në gjykatë për të zgjidhur ligjërisht martesën.
“Nuk kemi marrë kërcënime. Ishte ora rreth 3 e mëngjesit, dëgjova borien e makinës dhe dola jashtë të shihja se çfarë ndodhi. Dal përjashta dhe makina kishte marrë flakë nga ana e shoferit, nuk ishte flakë e madhe. Njoftova familjen. Vëllai nuk ka konflikte interesi, nuk ka shkelur njeri në kallo. Unë kam një proces me ish-bashkëshortin tim, kam 6 vjet dhe gjyqin e kam më 9 shkurt. Gjyqin e ngre si ide për ish-bashkëshortin tim me qëllim për të marrë djalin tim. Unë në polici e bëra me dije” – tha e motra.