Diktatorë dhe imperialistë të rrezikshëm për botën demokratike

Diktatorë dhe imperialistë të rrezikshëm për botën demokratike

Kur diçka që duket dhe e presim prej shumë kohësh më në fund vjen, nuk ka befasi dhe nuk duket asgjë e papritur, por gjithsesi stepesh. Kongresi i Partisë Komuniste të Kinës, në një votim formal, ku rezultati duket ende pa filluar votimi, i dha mandatin e tretë në pushtet Xi–Jinping. Bota demokratike e kish të qartë këtë nga koha kur ai e ndryshoi statutin, duke hequr kufizimin e dy mandateve në detyrë, madje që kur e shtroi si propozim! Ende nuk ka (dhe nuk do ketë) një qëndrim pse ish-presidentin e vendit, Hu Jintao e nxorën nga Pallati i Popullit duke e tërhequr zvarrë! Ishte kundër kësaj praktike të lënë e të diktuar nga Ten-Siao Pin apo nxorri ndonjë fjalë që diktatorit të Kinës nuk i pëlqeu? Bota, aq më pak Kina, nuk do marrin vesh kurrë, pasi e nxorrën jashtë, se ku përfundoi ishi i parë i shtetit!

Në një shtet monopartiak si Kina, a ndryshon statutin apo zgjidhet për iks herë, nuk lë ndonjë gjurmë në zhvillimet politike botërore, të familjarizuara tashmë me këto sisteme? Kur afërsisht të njëjtën gjë kish bërë Rusia putiniste dhe Turqia me Erdoganin, që ndryshuan jo statut partie, por kushtetutën, gjërat ndryshojnë, sepse të dy vëndet janë me sistem shumëpartiak. Në këto raste bota me të drejtë shqetësohet, sepse në të gjitha rastet kur ka ndodhur kjo, janë vendosur diktatura. Flitet kështu për kërcënimet që i vijnë popujve, lirisë së tyre. Në të tilla rrethana ndodhej populli rus kur Putin me Dmitry Medvedev përgjatë 20 vjetëve shkëmbenin postet me njëri-tjetrin në formën më qesharake ndodhur në këtë shekull, për të dhënë idenë (karikaturën) e funksionimit të sistemit demokratik.

Pushteti i një njeriu as që bëhet fjalë se çon kund tjetër përpos se në shkatërrimin e lirisë!? Dikur, nga kohërat e monarkive europiane te paraluftës së Dytë Botërore binin ditirambet e lakejve të pushtetit mbretëror, duke dhënë argumente se stabilitetin e një shteti dhe mirëqenjen e një populli e siguron më mirë autoriteti i mbretit. Njëjtë ndodhi edhe me sistemin komunist, ku Sekretari i Parë i partisë-shtet paraqitet si garanci e udhëheqjes së drejtë dhe siguri e mirëqënjes. Po kështu, atje ku dora e fortë e një klani ka çimentuar pushtetin e një individi, kështu paraqitet, si nevojë, si domosdoshmëri për stabilitetin.

Në rastin e Putinit, instrumentet e fuqishme mediatike zhurmojnë pa rreshtur për të ushqyer në popull dashurinë dhe respektin për të parin e tyre, i cili po i jep Rusisë dinjitetin që ka patur, “atë që meriton”. Duke pushtuar tokat e fqinjëve, Gjeorgjisë, Ukrainës, nesër Moldavisë, u thuhet se “po merr atë që i takon!”.

Shihni mesazhet e përzemërta mes diktatorëve! Putin uron për rizgjedhjen për të tretën herë Xi –Jinping, i uron përjetësi në detyrë! Xi –Jinping i premton mbështetje dhe i ushqen imperializmin, sepse edhe vete përgatitet që nesër t’i futet kësaj rruge. Irani i ajatollahëve mesjetarë, përpos urimeve, nga arsenali i armëve të tyre furnizon Rusinë.

Të gjithë shohin se bota, nga shkurti i këtij viti, është në rrezik, paqja po e po e rrezikuar, por rrezikohet vetë planeti! Në Europë, ashtu si dhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, janë të bindur se Rusia duhet ndalur, nuk duhet lënë të pushtojë Ukrainën. Po ndodhi kjo, do ishte fundi i një epoke të zhvillimit e jetës paqësore? Sinonimi “Xhandar i Europës”, që përdorej për Rusinë e shek. XIX do dukej si përkëdheje para asaj Rusie që do ngelej pas pushtimit ose aneksimit të Ukrainës dhe ku Europa do dukej si oborri i pasëm i saj.

Europa duket se është e bashkuar, por ravijëzime plasartitesh, atje-këtu, shfaqen. BE kontribuon me më pak se 30 % me fonde në NATO dhe pjesa tjetër i përket popullit amerikan. Sekush sheh interesin e vet dhe ngre e ruan politika të tyre, jashtë qendrimit të përcaktuar europian për agresionin imperialist ndaj popullit ukrainas. Makineria kibernetike ruse punon me të gjithë “pistonët” për të krijuar mosmarrëveshje mes Bashkimit Europian. Shihni llomotitjet e Berluskonit, i cili pa ja bërë syri bef për opinionin italian, deklaron se Putini është njeri shumë i mirë, se Putini ka të drejtë të sulmojë e të vrasë dhe Ukraina nuk ka të drejtë të mbrohet. Po u përmendët fakte se ndihmat e Francës për Ukrainën janë të papërfillshme, kuptohet vetiu se Franca po i qëndron larg konfliktit dhe bën sikur merret me diplomaci për zgjidhjen e një situate tej mase të rënduar.

Inxhinieret ukrainas që studiuan dronët iranianë të rrëzuar, thonë se në këtë makineri hekurishtesh e pajisjesh elektronike ka dhe pjesë polake dhe italiane!? Të jetë e vërtetë kjo, kur ndaj Iranit ka mbi një dhjetëvjeçar që është vendosur embargo? Dhe sikur të mos mjaftonin këto, Norvegjia po bën pàre të madhe nga ngritjet që i ka bërë çmimit të gazit e naftës për vëndet europiane që furnizon me prodhimin e saj. Më tej, Serbia, mikeshë e Rusisë, ka hapur dyert katërsh për spiunët rusë që i drejtohen Europës, ndërsa BE e përkëdhel me fjalë dhe euro, me të cilat ajo blen armë kundër Kosovës e shqiptarëve apo armiqve të tjerë ballkanikë.

Kur një ish-ministër polak i mbrojtjes, Radek Sikorski, ja atribuoi Shteteve të Bashkuara sabotimin e dy tubacioneve, Nord Stream 1 dhe 2, të cilët transportojnë gaz natyror nga Rusia në Gjermani dhe nuk vonoi të nesërmen t’i falënderoj për shkatërrimin e Nord-Strim 1 e 2, m’u duk e pa besueshme, por më duket se paska patur të drejtë! Europës mbase kështu duhet t’i tregosh se sa e rrezikuar është nga vartësia ruse, se sa të dobët do jenë të ndarë e të përçarë dhe se nuk do mjaftojnë jo dy arka me vodka, që Putin i dërgoi mikut të tij, Berluskonit, por as autobote me vodka për t’u dalë pija!

K.T./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    16 Nëntor, 09:13

    Kush ka pension më të ulët bonus më të madh në fundvit? Si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Zyrtari i lartë rus: Vendimi i Biden për Ukrainën mund të çojë në Luftën e Tretë Botërore

Zyrtari i lartë rus: Vendimi i Biden për Ukrainën mund të çojë në Luftën e Tretë Botërore