Shqipja nuk është gjuhë që Zoti e ka përdorur për një diktator, për një imam a për një klerik, për një kryetar a për një kryeministër, megjithatë të gjithë këta individë tash e tutje do të “shndërrohen” në institucion, emri i tyre do të nisë me shkronjë të madhe.

Gjuha, thonë, është palca dhe kurrizi i një kombi. Shqipja, thonë të jetë gjuhë e lashtë. Dhe ndonëse në shqipe Zoti nuk ka urdhëruar të shkruhet asnjë fjalë e shenjtë, ajo për gjithë shqiptarët është gjuhë e Zotit.

Gjuha flet për kapacitetin njerëzor që arrin të përdorë një sistem kompleks komunikimi. Po kaq komplekse është dhe vetë shqipja dhe dialektet e saj. Por po kaq komplekse duket të jenë edhe intervenimet në të.

Gegënishtja ka fjalë të shumta, tmerrësisht të bukura, për të cilat dyert e standardit gjuhësor nuk u hapën asnjëherë që nga koha kur ato u mbyllën nga një ose shumë diktatorë më të vegjël. A janë edhe akademikët e gjuhëtarët e rinj po aq “pleq” dhe po aq të ngurtë sa “gjenerata” e të vjetërve që të mos kenë “këllqe” dhe të mos e çojnë përpara pasurimin e leksikut të shqipes me leksikun e gegërishtes? Dinamikat e zhvillimit të gjuhës e kërkojnë këtë, në mos asgjë tjetër. Dinamikat dhe përdorimi nga njerëz që e flasin gegënishten e kërkojnë patjetër, dhe gjithnjë e kanë kërkuar.

Gegënishtja nuk është gjuhë rrugaçësh. Një shqipe e legjendave, e arbëreshëve, e katragjyshërve dhe e gjyshërve tanë. A janë folësit e gegërishtes kontaminuesit e shqipes standarde? A mund dhe a duhet ta imagjinojmë gjithë këtë, apo vetëm ta pranojmë se ne jemi ndryshe, dhe se për gjuhën me të cilën marrin frymë nuk ka vend… e të vazhdojmë ta përkthejmë në gjuhën standarde, sepse edhe pse gegët janë të shkelur dhe nuk kanë më asnjë gjasë “ta hanë” tjetrin, prapë, sa herë flasin dhe kërkojnë, quhen të këqij.

Një gjeneratë e tërë është rritur tashmë qëkur ka rënë muri i diktatorit, dhe qëkur muri ndarës i gjuhës ka kolapsuar, dhe shkencëtarët e gjuhës kanë pasur kohën e mjaftueshme që edhe të koten, e edhe të punojnë. Por shpesh duket se nostalgjia për të ka mbetur në rrëfimet e gjyshërve dhe në letrat e vjetra. Gjuhëtarët, ndërkaq, kanë vënë hije në kujtimin për të. Dhe të flasësh për gegënishten është sikur të flasësh për dreqin.

Një tabelë e thjeshtë krahasimi mes fjalëve të standardit, variantit toskë dhe gegënishtes, flet vetë. Por shqipja e pandershme e diktatorit të gjuhës e ka vrarë. Ajo është quajtur një gjuhë e pandershme dhe fjalët që perla i ka, standardi nuk i do, se janë të “pandershme”.

A ishte viti 1968 vula mbi arkivolin e saj? Debatet dhe diskutimet janë të shumta edhe sot. Dhe ajo është e gjallë dhe rron, në palcën e sa milionë shqiptarëve, vetëm se rron ilegalisht. Thonë se Tirana, Prishtina e Shkodra janë përkrahësit e gegënishtes, dhe këta kryesisht letrarë, dhe sërish po, përjashtuar Tiranën.

Poeti persian thotë “Heshtja është gjuhë e Zotit, çdo gjë tjetër është përkthim”. Dhe meqë ne nuk jemi zotër, dhe s'kemi asnjë arsye të heshtim, por që standardi i sotëm nuk po ngjet në një pjesë ta madhe të kombit, atëherë gjuha dhe standardi i saj e kërkon një shpëtim. E kërkon një shpëtim që të mos stërkeqet akoma më shumë. Që të paktën përfaqësimi i dy dialekteve të mëdha të saj të jetë i barabartë, kjo edhe sa për të mos rezultuar qesharakë te një numër jo i vogël i gegëve veriorë kur flasin në standardin e sotëm.

Standardi i sotëm është i sëmurë, sepse nuk përfaqëson gjysmën e kombit, prandaj ekspertë të ndryshëm të akademive ose të komisioneve gjuhësore, duhet të pushojnë të tallen me nismat e tyre për "gjoja" korrigjimin e standardit, me disa fjalë e trajta që janë vetëm një promil i "disharmonisë" gjuhësore shqiptare në tokat ku flitet shqip!

Koncepti i shpëtimit të standardit, nuk është as teorik e as filozofik, por konkret dhe shumë i prekshëm. Kundërshtimi i korrigjimit të këtij standardi, ka vite që është reflektuar për keq në të folmen e pjesës shqiptare që nuk ka bazë gjuhe variantin toskë.

Prandaj dhe qasja që aktualisht i bëhet nevojës së rishikimit të standardit të shqipes, është joserioze dhe qesharake madje, mu si në kohën e diktatorit të madh, i cili variantin e gegërishtes letrare e kishte shndërruar në një variant rrugaçësh, e që me pak përjashtime, po vazhdon të cilësohet i tillë edhe sot. Por, gjuha është dekadente, siç shoqëritë janë dekadente, thonë, dhe në këtë gjithçka mund të ndodhë! Kushedi!

Marrë nga "Zëri"