Diktatura e futbollit, centralizimi i votës së FSHF “betonizon” pozitat e Armand Dukës

Diktatura e futbollit, centralizimi i votës së FSHF “betonizon” pozitat e Armand Dukës

Armand Duka

Më 18 dhjetor të vitit 2020, në Asamblenë e Përgjithshme, të Jashtëzakonshme, të zhvilluar online prej pandemisë, me 56 vota pro dhe një abstenim FSHF ndryshoi statutin. Në mënyrë arbitrare dhe të paqartë skuadrat amatore pranuan dhe miratuan me votë propozimin e Federatës së Futbollit, që ato të mos kishin më të drejtë vote në Asambletë e radhës. Parimi “Një anëtar, një votë” u hoq. Nga 54 klube, që vendosnin në vitet e mëparshme, e drejta e votës direkte i mbetej vetëm 26 skuadrave. Si rezultat i këtij ndryshimi shoqatave rajonale, të cilat varen drejtpërdrejt nga Federata, iu deleguan votat e shumë klubeve, një “hile” kjo që po betonizon pozitat dominuese të Armand Dukës në krye të Federatës së Futbollit shqiptar.

Dokumenti zyrtar i Asamblesë së Përgjithshme, të Jashtëzakonshme Statusore, Neni 13, pika 1, 18 dhjetor 2020, ku përcaktohet mënyra e re e anëtarësimit në FSHF

Ndryshimi nga statuti i vitit 2019 ishte thelbësor. Deri në atë kohë, klubet dhe shoqatat rajonale ishin përfshirë si anëtare me të drejta të plota. Me rregullat e reja, anëtarësimi në FSHF u nda në të “drejtpërdrejtë” ose në të “tërthortë”.

Dokumenti zyrtar i statutit të mëparshëm të FSHF, miratuar nga Asambleja në vitin 2019

Pas kleçkës në paragrafin 1 të nenit 13, ku përcaktohej anëtarësia në Federatën e Futbollit, pika 3 e po këtij neni përgatiste terrenin për të lënë jashtë vendimmarrjes skuadrat e vogla.

Në kuptim të këtij statusi anëtarët e drejtpërdrejtë janë “klubet e Kategorisë Superiore, ata të Kategorisë së Parë, Shoqatat Rajonale dhe Shoqatat e profesioneve që lidhen me futbollin”; që do të thotë se në vendin tonë vetëm 26 klube funksionojnë sipas parimit të “drejtpërdrejtë” dhe referuar statutit mund të votojnë sipas parimit, Një anëtar, një votë. Të gjithë të tjerët, 12 ekipe të Kategorisë së Dytë dhe 6 deri në 8 ekipe të Kategorisë së Tretë humbën të drejtën e votës, duke u cilësuar “anëtarë të tërthortë”. Paradoksalisht, votat e tyre u transferuan te Shoqatat Rajonale të Futbollit, që deri në vitin 2019 kishin tetë vota.

Gjithçka ndodhi bazuar në nenin 28, paragrafi 2 (b), një tjetër lëvizje për të “blerë” votën e lirë, duke qenë se shoqatat rajonale janë krijuar dhe mbahen gjallë me pagesat e drejtpërdrejta që jepen nga FSHF. Në këtë nen saktësohet se “numri i delegatëve, që do të përfaqësojnë futbollin amator në Asamble, do të jetë i barabartë me numrin e delegatëve të futbollit profesionist”. Duke qenë se Kategoria Superiore, me 10 ekipe dhe Kategoria e Parë, me 16 krijonin një total prej 26 delegatësh, edhe Shoqatat Rajonale kaluan nga 8 në 26 vota.

Statuti i dhjetorit 2020, ku përcaktohet se të drejtë përfaqësimi me parimin “një anëtar, një votë” kanë vetëm 10 klubet e Kategorisë Superiore dhe 16 klubet e Kategorisë së Parë. Pjesa tjetër e votave iu delegua Shoqatave Rajonale të Futbollit.

Kjo ishte goditja finale. 12 skuadrat e Kategorisë së Dytë dhe 6 të Kategorisë së Tretë (nivelet e treta dhe të katërta të futbollit në vend), pranuan me sy mbyllur propozimin e kupolës drejtuese dhe hoqën dorë nga të drejtat e tyre vendimmarrëse. Votat e tyre, të cilësuara potencialisht të rrezikuara nga politika apo rivalët e kupolës aktuale, u futën në “kasafortën” e shoqatave rajonale.

Më konkretisht, “Flamurtari”, edhe pse një prej klubeve me historinë më të lavdishme në vend, nuk do të ketë të drejtë vote në Asamblenë e radhës, prej faktit që kanë rënë në Kategorinë e Dytë. Megjithëse në pamundësi për të stopuar ndryshimet, aktorët e futbollit akuzojnë se drejtuesit e klubeve sportive në Shqipëri minimalisht nuk kanë kualifikimin e duhur për të kuptuar atë që po ndodh. Kjo e bën të lehtë përdorimin e tyre sipas “dëshirës” së kupolës drejtuese.

“Kualiteti si anëtar direkt apo indirekt lë shumë për të dëshiruar. Mesatarja e arsimimit në Shqipëri, duke përfshirë edhe veten time, është 8 klasë shkollë. Jo të gjithë e lexojnë atë që iu paraqitet apo jo të gjithë dinë t`i lexojnë ato që janë shkruar. Në rastin e këtyre ndryshimeve kam dyshime që ndokush t`i ketë lexuar dhe t`i ketë kuptuar paraprakisht”, - deklaroi për INA administratori i Flamurtarit, Sinan Idrizi.

Ose, në rastin më flagrant, ata ekzistojnë vetëm për t`i shërbyer sistemit.

“Problemi më i madh është se këta burra, që kanë të drejtë vote, përfaqësuesit e këtyre shoqatave, nuk është se janë burra të lirë dhe të pavarur. Nuk janë burra me ndërgjegje të fortë apo që kanë besimin se po votojnë më të mirën. Këta janë disa burra të përgatitur për të votuar sistemin në vazhdim”, - thotë ish-kapiteni i Kombëtares, Rudi Vata.

Centralizimi i votës

Ajo që u kamuflua si ndarje rajonesh në shërbim të futbollit, në fakt u konfirmua si centralizim i votës. Në Asamblenë Zgjedhore të 7 shkurtit 2018, ku Armand Duka fitoi mandatin e pestë përballë ish-deputetit, Bashkim Fino, FSHF përcaktoi 66 delegatë me të drejtë vote. 54 prej tyre ishin klube futbolli dhe 12, shoqata sportive: tetë delegatë nga shoqatat rajonale dhe një delegat nga arbitrat, trajnerët, mjekët sportivë e minifutbolli.

Në Asamblenë e fundit të FSHF, më 14 qershor 2021, vetëm gjashtë muaj pasi u ndryshua edhe shpërndarja e votës, ishin përcaktuar 55 delegatë, nga të cilët morën pjesë 52. Sipas ndarjes së re, nga 54 skuadra, 28 prej tyre e humbën të drejtën e votës. Vetëm 10 ekipet e Superiores dhe 16 ekipet e Kategorisë së Parë u përfaqësuan direkt, për një total prej 26 delegatësh. Përpos 26 delegatëve të Shoqatave Rajonale, të cilat përfaqësonin ekipet amatore, me nga një votë morën pjesë edhe Shoqatat e Trajnerëve, Mjekëve Sportivë dhe Arbitrave.

Asambleja Zgjedhore e shkurtit 2018 - 66 delegatë

Deri në këtë periudhë të gjitha klubet përfaqësoheshin në Asamble nga delegatët e zgjedhur prej tyre dhe parimi ishte “Një anëtar, një votë”: 

54 klube futbolli

8 Shoqata Rajonale të Futbollit

1 Shoqata e Trajnerëve

1 Shoqata e Mjekëve Sportivë

1 Shoqata e Arbitrave

1 Minifutbolli

Asambleja e Jashtëzakonshme, 14 qershor 2021 - 55 delegatë

Hyri në fuqi statuti, sipas të cilit klubet profesioniste (Superiore dhe Kategoria e Parë) kanë përfaqësi të barabartë me Shoqatat Rajonale të Futbollit

26 klube profesioniste

26 Shoqata Rajonale

* Shkodër                           3

* Lezhë                               2

* Tiranë                             8

* Durrës                            3

* Elbasan                          2

* Fier                                 3

* Gjirokastër                   3

* Korçë                             2

1 Shoqata e Trajnerëve

1 Shoqata e Mjekëve Sportivë

1 Shoqata e Arbitrave

Ndryshimi i balancave të votave nga Asambleja Zgjedhore e vitit 2018 në Asamblenë e fundit është i dukshëm. Nëpërmjet dokumentacionit zyrtar të regjistrimit të shoqatave në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor, Tiranë, kuptohet që vota e ndikuar nga politika e “klubeve të vogla” është shndërruar në votë të ndikuar nga vetë Federata. Dokumentet vërtetojnë se, disa trajnerë të Kombëtareve të Moshave apo futbollit të femrave figurojnë të angazhuar direkt dhe paguhen nga FSHF si pjesë e strukturës së tyre. E njëjta gjë ndodh edhe me zyrtarë të tjerë, që janë të punësuar apo kanë lidhje të ngushta në Federatën e Futbollit.

Ndryshimi i dyshimtë i rregullave të lojës

Pikërisht ky konflikt interesi, në një kohë kur thuajse gjysma e votave në zgjedhje i ka kaluar pikërisht Shoqatave Rajonale të Futbollit, e bën krejtësisht të dyshimtë skemën se si pritet të zgjidhet këtë herë drejtuesi i FSHF-së. Njohësit e futbollit e konsiderojnë skemën e re të pavlefshme, sa kohë që iu heq votën klubeve dhe ua jep shoqatave.

“Është hap i mirë që shoqatat të hyjnë, por asnjëri nga klubet nuk mund të përjashtohet nga vota. Nuk mund t`iu hiqet vota skuadrave për shoqatat. Përpara ardhjes së demokracisë, Memaliaj e Himara kishin ekipe të jashtëzakonshme. Sot, Himara nuk ekziston më”, - tha një burim i mirinformuar për Investigative Network Albania, që preferoi të fliste në kushtet e anonimatit.

“Struktura duhej të ishte bërë shumë kohë më parë, por nuk u realizua, sepse, ata që e drejtuan futbollin në këto 20 vjet, mbështeteshin te politika dhe më pas te klubet.”, - vazhdoi i njëjti burim.

“Zotërinjtë e Federatës së Futbollit kanë zgjedhur një sistem të padrejtë, për t’iu përshtatur sistemit mjeran, shqiptar”, - theksoi Rudi Vata, që në vitin 2010 kandidoi për president të FSHF-së.

“Futbolli shqiptar i këtyre 20 viteve ka prodhuar vetëm vuajtje, mjerim, shitblerje, nepotizëm e qoka. Aspak argëtim, aspak “fair-play”, prandaj aktorët kryesorë janë këta mini-diktatorë, që janë kthyer në diktatorë. Fatkeqësia e tyre është që nuk e kuptojnë se janë të tillë”, - kritikon më tej Rudi Vata mënyrën se si drejtohet Federata Shqiptare e Futbollit.

Konkretisht, në Shoqatën Rajonale të Shkodrës, ku fillimisht ishte kryetar trajneri i përfaqësueses së femrave, Armir Grima, tashmë kryetar është trajneri i Kombëtares së 19-vjeçarëve, Armando Cungu. Cungu paguhet drejtpërdrejt nga FSHF si trajner i Kombëtares së 19-vjeçarëve.

Në Tiranë kryetar është Sulejman Mema, një emër i madh i futbollit, por që ka edhe funksione zyrtare në Federatë. Madje, në mars të vitit 2019, pas shkarkimit të Christian Panucci-it nga Kombëtarja, Mema dhe Ervin Bulku shërbyen si trajnerë të përkohshëm në ndeshjen me Andorrën.

Në Shoqatën e Durrësit kryetar është Mikel Furxhi, që në Asamblenë e 14 qershorit 2020 ishte pjesë e Komisionit të Verifikimit të delegatëve.

Në Shoqatën e Korçës figuron kryetar Ilirjan Përmeti, shef i klubit të futbollit Skënderbeu, skuadër, e cila, me gjithë vendimin e UEFA-s për ta përjashtuar me dhjetë edicione nga turnetë ndërkombëtare për trukime, në Shqipëri nuk mori asnjë dënim.

Dokumenti zyrtar i Asamblesë së Zakonshme të FSHF-së në vitin 2016, i firmosur nga delegatët me mandat vote nga Shoqatat Rajonale të Futbollit

Faktin që shoqatat rajonale të sportit përfitojnë fonde direkte nga FSHF, ndërkohë që iu është dhënë edhe e drejta e votës, ekspertët e konsiderojnë konflikt të rëndë interesi dhe se zgjedhjet duheshin anuluar.

“Shoqatat Rajonale të Futbollit në vendet europiane nuk kanë asnjë lidhje financiare me federatat. Pra, askush nuk përfiton rrogë në mënyrë direkte nga Federata. Janë konflikte shumë të rënda interesi. Në çdo vend të Europës zgjedhjet do të ishin anuluar. Sekretariati i Shtetit për Sportet do të kishte marrë masa disiplinore ndaj këtyre situatave”, - pohoi burimi i mirinformuar i INA MEDIA-s, që preferoi të mbetej anonim.

Me kalimin e thuajse gjysmës së votave në dorën e shoqatave pushteti është centralizuar.

“Sigurisht që ka centralizim pushteti në Federatën Shqiptare të Futbollit. Ajo duket qartë, siç është vetë drita e diellit. Por, shteti shqiptar pranon gjithçka”, - akuzoi Rudi Vata.

Një tjetër shembull është Shoqata e Mjekëve Sportivë, e cila ka një votë në Asamble. Për shkak të angazhimeve aktive në botën e sportit edhe këtu çdo detaj jepet në kushtet e anonimatit.

“Prej komunizmit Shoqata e Mjekëve ka qenë si fasadë, sa për të thënë që ekziston. Nuk ka vendimmarrje, as në Federatë, as në Komitetin Olimpik, thjesht ka një votë. Shoqata ka dy vjet që nuk mblidhet, nuk ka funksionuar. Kryetari, Profit Canaj, ka vuajtur nga probleme shëndetësore. Ishte i sëmurë edhe në Asamblenë e fundit të Federatës dhe ia delegoi votën njërit prej pjesëtarëve të stafit mjekësor të Kombëtares, por jo mjek me profesion. Ishte gabim i madh, sepse nga shoqata mund të votojnë vetëm mjekët”, - sqarojnë burimet për INA MEDIA-n.

Arsyet e manovrës së Federatës

Lëvizja e Federatës për ndryshimin e statutit lidhet me garën e zgjedhjeve të vitit 2018, ku përballë kreut aktual, Armand Duka, kandidoi deputeti Bashkim Fino, garë në të cilën Duka ndjeu kërcënimin e “votës politike”. Me pjesën dërrmuese të klubeve shqiptare, që janë pronë e bashkive, më tepër se 1/3 e atyre që votuan, ishin kryetarë bashkie dhe mbështesnin kandidatin që ishte pjesë e forcës së tyre politike.

Për të fituar mandatin e pestë në Federatë, kreut aktual, Armand Dukës, iu nevojit raundi i dytë i votimit, pasi nuk siguroi menjëherë 2/3 e mbështetjes së 66 delegatëve të pranishëm.

Në raundin e dytë, ku fituesi shpallej me maxhorancë të thjeshtë, pra 50% + 1 votë, presidentit të ri i nevojiteshin 33 vota. Duka mori 38 vota, kandidati Fino, 24, tri u shpallën të pavlefshme dhe një anëtar nuk votoi.

Ajo ndaj ish-deputetit Bashkim Fino ishte gara më e pasigurt prej vitit 2002 për Dukën e FSHF. Vetëm kur mori drejtimin e FSHF para dy dekadave, kreut aktual iu nevojit balotazhi në raundin e dytë, për të thyer rivalin Mehdi Bushati. Në Asambletë e tjera vota ka qenë dukshëm në favor të tij. Me ndryshimet në sistemin e votimit dhe bazuar në të dhënat e garave të mëparshme, aritmetika është e thjeshtë. Për të fituar 2/3 e votave nga 55 delegatë, në vitin 2022 Armand Dukës i nevojiten vetëm 37 vota. Ky do të ishte numri më i ulët i votave të marra ndonjëherë prej tij, por që me manovrën në statut do t`i mjaftonte për mandatin e gjashtë.

Rezultatet e votimeve në pesë mandatet e fituara nga Armand Duka përballë rivalëve nga Asambleja Zgjedhore e FSHF në vitin 2002 deri në vitin 2018

Pas zgjedhjeve të fundit votat e skuadrave të vogla, të cilësuara të kërcënuara apo/dhe në varësi të drejtpërdrejtë të politikës, iu shpërndanë Shoqatave Rajonale të Futbollit. Këto të fundit u krijuan me argumentin për t`i shërbyer futbollit, nga masivizimi e deri tek evidentimi i talenteve.

Tabelë me përqindjen e votave të fituara nga Armand Duka në pesë Asambletë e fundit Zgjedhore

Në fakt, si struktura të varura direkt nga Federata qëllimi i tyre i kamufluar u konfirmua që lidhej plotësisht me votën.

“E drejta e votës është e drejtë vote, por punohet, për shembull, që vota e një çobani, si ne të klubeve, të mos jetë e barabartë me atë të një intelektuali, siç janë ata të Federatës”, - ironizoi Sinan Idrizi.

Për administratorin e Flamurtarit ka një disproporcion të theksuar për mënyrën se si është konceptuar ndarja e re e futbollit sipas rajoneve.

“Problemi është sita si është bërë kjo ndarje. Në Shoqatën Rajonale të Fierit janë 25 ekipe për 3 delegatë me të drejtë vote, ndërsa në Gjirokastër janë 8 ekipe për 2 delegatë. Në sistemin e zgjedhjeve në Shqipëri luhet me skemat e ndryshme që serviren sipas momentit dhe interesave. Problemi është se nuk dimë një njësi matëse si është bërë ndarja”, - thotë Sinani, administratori i Flamurtarit.

“Të mendosh që qendrën e futbollit, Vlorën, FSHF e ka lënë në rajonin e Fierit! Me këtë logjikë i bie që jugu i Shqipërisë duhet të kërkojë alternativa të tjera në futboll”, - akuzon më tej ai.

Por, debati për krijimin e një sistemi autokrat në futbollin shqiptar nuk është as i ri e as sekret.

“Po të shikoni rastin e presidentit aktual të FSHF, ai është zgjedhje e politikës. I ardhur nga biznesi i rritjes së shpendëve, pa pasur asnjë kontribut, meritë, lidhje, emocion dhe pa shpenzuar asnjë ditë të vetme në sport, një ditë të bukur bëhet president i Federatës së Futbollit”, - akuzon ish-kapiteni i Kombëtares, Rudi Vata.

Çështja e mbretërimit nga një grusht njerëzish në futboll nuk është vetëm një histori shqiptare. Disa vjet më parë futbolli botëror u përfshi në një prej skandaleve më të mëdhenj në histori.

Sepp Blatter u cilësua në vitin 2015 si “diktatori më i suksesshëm jo-vrasës në historinë e viteve të fundit”. Ai e drejtoi futbollin botëror për 17 vjet e 122 ditë (nga 8 qershori 1998, deri më 8 tetor 2015), duke e zhytur FIFA-n në një seri skandalesh dhe korrupsioni në nivelet më të larta. (Prestigjiozja britanike “The Guardian”).

Sugjerimi i UEFA-s për kufizim mandatesh

Për muaj me radhë statuti i ri i Federatës së Futbollit mbeti në ajër. Por, në fund, sipas dispozitave ligjore, Ministria e Arsimit dhe Sportit vendosi të miratojë ndryshimet.

“Për MAS ka rëndësi të veçantë ligjshmëria e çdo federate dhe FSHF nuk bën përjashtim. Për këtë arsye ministri e ka miratuar statutin e ndryshuar të FSHF vitin e kaluar. Për sa i përket pyetjeve tuaja mbi zgjedhjet apo pjesëmarrësit në to, qëndrimi i MAS vijon të mbetet se kjo është një çështje e brendshme e FSHF, e cila duhet të rregullohet sipas statutit të saj dhe ministria nuk përfshihet në pavarësinë e organizimit të federatave”, - ishte përgjigjja e Ministrisë së Arsimit dhe Sporteve pas një kërkese për informacion nga INA MEDIA.

Ndryshimet në statut janë miratuar edhe nga Gjykata e Rrethit Gjyqësor në Tiranë. Sipas shkresave zyrtare në kthim të përgjigjes nga Investigative Netëork Albania kuptohet që kërkesa e federatës u dorëzua shtatë muaj pas Asamblesë, më saktësisht më 28.07.2021 dhe mes pikave figuronte “Të miratojë Statutin e ri të Federatës Shqiptare të Futbollit, të cilit i bashkëlidhen Shtojca A “Pyetësor për kontrollin e integritetit” dhe Shtojca B “Rregullore e Asamblesë se Përgjithshme”. Në aspektin jurudik, problematike mbetet vetëm situata e Shoqatës Rajonale të Futbollit, Lezhë, pasi më 4 tetor 2021, Gjykata e Rrethit Gjyqësor në Tiranë hodhi poshtë kërkesën për regjistrimin e saj.

Vendimi i Gjykatës së Rrethit Gjyqësor, Tiranë më 4 tetor 2021, ku nuk pranohet kërkesa për njohje e Shoqatës Rajonale të Futbollit, Lezhë

Kjo skemë e “mbretërimit” të një personi të vetëm është kritikuar edhe nga UEFA, e cila i orientoi të gjitha federatat europiane që në ndryshimet statusore të përfshinin edhe pikën e kufizimit të mandateve.

UEFA dhe FIFA dhanë shembullin të parat, duke miratuar kufizimet me dy mandate, plus një mandat të tretë si afat maksimal në rangjet drejtuese.

Si objektiv primar ishte korrigjimi i gabimeve të së kaluarës, për të evituar krijimin e të tjera sistemeve diktatoriale.

Në Shqipëri ky sugjerim nuk u përfshi në statutin e ri, të ndryshuar në dhjetorin e vitit 2020.

Krejt ndryshe ndodhi në Poloni. Pas tetë viteve shumë të suksesshme, presidenti Zbigniew Boniek u largua, pas vendimit të qeverisë se krerët e federatave nuk duhet të qëndrojnë në detyrë më tepër se 8 vjet. Ish-futbollisti i famshëm i Juventus-it dhe Romës tashmë mban postin e zëvendëspresidentit të UEFA-s.

Një tjetër emër i madh i futbollit, si Davor Šuker, u largua pas 9 vjetësh nga drejtimi i Federatës kroate. Te fqinjët e Maqedonisë së Veriut gjatë 20 viteve të fundit janë ndryshuar të paktën tri herë presidentët e Federatës. Aktualisht, drejtues është një shqiptar, Muamed Sejdini, i cilësuar si një prej drejtuesve më të suksesshëm në historinë e këtij institucioni.

Modelet e huaja të organizimit

Ndryshe nga rasti i futbollit në Shqipëri, ku amatorët u përjashtuan dhe votat e tyre u rigrupuan në mënyrë tejet të dyshimtë, në sistemet e vendeve më të zhvilluara në përgjithësi struktura e futbollit është e mbështetur në bazë të gjerë tek amatorët.

Në modelin italian të Asamblesë Zgjedhore për presidentin e Federatës së Futbollit marrin pjesë me të drejtë vote të gjitha skuadrat e Serisë A, B dhe C. Liga e Amatorëve (Serie D dhe ekipet e moshave), sportistët, trajnerët dhe arbitrat marrin pjesë në votime nëpërmjet delegatëve që përcaktohen sipas rregullores elektorale. 276 delegatët e futbollit italian kanë gjithsej 516 vota. Për këtë arsye vota e çdo delegati ka peshë të ndryshme në raport me kategorinë së cilës i përket. Vota e shprehur nga çdo përfaqësues i klubeve të Serisë A shumëzohet me 3,1. Megjithatë, Liga Kombëtare Amatore gëzon pjesën më të madhe të votave elektorale në tërësi (176 të tilla).

Në modelin spanjoll në Asamblenë Zgjedhore votojnë 140 delegatë. 20 prej tyre janë zyrtarë të lartë të futbollit. Veçantia lidhet me faktin se edhe vetë presidenti i Federatës spanjolle ka të drejtë vote, ashtu si edhe 19 presidentët e federatave territoriale.

Profesionistët përfaqësohen nga 20 skuadra dhe 13 futbollistë. Futbolli jo-profesionist përfaqësohet nga 29 skuadra dhe 17 lojtarë. Të drejtë vote kanë nga të gjitha nivelet edhe 16 trajnerë, 11 arbitra, 12 ekipe futbolli, si edhe një votë nga Sekretari i Përgjithshëm i Federatës spanjolle të Futbollit, Andreu Camps. Fituesi nga votimi i 140 delegatëve shpallet me maxhorancë të thjeshtë. Dy shembuj krejt të ndryshëm nga Shqipëria, ku skuadrat dhe aktorët e vërtetë të lojës, jo vetëm që nuk përjashtohen nga procesi zgjedhor, por, ata që cilësohen si më të vegjlit, kanë pjesën më të madhe të votave dhe rrjedhimisht të vendimmarrjes./ InaMedia

K.T./r.k./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Niku: 14/01/2022 15:38

    Urime per artikullin shume informues. Sa vite i duhen dikujt te shpalose vizionin e vet per futbollin? 20 vjet ne krye edhe prape te kandidosh?!

    Përgjigju
  • nino: 13/01/2022 14:26

    mjer ne shqiptaret nuk na u ndan diktatoret

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Kë doni ju që të fitojë zgjedhjet në SHBA?



×

Lajmi i fundit

Nesër zgjedhjet në SHBA/ Ish-ambasadori: Duhet ndryshuar rendi botëror! Endri Shabani: Trump thotë 'Amerika e para'! Po kur ka qenë ndonjëherë e dyta?!

Nesër zgjedhjet në SHBA/ Ish-ambasadori: Duhet ndryshuar rendi botëror! Endri Shabani: Trump thotë 'Amerika e para'! Po kur ka qenë ndonjëherë e dyta?!