"Për të dobëtit nuk ka vend. Të dobëtit bien, goditen dhe fshihen nga historia, në një kohë që të fortit, mirë a keq mbijetojnë", është shprehur Netanjahu në një fjalim vitin e kaluar në një qendër izraelite të studimeve nukleare. Netanjahu do të bëjë pjesë tek të fortit. Gjithmonë. "Mbreti Bibi", kështu thirret ai, monarku, burri i fortë i Izraelit, një imazh i cili i pëlqen Netanjahut, e që e ushqen prej dekadash.

I nënvlerësuar nga i ati

Por nuk ka qenë kështu në fëmijërinë e tij. Producenti i filmit, Dan Shadur thotë se "Benjamin Netanjahi ishte një zgjidhje nga nevoja, ai kurrë nuk e ka pasur vlerësimin e të atit." Shadur është marrë prej vitesh me figurën e Netanjahut, në pranverë ai publikoi filmin dokumentar, "Mbreti Bibi." Babai, Benzion Netanjahu ka qenë profesor për historinë hebraike dhe një cionist radikal, që angazhohej për Izraelin e Madh dhe në një intervistë ka thënë: "Tendenca për grindje është në natyrën arabe. Ai është armiku i lindur. Personaliteti i tij nuk i lejon kompromise. Arabi gjendet në modusin e luftës së vazhdueshme."

Kur Izraeli në vitet 60-të e 70-të qeveriset nga të majtët, familja ndjehet e izoluar dhe largohet në SHBA. Netanjahu rritet në shtetin federal të Pensilvanisë, studion dhe punon si konsulent firmash. Ai ka dy vëllezër. Jonathan, më i madhi, të cilin babai e kishte parashikuar si liderin e ardhshëm të Izraelit, por ai vritet në operacionin e shpëtimit të pengjeve izraelite në Entebe, ish-kryeqytetin e Ugandës. Sot ai konsiderohet në Izrael si hero. Pas vrasjes së të vëllait, Benjamin Netanjahu angazhohet publikisht, në vitin 1980 si përfaqësues i përhershëm i Izraelit në Kombet e Bashkuara, deri në vitin 1988, kur kthehet në Izrael, si një njeri elokuent, që e njeh botën, karizmatik dhe me humor. Një njeri që flet anglisht pa akcent, dhe një tip i ri politikani.

Israel | Benjamin Netanjahu (Getty Images/AFP/G. Tibbon)

Kryeministri më i ri në histori

Benjamin Netanjahu hyn në parlament si deputet i partisë së djathtë konservatore, Likud dhe zgjidhet zëvendësministër i Jashtëm. Kur kryeministri Izhak Rabin, bashkë-arkitekti i marrëveshjeve të paqes në Oslo, 1995 vritet në një miting në Tel Aviv nga një fanatik i djathtë hebre, dhuna mes Izraelit dhe palestinezëve shkallëzohet. Netanjahu akuzon kryeministrin pas Rabinit, Shimon Peres, se nuk po e ndal dot dhunën, dhe në zgjedhjet e vitit 1996 partia e tij fiton. Këtë vit Netanjahu zgjidhet kryeministër, më i riu në historinë e Izraelit. Në këtë kohë ai është i martuar për herë të tretë, gruaja e tij Sara është gjobitur tani me 14.000 dollarë për shpëdorim të arkës së shtetit.

Kthesë gjithmonë e më djathtas

Në vitin 1999, Netanjahu nuk mund të mbrojë postin. Të djathtët e akuzojnë, se ka bërë shumë kompromise në marrëveshjet e Oslos e që atëherë ka pasur akuza për korrupsion kundër Netanjahut. Dhjetë vite më vonë, Netanjahu ringjitet në krye të vendit, ai zgjidhet sërish kryeministër. Fjalimi i tij në vitin 2009 në Universitetin Bar-Ilan shihet si një revolucion i vogël. Për herë të parë dhe të fundit, Netanjahu, përfaqësuesi i vijës së ashpër, përkrah perspektivën e një zgjidhjeje me dy shtete, me një shtet palestinez të çmilitarizuar.

Por në vend që të angazhohet për këtë, në vitet e ardhshme ai ndjek një politikë tejet të djathtë. Këtu luajtën rol edhe përplasjet e mëdha me Hamasin, që sundon në Gaza. Peter Lintl, ekspert i Izraelit në fondacionin "Shkenca dhe politika", thotë se „ata e kanë ndryshuar në mënyrë dramatike opinionin publik në Izrael." Për shumicën e izraelitëve, tërheqja nga Gaza bëri që të nxirrej mësimi: Nëse tërhiqemi, atëherë jemi në shënjestër. Kjo do të thoshte, që Izraeli nuk do të tërhiqet nga Jordani Perëndimor, "me këtë për të djathtët u hoq nga tryeza zgjidhja me dy shtete.", thotë Litl.

Edhe kryeministri, Netanjahu ndjek një kurs gjithnjë e më djathtas. Në vitin 2015 ai rizgjidhet kryeministër, dhe krijon një koalicion vetëm me partitë e djathta, qeveria më e djathtë që ka pasur ndonjëherë Izraeli. Kërkesa të reja vijnë. "Në katër vitet e fundit, ideja e aneksimit të Jordanit Perëndimor nga një temë anësore, kalon në qendër. Netanjahu duhet të japë një përgjigje për këtë", thotë eksperti Litl. Vërtet që Netnajahu nuk e fut në programin e partisë qëllimin për aneksim, por ka deklaruar, se në rast të rizgjedhjes së tij, ai do të aneksojë, Jordanin Perëndimor, ku jetojnë 60.000 palestinezë.

Israels Premierminister <a style=Benjamin Netanyahu hält eine Rede vor dem Hintergrund auf dem sein Bruder Yonatan Yoni gezeigt wird (imago images/UPI Photo/A. Cohen)" src="https://www.dw.com/image/51375955_404.jpg" />

Netanjahu flet para studentëve, në sfond fotoja e vëllait, Jonathan, i vrarë në vitin 1976

Me këtë ndryshim kursi, Netanjahu synon të fitojë më shumë vota nga kampi i djathtë.

Vitet e kaluara, edhe në arenën ndërkombëtare, Netanjahu e kërkoi kontaktin me populistët. Këtu bëjnë pjesë, Jair Bolsonaro në Brazil, Viktor Orban në Hungari, apo miku i tij i ngushtë, Donald Trump, që me vendimin për të kaluar ambasadën amerikane në Jeruzalem i plotësoi mikut të tij një dëshirë të madhe.

Netanjahu e sheh veten si viktimë të medias

Hetimet për korrupsion kundër Benjamin Netanjahut dhe ngritja e akuzës për mashtrim, korrupsion dhe shpërdorim është për Netanjahun vetëm një „gjueti shtrigash" e ngritur nga media dhe forcat e majta. Ai e sheh veten viktimë, një njeri që sulmohet e kërcënohet. Intervista Netanjahu jep shumë rrallë. Ai përdor platformat mediatike për të shpërndarë aty informacionet, që janë për të relevante dhe të dobishme. "Të fortit, mirë a keq, mbijetojnë", tha ai para një viti. Tani atë e kërcënon një dënim me burgim dhe nga ana politike shenjat janë për stuhi. Nëse i forti „mbreti Bibi", do të mbijetojë, kjo mbetet të shihet. DW