Mes vetmisë dhe lutjes, gruaja mirditore ruan traditën e besimit, Dila Kola mban 80 vite mbi supe. Thotë se me besim ka mundur sfidat dhe se përmes lutjes gjen paqen.

Periudha e Kreshmëve dhe festa e Pashkëve kanë një domethënie të veçantë për të, ndonëse, siç thotë dhe vetë, festa e ka gjetur në vetmi. Për të besimi nuk është më si dukur.

“Shumë keq e kemi festuar, por prap se prap jemi bshkuar të gjithë familjarët te shtëpia. Sot shumë mirë po i festojnë, por nuk njeri në shtëpi. Kanë ikur”,- thotë Dila.

 Pavarësisht sfidave dhe ndryshimeve të kohës, Dila Kola thekson se besimi i saj nuk është lëkundur as në periudhat më të vështira. Ajo kujton kohën e regjimit komunist, kur feja ishte e ndaluar, por njerëzit gjenin mënyra për të mos e humbur lidhjen.

“Kur shkoja te familjarët e mij, e kishim kishën rrugës, dhe shkoja bëja kryq te gurët, se kishë e kishin shembur".,- thotë Dila.

 Duke folur për simbolikën e Pashkëve, ajo ndalet tek mesazhi i shpresës, ringjalljes dhe besimit që kjo festë përcjell, jo vetëm për besimtarët, por për të gjithë njerëzit.

“Kërkojë njëherë të më ruajë Zoti fëmijët. E për gjithë rininë, e për gjithë emigrantët shqiptarë kudo janë, e për luftërat nëpër botë, e për çdo lloj smëundje. Lutëm për të gjithë”,- thotë Dila.

“Shumë persona kanë ikur nga Shqipëria dhe kjo na shqetëson shumë, por personat që janë në Shqipëri, vijnë në Kishë, janë besnikë dhe janë duke kultivuar ende traditën që kanë pasur përpara”,- thotë famulltari i Balldrenit, Dom Mateusz Drzewiecki

 Historia e nënë Dilës nga Balldreni i Lezhës mbetet një dëshmi e gjallë e forcës së besimit dhe e përkushtimit ndaj Zotit, teksa qëndron si një simbol i qëndrueshmërisë shpirtërore dhe  lidhjes së fortë me Zotin.