TIRANE- Gjykata e Tiranës i dha sot të drejtë shkrimtarit të madh Ismail Kadare dhe i kërkon të vesë së diktatorit komunist, Enver Hoxha t'i  kthejë dorëshkrimin e romanit “Dimri i vetmisë së madhe”.

"Kadare ka të drejtë të shfrytëzojë dorëshkrimin. Nuk ia ka dhuruar por ia ka lënë në mbrotje Nexhmije Hoxhës. Kadare merr veprën sapo vendimi të marrë formë të prerë"-   thuhet në vendimin e gjykatësit Bledar Abdullai. 

Në seancën e sotme mungoi avokati i Nexhmije Hoxhës.  Shkrimtari Kadare kërkonte të rimerrte dorëshkrimin origjinal të veprës "Dimri i Vetmisë së Madhe" e cila ishte në dorë të zonjës Hoxha, procesi gjyqësor nisi në dhjetëditëshin e fundit të muajit korrik.

KADARE: JAM I GEZUAR
Ka qenë duke udhëtuar drejt Spanjës kur nëpërmjet telefonit ka marrë lajmin e mirë se do ta ketë sërish të vetin dorëshkrimin origjinal të romanit aq të përfolur.  I kontaktuar nga avokatja e tij Kadare është shprehur se ndihej shumë i gëzuar dhe se kishte pasur besim te drejtësia. Kadare po udhëton drejt Spanjës për të marrë pjesë në Javën Ndërkombëtare të Letërsisë dhe Artit Humoristik, që do të zhvillohet nga data 2-7 tetor, Shkrimtari në këtë festival është nderuar me çmimin "La Risa de Bilbao"

SEANCA E KALUAR

Seanca e kaluar gjyqësore nxorri në dritë deklaratat kontradiktore të Nexhmie Hoxhës, lidhur me të vërtetën e dorëshkrimit origjinal të romanit "Dimri i vetmisë së madhe". Avokatja e shkrimtarit Kadare, Flonia Tashko, i ka vënë në dukje gjykatës disa prova, që sipas saj tregojnë që Nexhmia Hoxha gënjen rreth dorëzimit ose jo të dorëshkrimit. Në fjalën e saj, avokatja Tashko, është ndalur në dy momente kryesore, ku i pari bën fjalë për një letërkëmbim të shkëmbyer mes Nexhmie Hoxhës dhe ish-drejtorit të arkivit njëherësh dhe biografit të Ismail Kadaresë, zotit Shaban Sinani. Ky i fundit në cilësinë e drejtorit të arkivit, i ka kërkuar dorëshkrimin origjinal të "Dimrit të vetmisë së madhe" Nexhmie Hoxhës, por ajo me përgjigjet që i ka kthyer ska pranuar kërkesën, duke kthyer një përgjigje negative.

 Avokatia e Ismail Kadaresë tha se ky moment është i dokumentuar duke vënë para gjykatës të gjithë letërkëmbimnin mes tyre edhe një deklaratë noteriale që Shaban Sinani kishte bërë në vitin 2004, për këtë çështje. Ndërsa vijoi më tej argumentin e saj, avokatia pohoi se ky fakt nuk pranohet nga e paditura Nexhmie Hoxha, në një intervistë të dhënë në një gazetë të përditshme. Nisur nga këto rrethana, avokatia u shpreh se e veja e diktatorit Enver Hoxha, nuk tregon të vërtetën dhe se sduhet të merren parasysh thënies e saj nga ana e gjykatës. Gjithashtu gjatë fjalës së saj, avokatia Tashko nënvizoi edhe një moment tjetër, ku Nexhmie Hoxha gënjen rreth të vërtetës së dorëshkrimit. Avokatia, ka përmendur një pasazh në librin e Nexhmie Hoxhës, me titull "Jeta ime me Enver Hoxhën", ku në këtë libër e paditura flet për takimin e 17 tetorit 1972 me Ismail Kadarenë, por në asnjë moment nuk tregon faktin e dorëzimit të dorëshkrimit origjinal. Edhe pse një gjë të tillë nuk e thotë në libër, në një intervistë Nexhmia Hoxha shprehet se dorëshkrimin e ka marrë në datën 17 tetor 1972 nga Imail Kadareja, në formë dhurate për shkak se një ditë më parë, në 16 tetor e kishte pasur ditëlindjen burri i saj, në atë kohë udhëheqësi i vendit. Ndërkohë që avokati mbrojtës i Nexhmie Hoxhës, Aranit Roshi, pohoi se ishte dakort që çështjen ta zgjidhnin privatisht, dhe se dorëshkrimin tja dhuronin arkivit dhe jo Kadaresë.
(sg/shqiptarja.com)