Ndonjëherë nga zhgënjimet duhet një sforco për ringritje, ose një tërheqje për të qartësuar idetë. Lewis Hamilton, shtatë herë kampioni i botës në Formula 1 kërkon të izolohet këtë dimër dhe të mos ketë kontakt me botën.

Britaniku 40-vjeçar ishte shpresa e madhe e Ferrarit, por në sezonin 2025 që u mbyll fundjavën e shkuar, ai nuk mund të ngjitet në asnjë podium me 'Kokëkuqen'. Vetëm triumfi në Sprintin e Kinës për garën e tretë të sezonit ishte shumë pak për Hamilton, që kërkon një qartësim të ideve.

"Tashmë mezi pres vetëm pushimin, vetëm shkëputjen, mos të flas me askënd. Askush nuk do të jetë në gjendje të më kontaktojë këtë dimër. Nuk do ta kem telefonin me vete dhe mezi pres ta bëj këtë. Thjesht i shkëputur plotësisht nga bota. Në përgjithësi e kam pasur gjithmonë me vete, por këtë herë do ta hedh në koshin e plehrave", tha Hamilton.

Më shumë kohë me familjen, këtë kërkon Hamilton.

“Mezi pres të mos më duhet t’i bëj të gjitha këto, fotosesionet. Do të fle shumë, do të marr shumë përqafime nga nipërit e mbesat e mia dhe do të kaloj kohë me familjen time, duke u përqendruar në shëndetin dhe gjumin tim“, shtoi Hamilton.