Dimri teston vendosmërinë e Evropës për sakrifica

Dimri teston vendosmërinë e Evropës për sakrifica

Ekziston një traditë festive në Finlandë ku të gjithë zbresin në sauna në prag të Krishtlindjeve për t’u ulur dhe djersitur nën dritën e qirinjve, përpara se të fillojë festa. Disa madje besojnë se një kukudh përrallash i saunave, saunattontu, ruan atmosferën paqësore dhe ndëshkon ata që sillen keq.

Por këtë vit, pak finlandezë arritën të shijonin detoksifikimin para Krishtlindjeve. Edhe pse shumë sauna nuk ngrohen më me gaz, “energjia elektrike është shumë më e kushtueshme tani”, thotë Anni Sinnemäki, nënkryetare e bashkisë së Helsinkit. “Disa njerëz mund të bëjnë [sauna] në prag të Krishtlindjeve, por nuk do ta kenë përdorur atë të shtunën e mëparshme dhe të shtunën para saj.”

Për Helsinkin dhe qytete të tjera evropiane, ky sezon festiv ka qenë më i errët dhe më i ftohtë, ndërsa qytetarët po ndjejnë krizën më të keqe të energjisë në kontinent në disa dekada. Në të gjithë kryeqytetin finlandez, dritat e Krishtlindjeve janë ndezur për periudha të kufizuara dhe termostatet në ndërtesat bashkiake janë ulur në 20C – temperatura më e ulët e rekomanduar për hapësirat publike.

Fushat e futbollit që zakonisht shkrihen gjatë dimrit janë lënë të ngrijnë, ndërsa sheshet e patinazhit në akull do të përdoren vetëm në temperatura më të ulëta kur akulli formohet natyrshëm dhe do të shkrihet më herët në pranverë. Në pishinat publike, saunat ose janë fikur tërësisht ose janë përdorur vetëm me kufizim.

Përdorimi i energjisë elektrike ishte 9 për qind më i ulët në nëntor se një vit më parë, thotë Sinemäki, dhe nëse situata “bëhet më e rëndë, atëherë mund të ndodhë që të gjitha saunat të fiken”.

Presioni mbi furnizimet evropiane me energji u përkeqësua jashtëzakonisht në shkurt nga reduktimet dramatike të furnizimit me gaz nga Rusia në BE – një hakmarrje për sanksionet perëndimore dhe mbështetjen për Ukrainën pas pushtimit.

Çmimet në të gjithë bllokun kanë qenë shumë të larta, edhe pse kanë rënë krahasuar me atë rritje të fortë në gusht. Pjesë të tëra të industrisë – veçanërisht prodhuesit e çelikut dhe kimikateve – kanë shkurtuar prodhimin, ndërsa qeveritë kanë hedhur më shumë se 700 miliardë euro në subvencione dhe mbështetje financiare, sipas institutit “Bruegel”, me qendër në Bruksel. Të dhënat nga Eurostat tregojnë se faturat e gazit për familjet u rritën në mënyrë dramatike pothuajse në të 27 vendet anëtare të BE-së në gjysmën e parë të vitit, dhe disa, si Estonia dhe Bullgaria, u desh të përballojnë më shumë se dyfishin e kostos së vitit të kaluar.

Helsinki është një nga kryeqytetet më të ftohta të BE-së, por qytetarët e tij nuk janë të vetëm në përpjekjet për të kursyer energji – dhe kosto.

“Është mirë që po kursejmë energji dhe duhet të vazhdojmë të kursejmë,” tha Ursula von der Leyen, presidente e Komisionit Evropian, në një fjalim gjatë dhjetorit, ndërsa paralajmëroi se viti i ardhshëm mund të jetë edhe më i vështirë.

Shumë evropianë e kanë përqafuar atë mesazh, duke fikur dritat dhe duke ndërprerë ngrohjen jo vetëm përballë faturave të larta, por edhe si një mënyrë simbolike e mbështetjes për Ukrainën.

“Të gjithë po flasin për kostot e energjisë dhe krahasojnë faturat e energjisë dhe kjo i bashkon njerëzit,” thotë Elisabetta Cornago, studiuese e lartë në fushën e energjisë në Qendrën për Reformën Evropiane.  “Qytetarët duan të shohin që bizneset, dyqanet dhe entet publike të kursejnë energji ashtu siç po bëjnë në shtëpi.”

Pyetja, shton ajo, mbetet nëse dhe sa mund të zgjasë kjo ndjenjë solidariteti.

Një front i ftohtë kontinental

Në një nga netët më të ftohta të dhjetorit, banorët dhe personalitetet vendase, që mblidhen në një teatër të ftohtë të viteve 1900 në jug të Brukselit flasin për përdorimin e energjisë dhe demonstrojnë se si shpirti i komunitetit është galvanizuar, në një përpjekje për të ulur faturat.

Komuna lokale — ekuivalente me një këshill bashkie — ka instaluar panele diellore në çatinë e një shkolle aty pranë dhe ata ndajnë çdo sasi energjie që nuk përdoret nga nxënësit, me rrugët fqinje. Në takim ata shpjegojnë projektin dhe flasin me audiencën e grumbulluar në ndenjëset e kuqe, se si mund të kursejnë në faturat e tyre.

“[Banorët] do të paguajnë 5 cent për kilovat orë në vend të 17 cent,” shpjegon Audrey Lhoest, kryetare e klimës dhe energjisë për komunën e Ixelles. “Është më e lirë se tarifat dhe do t’i ndihmojë ata të paguajnë 30 për qind të faturave të tyre të energjisë elektrike.”

Christos Doulkeridis, kryebashkiaku i Ixelles, thotë se është veçanërisht i shqetësuar për njerëzit e pastrehë dhe organizatat që i ndihmojnë ata, veçanërisht nëse “kemi një dimër më të fortë” me temperatura nën zero gradë. Por Lhoest është i shqetësuar edhe për personat me të ardhura mesatare që nuk kanë përfituar nga mbështetja e qeverisë.

“Ka edhe njerëz që marrin një rrogë të mirë për të cilët nuk është aq e lehtë të paguajnë këto lloj faturash,” thotë, duke shtuar se njerëzit po përdorin “mënyra të vjetra” si shishet e ujit të nxehtë për të shmangur kthimin tek ngrohja.

Tendenca është e dukshme në të gjithë Evropën. Pavarësisht një dimri të butë, shitjet e të brendshmeve termike janë rritur ashtu si edhe konsumi i qirinjve, i cili tashmë ishte rritur më shumë se 12 për qind nga viti në vit gjatë pandemisë, sipas Shoqatës Evropiane të Prodhuesve të Qirinjve.

“Është një fenomen i njohur në kohë krize. Njerëzit kalojnë më shumë kohë në shtëpi dhe duan ta kenë të rehatshme” thotë Stefan Thomann, drejtor teknik i ECMA.

Vlerësimet për reduktimin e përdorimit të gazit në të gjithë Evropën lëvizin në rreth 15 për qind në gjysmën e dytë të vitit 2022, në përputhje me një angazhim të qeverive të BE-së në korrik për të ulur vullnetarisht kërkesën me atë sasi. Shumica e kursimeve kanë ardhur nga “ulja e kërkesës” midis përdoruesve industrialë që kanë ndërprerë prodhimin, por nuk duhet të mohojnë përpjekjet e familjeve dhe komunitetit, thotë Henning Gloystein, drejtor i energjisë, klimës dhe burimeve në Eurasia Group.

Edhe nëse kërkesa e konsumatorit është “super e paqëndrueshme në të gjithë Evropën, në varësi pothuajse tërësisht nga moti”, thotë ai, “ngrohja e familjeve dhe bizneseve të vogla zë pjesën më të madhe të konsumit të gazit çdo dimër, e nëse nuk mund ta zgjidhim këtë problem, jemi në telashe”.

Në Gjermani, vend që siguronte më shumë se gjysmën e gazit nga Rusia në vitin 2021, një fushatë e bashkërenduar e qeverisë për të ulur konsumin e energjisë është filtruar nëpër autoritetet e qyteteve. Dritat në ndërtesat publike janë reduktuar, temperaturat në objektet sportive janë ulur në 17C, uji i ngrohtë është hequr në ndërtesat publike dhe është reduktuar ngrohja e ndërtesave bashkiake në qytetet kryesore.

Prindërit në Mynih kanë shprehur shqetësim për mirëqenien e fëmijëve të tyre për shkak të masave konkurruese midis shkollave për të inkurajuar kursimin e energjisë dhe mungesa e famshme e një kufiri të shpejtësisë është bërë një çështje debati kombëtar. UB, agjencia gjermane e mjedisit, deklaroi se masat e përkohshme të shpejtësisë mund të zvogëlojnë përdorimin e energjisë në trafikun rrugor deri në 9 për qind, por vetëm Kisha Ungjillore e Gjermanisë ka aplikuar deri më tani një kufizim vullnetar të shpejtësisë për flotën e saj të automjeteve.

Në Francë, ku situata është bërë më sfiduese nga mbyllja e pothuajse gjysmës së flotës së energjisë bërthamore për arsye mirëmbajtjeje, monumente të tilla si Kulla Eifel dhe Pallati i Versajës tani qëndrojnë në errësirë ​​për pjesën më të madhe të natës dhe vitrinat e dyqaneve luksoze, që i përkasin konglomeratit LVMH, duke përfshirë Louis Vuitton në Champs Elysées, tani janë në errësirë që prej orës 22:00.

Sheshi i patinazhit në tregun e Krishtlindjeve në Valencia, Spanjë, është bërë me një material sintetik të rrëshqitshëm dhe jo me akull që kërkon ftohje, ndërsa zyra e kryebashkiakut thotë se pret që më shumë se dyfishi i njerëzve të vizitojnë “zyrat e energjisë” të qytetit, për të marrë këshilla për uljen e konsumit këtë vit në krahasim me të kaluarin.

Dritat në tregun e Krishtlindjeve të Vjenës janë shkurtuar gjithashtu nga 660 orë gjatë sezonit në 364 orë, duke reduktuar përdorimin e energjisë elektrike me 45 për qind.

Në Emilia-Romagna, familjet kanë shkurtuar vaktet e Krishtlindjeve ose kanë menduar pjata të ftohta për të kursyer kohën e gatimit. Anna Rita Fabbri, një gjyshe nga rajoni, thotë se ajo dhe burri i saj kanë “debate të pafundme se kush ka harruar të fikë dritat” dhe qëndron kryesisht në kuzhinë, e vetmja dhomë e mbajtur “vazhdimisht ngrohtë për shkak të gatimit”.

Edhe në Mbretërinë e Bashkuar, e cila ka burimin e vet të gazit në Detin e Veriut, kompanitë e energjisë i janë bashkuar një skeme që ofron stimuj për të inkurajuar kompanitë që të përdorin lavatriçet, për shembull, jashtë orareve të pikut.

Për disa, kriza energjetike ka nxitur disa risi dhe një ndjenjë të frymës së rimëkëmbjes, si në kohën e luftës. Por për të tjerët, veçanërisht në Evropën Lindore, ajo rikthen në mendje një të kaluar më të errët.

Louisa Slavkova, drejtore ekzekutive në organizatën bullgare të edukimit qytetar Sofia Platform, thotë se në vendet post-sovjetike, shumë janë mësuar të bëjnë kursime. “Mungesat e energjisë elektrike dhe ndërprerjet e planifikuara janë pjesë e kujtimeve të gjalla të shumë gjeneratave të bullgarëve – kështu ishin vitet ’80,” thotë ajo. “Mbaj mend që prindërit tanë digjnin etanol në një tenxhere të vogël për të ngrohur banjën e ftohtë përpara se të bënin dush.”

Mungesa e karburantit në Hungari, ku teatrot dhe stadiumet e futbollit janë mbyllur për të kursyer energji këtë dimër, ka detyruar disa të djegin gjithçka që mund të gjejnë. Një vendim për të anuluar festimet vjetore të Krishtlindjeve në shesh dhe për të shkurtuar ndriçimin në qytetin polak të Wroclaw provokoi tërbim nga vendasit dhe detyroi autoritetet të hiqnin dorë nga vendimi.

Europa Lindore «është veçanërisht e ekspozuar», vëren Cornago e Qendrës për Reformën Evropiane. Jo vetëm që të ardhurat për frymë janë më të ulëta, por klima është gjithashtu më e ashpër se në shumë pjesë të BE-së dhe rajoni ka qenë shumë më i varur nga gazi rus. Por ka edhe një dimension kulturor.

“Në Evropën Perëndimore, përpjekja për të kursyer shihet si një medalje nderi. Në flluskën time “të gjelbër”, njerëzit mburren se si po kontrollojnë temperaturën ose po bëjnë një dush më të ftohtë”, thotë ajo. “Në Evropën Lindore, ka pasur një evolucion pozitiv në rehati dhe të qenit në gjendje të përballosh një standard të caktuar jetese dhe të bësh këto sakrifica është një sinjal kthimi pas”.

Se sa kohë qytetarët janë të përgatitur të durojnë privimet ka të ngjarë të varet edhe nga sa i ftohtë do të jetë dimri. Gjatë krizës së të ftohtit në fillim të dhjetorit, përdorimi i energjisë në familjet gjermane, të cilat janë përfaqësuese të shumë familjeve në të gjithë Evropën veri-perëndimore, u rrit me 11.8 për qind në krahasim me javën e mëhershme, sipas shifrave të qeverisë gjermane, por gjithësesi 5.2 për qind mbi përdorimin mesatar gjatë së njëjtës javë në katër vitet e fundit, shumë prej të cilave kanë qenë më të butë.

Dhe moti më i keq e i thatë – i njohur në gjermanisht si dunkelflaute – mund të ketë mbaruar. Shërbimi i Ndryshimeve Klimatike Copernicus, i cili ofron parashikime sezonale për Evropën, tha se midis dhjetorit dhe shkurtit kishte “rrezik më të lartë se zakonisht për shpërthime të të ftohtit në fillim të periudhës”, por që më vonë gjasat janë që moti të jetë më i butë dhe i lagësht.

“Ditët kur moti është i ftohtë, por jo me erë, janë ditët që ne po përpiqemi t’i shmangim,” thotë Sinnemäki në Helsinki. / Me shkurtime nga Financial TImes – Bota.al

M.Q./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Kosovë/ Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa urdhëron KQZ-në të certifikojë Listën Serbe për zgjedhje

Kosovë/ Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa urdhëron KQZ-në të certifikojë Listën Serbe për zgjedhje