‘Dinozaurët’ Berisha e Meta, në ‘mes’ Basha dhe testi i 6 marsit për t’u ‘burrëruar’

‘Dinozaurët’ Berisha e Meta, në ‘mes’ Basha dhe testi i 6 marsit për t’u ‘burrëruar’

Ilir Meta ka dekretuar 6 marsin e këtij viti si datë të zgjedhjeve të pjesshme vendore për 6 bashkitë e mbetura pa kryetar, duke i dhënë fund dilemës së dekreteve presidenciale për zgjedhjet vendore.

Duket si simbolikë e veçantë zgjedhja e kësaj date për të realizuar këto zgjedhjeve të vonuara deri në limitin e fundit, të cilat për hir të së vërtetës duke parë se si është sjellë Ilir Meta me mandatin e Presidentit, nuk do të përbënte çudi dhe sikur të mos i dekretonte fare.

Fundja, 12 shkeljeve Kushtetuese të evidentuara nga mazhoranca socialiste, e cila e ka shkarkuar në Parlament dhe që kërkon ta “ratifikojë” dhe në Kushtetuese për ta jetësuar përfundimisht largimin e kreut të shtetit nga zyra e tij, dhe po t’i shtohej një shkelje tjetër, ajo e mosdekretimit të zgjedhjeve në këto 6 bashki pa kryetar, nuk do të lëvizte asgjë në “kandarin” e shkeljeve të Presidentit Ilir Meta.

Si më 12, ashtu dhe me 13 shkelje Kushtetuese të realizuara si President, Ilir Meta e ka mbushur, e madje derdhur “kupën” e thyerjes së Kushtetutës në elementët më krucialë të saj, që kanë të bëjnë me postin e kreut të shtetit si simbol i unitetit të kombit, të barazlarguar nga partitë politike dhe që ka për “bibël” aktin themeltar të shtetit e jo LSI-në e luftën ndaj mazhorancës socialiste.

Por Ilir Meta këmbënguli pikërisht tani, teksa është çliruar pak kohë nga vendimi për shkarkimin si president për shkak të infektimit me Covid të trupit gjykues të Gjykatës Kushtetuese, vendosi dekretimin e zgjedhjeve në bashkitë e mbetura pa kryetar, një vit para zgjedhjeve të përgjithshme për pushtetin vendor.

Vazhdoj të këmbëngul se është një skenar i mirëmenduar dhe “kurth” i Metës, në bashkëpunim me “dinozaurin” tjetër të politikës shqiptare Sali Berisha, i mbetur pa seli dhe pa parti, i cili ka vetëm një qëllim: Shkatërrimin politik të Lulzim Bashës, “birit” të tij politik. I cili sipas vetë ish kryeministrit demokrat i doli besëthyer dhe i paburrë, duke rezultuar një investim i shkuar dëm i vetë Berishës, që investoi gjithçka tek Basha për 16 vite.

Ndonëse humbës kronik përballë Edi Ramës, Lulzim Basha kishte gjithë të drejtën e Zotit që të provonte veten si kryetar real i PD, dhe këtë me sa duket po përpiqet të bëjë ditë pas dite, i mbështetur nga partnerët tanë kryesorë, amerikanët por dhe një pjesë e madhe e paneleve mediatike, që po ndihmojnë realisht dhe me sinqeritet ngritjen e liderit të ri të demokratëve.

Por i mbështetur nganjëherë dhe poshtë “banakut” apo aneksin politik shqiptar ku konsumohet “pije” politike e cilësisë së dobët që të zë menjëherë dhe të “përkthehet” në teza që s’kanë lidhje me njëra tjetrën apo me realitetin.

Për hir të së vërtetës Basha e fillon betejën për 6 bashkitë e mbetura pa kryetar më 6 mars, jo në avantazh me kundërshtarët e tij politikë, brenda PD, opozitës dhe përballë të mazhorancës.

E themi këtë sepse Basha vijon të mbajë “një sy” tek selia e PD, e cila nga momenti në moment mund të pushtohet nga njerëzit e Berishës, e atëherë do kalonte vërtetë në kufijtë e banalitetit përballja në PD mes atyre që quhen “rithemeluesit” me në krye Sali Berishën, dhe grupimin e mbështetësve që ka mbledhur rreth vetes Lulzim Basha.

Pikërisht duke pasur nëpër këmbë Berishën, për të cilin mediat dhe analistët kryesorë në shumicë ndajnë mendimin se kontrollon shumicën e PD, Basha është në kushte aspak komode për të bërë fushatë për këto 6 bashki. Nuk e ka situatën aspak të mirë në Shkodër, as në Durrës, as në Vorë, as në Dibër, as në Rogozhinë e as në Lushnjë. Jo se janë mirë dhe Berisha e Meta, të kuptohemi.

Në krye të herës PD dhe më tej opozita është e destabilizuar brenda vetes, e ndarë në dy pjesë e pa asnjë mundësi bashkëpunimi mes atyre që deri më 25 prill të vitit të kaluar ishin sëbashku, kishin luftuar sëbashku dhe kishin humbur apo fituar sëbashku.

Ky është një minus shumë i madh, pasi nuk mund të të besojnë qytetarët në përgjithësi për një “aleancë me ta”, sikurse ka shpallur diskursin e tij Lulzim Basha, dhe është një tezë vërtetë për t’u përshëndetur tashmë që ka nisur të dalë dhe në bazë në takim me bazën e partisë, në tentativën e tij për t’u ndarë nga e shkuara.

Pavarësisht se ka të gjithë të drejtën e Zotit me vete në këtë përplasje brenda PD përballë Berishës, pra nuk themi se nuk e ka, pasi dhe Basha e meriton një shans për të qënë në vetë të parë kryetar i partisë dhe për të pretenduar implementimin e filozifisë së tij të drejtimit të PD, qytetarët e kanë shumë të vështirë të krijojnë aleancë apo të ndjekin pas një lider partie, i cili nuk vendos rregull në partinë e vet, dhe nuk kontrollon tërësisht “territorin” e demokratëve.

Shqiptarët, përtej emotivitetit, janë shumë pragmatistë dhe e kanë shumë të vështirë të rrezikojnë për të prishur “statukuonë” e krijuar ndër vite, në ndjekjen e Bashës, i cili deklaron se është e ardhmja e vendit dhe premton ndarjen nga e shkuara qeverisëse e këtij vendi për 30 vite me radhë, pavarësisht se në një formë apo tjetër i përket dhe vetë kësaj të shkuare.

Janë 16 vite të Bashës si ministër në qeverisjen e PD, kryetar bashkie dhe kryetar i partisë më të madhe opozitare që nuk mund të zhbëhen me një fjali apo një deklaratë, dhe është vështirë që qytetarët ta besojnë Bashën se do të ndahet nga vetëvetja e të hyjnë në aleancë me ta, për dhënien fund të tranzicionit.

Duket të “djersijë” shumë Basha për të arritur këtë “kimi” politike, madje duke “sakrifikuar” e prishur dhe “vijën e flokëve” ndonjëherë, apo duke harruar pa i lyer dhe nxjerrë thinjat normale për të, në këtë moshë. Për t’u burrëruar dhe për të mos mbetur një çunak në politikë, në tentativë për t’u rritur, pasi “xhungla” politike shqiptare nuk të afron asgjë pa marrë diçka në këmbim. E kemi thënë se “qyli” ka mbaruar tashmë për Bashën, duhet ta fitojë vetë gjithçka.

Pasi dhe shumica e aleatëve të Bashës më 25 prill të vitit të kaluar, duke filluar me Agron Dukën e PAA-së, Dashamir Shehin e LZHK-së, Nard Ndokën e PDK-së e deri tek Fatmir Mediu i PR-së, janë distancuar nga Basha, dhe kanë pranuar dikush me zë dhe dikush në heshtje ftesën e grupit të Berishës për aleancë.

E dhimbshme është të besojnë më shumë tek Sali Berisha, i ambandonuar nga partnerët tanë ndërkombëtarë, i stërkonsumuar në 30 vite e që për shqiptarët çdo e keqe në këtë vend mban emrin e tij: që nga piramidat, tragjedia e marsit 1997, grushti i dështuar i shtetit në shtator 1998, “Gërdeci”, “Rruga e Kombit”, “21 janari” e deri maskarada e 8 janarit të këtij viti, ku me leva dhe qyski mësyu selinë e PD për ta pushtuar me dhunë.

Pra Basha praktikisht gjendet i vetëm përballë kundërshtarëve në PD të kryesuar nga Berisha, aleatëve të tij të djathtë, por dhe vetë Ilir Metës, i cili është drejtuesi real i LSI dhe që në aleancë me Berishën që nuk lë rast pa goditur kreun e PD, duke e ngushtuar shumë rrezen e veprimit të PD-së zyrtare, dhe katandisur në disa takime gjysmë-ilegale me gratë apo salla të ngushta, dhe këto të goditura fort nga ana e ithtarëve të ish kryeministrit demokrat, përmes anti-mitingjeve banale të tij!

Për më tepër dhe mbështetësit e Bashës, që janë kthyer në këshilltarë të paemëruar të tij, me këshillat që po i japin, po e shtyjnë me shpejtësi drejt cepit të “ringut” politik. Vendosja përmes një “oferte të pakërkuar” e vetes në një anë dhe përballë tij të “Trekëndëshit të Bermudës” sikurse i quan Berishën, Metën dhe Ramën, mbetet sërish mister kush ia futi në kokë këtë ide, praktikisht e ka vënë Bashën përballë goditjeve, një pjesë e të cilave mund të kishin qënë të evitueshme.

Madje situata po i paraqitet Bashës në atë formë, sa të bën të mendosh se përballja e tij që “mezi pritet dhe që është fat për të”, më 6 mars në të 6 bashkitë e mbetura pa kryetar, është vetëm me Berishën dhe Metën, dhe fitorja ndaj tyre është një fitore e vetë PD.

Për hir të së vërtetës, këto zgjedhje janë test për Lulzim Bashën, por dhe një thikë me dy presa për të. E themi këtë sepse PD në këtë situatë që ndodhet, nën një traumë të fortë për shkak të kolpove që i ka dhënë herë pas here Berisha me kokëfortësinë e tij për të mbetur “gozhdë” në politikën shqiptare, për hallin e tij kuptohet, por dhe falë paaftësisë proverbiale të vetë Bashës, e ka shumë të vështirë të mbledhë veten, të motivojë njerëzit dhe t’i nxjerrë në zgjedhje. Pra vetë anëtarësinë e kësaj partie, pa pretenduar për elektoratin gri që mund të të sjellë në pushtet.

Këto zgjedhje janë një përballje me Edi Ramën e PS, kundërshtari normal që ka PD dhe Lulzim Basha, dhe më tepër se luftë për të fituar përballë Berishës dhe Metës brenda opozitës, lufta reale politike është për të mundur Edi Ramën. Qoftë dhe në një bashki, kjo është sfida e matshme që mund ta ngrejë ose mund ta ulë përfundimisht në gjunjë Bashën.

Pjesa tjetër është një “vrimë në ujë”, pasi koleksionit të humbjeve të PD në 8 vite do t’i shtohen dhe këto të pjesëshmet që zhvillohen në 6 bashki më 6 mars, që janë “paradhoma” dhe testi i vërtetë i zgjedhjeve të pranverës së vitit të ardhshëm, po për pushtetin vendor.

Bashën është mirë ta mbash me “gajret” duke ia paraqitur të gjitha lëvizjet që ka bërë deri më tani si fitore të mëdha kundër Berishës, Metës por dhe vetes po të dojë. Por më e mira duhej të ishte t’i thuhej e vërteta, që e ka të vështirë dhe duhet të djersijë shumë që të jetë fitimtar sëpaku brenda PD dhe opozitës, të përcjellë dhe frymë fitoreje tek anëtarësia e PD, aleatët traditcionalë dhe pastaj tek elektorati gri.

Në zgjedhje do të vihet përballë Edi Ramës në fund të herës, i cili në krye të PS zotëron një trupë të frikshme elektorale, e cila garanton në momentin më të keq mbi 800 mijë vota, numër që garanton fitoren në të gjitha palët e zgjedhjeve, duke e lënë PD-në apo atë që ka mbetur prej saj, përjetësisht në vendin e dytë dhe si pasojë në opozitë.

Populli opozitar kërkon një fitore, sado të vogël nga Basha, për të pasur ndonjë shans besimi tek ai, ndryshe pas 12 viteve në opozitë dhe pa shpresë rikthimi në pushtet, do të “kacavirren” pas të fortit të radhës në politikë për të mbijetuar. Eshtë çështje pragmatizmi dhe më mirë se Basha nuk e di askush këtë, ka përfituar vetë nga “kacavjerrja”.

Duhet të lëvizë, larg retorikës që nuk prodhon vota, për të treguar para shqiptarëve se në radhë të parë vetë ai është i vërtetë në të gjitha ato që thotë, premton dhe beson. Duke dalë jashtë lojes me një “portë” apo me “porta të vogla” që ka zhvilluar dhe po zhvillon deri më tani.

Politika është “sport” i rëndë, “shumë e dinë, por pak e luajnë”! “Arbitri” të jep fitoren njëherë kur je “fit e fit”, jo kur je në dizavantazh të thellë.

SI.E./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Kasem Gahinji: 20/01/2022 20:36

    Jam dicka vetem per cilesimin ne titull:-dinosaur.Saliun ne shkrim e e cilesojne "ish kryeministri".Ke 11 vjet qe po keshtu e therresin,kur deri me sot eshte vecse deputet. Per behet kjo?Per ti rritur vlerat?,per ta cilesuar te pamposhtur si dinosaur?Atehere per nuk i thone ,si cdo vrases i dhe krimineli "krimineli sali berisha".Se ofendohet?Se i ulen vlerat?Sa iu dhimbsen disave saliu i madherishem...Ose...kane frike prej tij.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë