Nënkryetarja e Kuvendit dhe deputetja e Partisë Socialiste Evis Kushi, ka folur në emisionin “Frontline” për mbledhjen e Asamblesë së PS-së, që do të zhvillohet të shtunën. Kushi bëri të ditur se në fokus të diskutimeve do të jenë përgatitjet për zgjedhjet e ardhshme të 9 majit.

“Në asamblenë e së shtunës ka disa çështje që do të diskutohen. Kemi përgatitjet për zgjedhjet e ardhshme të 9 majit. Ky është momenti që të fillojmë të angazhohemi me të gjitha strukturat, që nga organizatat e Partisë Socialiste, kudo në të gjithë territorin, por edhe me forumet e tjera drejtuese. Gjithmonë ka vend për ndryshime, për përmirësime, në funksion të objektivave, të qëllimit.

Temat e diskutuara gjatë ditëve të fundit do të trajtohen në Asamble?

"Patjetër, ato i diskutojmë edhe në mbledhjet e vazhdueshme që bëjmë. Për shembull, grupi parlamentar i PS-së mblidhet çdo të hënë. Këto tema janë gjithmonë pjesë e diskutimeve tona.”

Sa i përket mundësisë që në mbledhjen e së shtunës të bëhen publikë emrat e kandidatëve për kryetarë bashkie, Kushi nuk e konfirmoi një gjë të tillë. Ajo u shpreh se vendimmarrja do të bëhet pas diskutimeve në Asamble, ndërsa shtoi se në këtë mbledhje pritet të përcaktohen më shumë kriteret dhe procesi që do të ndiqet për përzgjedhjen e kandidaturave deri në fushatën e ardhshme.

 “Nuk mund ta them, sepse kjo do të jetë sigurisht pas diskutimeve dhe pas vendimmarrjes së përbashkët të Asamblesë. Nuk besoj se do të gjeni të gjithë emrat. Mund të kemi më shumë kriteret dhe procesin. Ne do të përcaktojmë procesin se si do të shkojmë te emrat. Unë besoj se më shumë sesa për emrat specifikë, në Asamble ne do të diskutojmë për procesin, hapat dhe çfarë do të ndodhë deri në fushatën e ardhshme.”- tha Nënkryetarja e Kuvendit.