Lufta që Rusia po zhvillon ndaj Ukrainës është kthyer në kryefjalën e çdo vendi në botë, ku duket se të gjithë këtë herë janë bashkuar në një mendje "Rusia është agresori dhe po zhvillon një luftë të paprovokuar".

Diplomati dhe ish ambasadori Mal Berisha komentoi në Report Tv bisedimet që po zhvillohen aktualisht mes Kievit dhe Moskës, ku tha se Ukraina është në avantazh ndaj Rusisë, pasi ka mbështetjen e të gjitha shteteve demokratike të botës, ndërsa Rusia ka hasur në rezistencë të madhe.

"Më e favorizuar është Ukraina, pasi ka mbështetjen e të gjithë perëndimit dhe botës demokratike. Madje edhe kur në fillim pamë një Gjermani të dyzuar, sot ajo për herë të parë që pas Luftës së Dytë Botërore po eksporton armë, gjë që e kishte të ndaluar me ligj", tha diplomati

Diplomati tha se nëse Perëndimi nuk do të ishte treguar i dyzuar që në fillim dhe të kishte treguar forcën e unitetit dhe 'dhëmbët' si sot me sanksionet e ashpra atëherë Putini nuk do e kishte nisur luftën. Madje Berisha shtoi se Perëndimi nuk duhet bëjë me Putinin gabimet që bëri me Hitlerin.

"Ndërkombëtarët kishin një qëndrim të dyzuar dhe se Putinit duhet t'i 'priteshin' duart që në fillim para se të ndërmerrte këtë aventurë.  Largimi i bankave ruse nga sistemi SWIFT dhe embargo e vendosur ndaj naftës dhe gazit duhet të ishin ndërmarrë më parë. Nëse do merreshin këto masa kaq të forta pse nuk i mori para se të niste luftën, por perëndimi u vonua dhe mbajti shpresën  se Putini nuk do të sulmonte. Sot jemi para faktit të kryer dhe Perëndimi tregoi 'dhëmbët'. Nuk duhet të lejohet të veprohet si në Luftën e Dytë botërore, ai është mësim i historisë, nuk duhet reaguar me vonesë", tha Berisha.

Ndërsa kërkesat e Kievit Zyrtar dhe BE për integrimin e menjëhershëm të Ukrainës, për diplomatin do të thotë se "Putin nuk e ka më luftën vetëm me një shtet si Ukraina, por me vetë BE".