“Sultans of Swing”, “Money for Nothing”, “Brothers in Arms” dhe shumë hite të tjera ishin pjesë e një mbrëmjeje me ritme rock-u dhe nostalgji në një koncert në Pallatin e Kongreseve.“Dire Straits Legacy”, një nga emrat më legjendarë të muzikës rock dhuruan momente magjike për të pranishmit.
Alan Clark, tastieristi i parë dhe bashkëproducent i grupit rrëfeu për "Report TV" kohën kur u bë pjesë e “Dire Straits Legacy” dhe grupi po përjetonte momentet më të mira.
“Iu bashkova grupit dy vjet pasi u formuan. Isha tastieristi i tyre i parë. Kështu që u bashkova në vitin 1980. Ajo që mbaj mend është se argëtoheshim shumë. Ishte një grup që ishte tashmë mjaft i madh dhe ishte një moment i mirë për të qenë pjesë e një grupi ndërsa ai rritej dhe u bëmë grupi më i madh në botë në vitin 1985.”, - thotë Clark.
Pjesë e koncertit ishin edhe shumë këngë që nuk arritën të bëheshin hite, por për ta kanë një domethënie të madhe. Anëtarët e grupit britanik “Dire Straits” kujtojnë historinë e “Money for Nothing”, ideja për të cilën lindi si një refren në kitarë dhe më pas brenda ditës u krijua gjithë introja e këngës.
Për ta është e rëndësishme që interpretojnë ‘live’ në skenë dhe shijojnë çdo moment të performancës së tyre.
“Gjëja më magjike e këngëve të ‘Dire Straits' është muzika. Ne jemi gjithmonë shumë të lumtur çdo natë, që ua sjellim këtë muzikë të gjithë fansave në të gjithë botën.”, - shprehet Marco Caviglia, kitarist e këngëtar.
“Ne jemi bandë që intepretojmë 'live'. Çdo natë mund të jetë ndryshe, por kjo na pëlqen. Është argëtim i pastër për ne dhe shpresoj edhe për publikun.”, - vijon kitaristi Phil Palmer.
Për Palmer kënga e preferuar është “Private Investigations” me të cilën është çelur edhe koncerti i djeshëm, si dhe “Telegraph Road”.
Ndërsa perkusionisti, bateristi e këngëtari Danny Cummings pëlqen më tepër këngët më dinamike dhe me ritëm, edhe pse nuk lë pa përmendur edhe ato romantike si “Why worry” apo “Romeo and Juliet”.
“Më pëlqejnë baladat dhe një ndër arsyet pse më pëlqejnë është se na jepet mundësia t’i japim pak fuqi dhe i interpretojmë me shumë pasion. Është një transaksion shumë i thjeshtë.”, - thotë ai.
Ndonëse nuk e njohin muzikën shqiptare, ata janë të interesuar të mësojnë në këtë drejtim dhe dëshirojnë të kthehen sërish në Tiranë për një koncert.
“Le të shpresojmë që do të vijmë sërish. Njerëzit janë shumë të ngrohtë. E dalloj ëmbëlsinë e tyre që larg. Moti është i mirë. Vajzat janë të bukura!”, - thonë artistët.
Komente












ska dire straits pa mark chophner po lerini budalliqet
PërgjigjuAsht shume e verrete , Jane kot. Ka ardh me nxerr kujin .