Të mbledhësh kujtimet për të nuk është e lehtë. Fotografitë, dosjet arkivore dhe një pjesë e madhe e dëshmive të punës së tij artistike u zhdukën gjatë regjimit komunist. Megjithatë, emri i bas-baritonit Lukë Kaçaj i rezistoi kohës. Në 100-vjetorin e lindjes së tij, Teatri Kombëtar i Operës, Baletit dhe Ansamblit Popullor sjell një koncert homazh për një nga figurat më të mëdha të artit lirik, artistin që me zërin e tij të rrallë la gjurmë në historinë e operës shqiptare.

“Kemi një program shumë interesant me arie shqiptare dhe të huaja, pjesë që ai vetë i ka interpretuar. Është një mënyrë e bukur për të kujtuar artistët që kanë dhënë kontribut të jashtëzakonshëm.”, thotë dirigjenti Gridi Kraja.

I njohur si “Shaljapini shqiptar”, Lukë Kaçaj lindi në Bajzë të Malësisë së Madhe. Studioi në Shkodër dhe më pas në Moskë, në Konservatorin “P. I. Çajkovski”, ku u dallua si një nga zërat më premtues të kohës. Në vitin 1955 u rendit mes katër fituesve të konkursit të Teatrit Bolshoi, mes 170 këngëtarëve nga vende të ndryshme të botës. Edhe pse iu ofrua mundësia për një karrierë ndërkombëtare, ai zgjodhi të kthehej në Shqipëri.

Në skenën e Operës interpretoi role që mbetën në historinë e artit shqiptar, si Don Bazilio te “Berberi i Seviljes”, Gjini te “Mrika”, Aleko dhe Sparafuçile.

“Ka qenë një nga zërat më të bukur që ka nxjerrë Shqipëria, një artist që mund të konkurronte denjësisht në skenat europiane. Më vjen mirë që më në fund po organizohet një koncert për ta kujtuar, sepse është një emër që na bën krenarë.”, thotë drejtuesi i orkestrës së TKOB-it, Elton Katroshi.

Por jeta e artistit mori një kthesë dramatike. Fillimisht iu ndalua e drejta e skenës, ndërsa në vitin 1973 u arrestua dhe u dënua për agjitacion e propagandë kundër pushtetit popullor. Burgimi, konfiskimi i pasurisë dhe përndjekja e familjes i ndërprenë brutalisht karrierën artistike. Pas lirimit, një nga zërat më të mëdhenj të operës shqiptare u detyrua të punonte si hamall, larg skenës ku kishte shkëlqyer. Megjithatë, as vitet e vështira dhe as heshtja e imponuar nuk mundën të fshijnë kontributin e tij.

“Aktiviteti është ndërtuar mbi rolet më të rëndësishme të karrierës së tij. Publiku do të dëgjojë pjesë nga veprat ku ai ka interpretuar dhe që kanë shënuar jetën e tij artistike.”, vijon Katroshi.

Koncerti vjen si homazh për artistin që pavarësisht persekutimit dhe harresës së imponuar, mbetet një nga emrat më të mëdhenj të operës shqiptare.