Disa duhet të përgjigjen për krizën e energjisë elektrike

Disa duhet të përgjigjen për krizën e energjisë elektrike

Foto ilustruese

Politikanët e lartë ndihmuan që kriza energjetike të godasë rëndë mbi ekonominë, mbi buxhetin e shtetit dhe të shpojë xhepat e qytetarëve. Dita ditës e vit pas viti me politikat dhe vendimet e tyre të gabuara e klienteliste e xhveshën lakuriq Shqipërinë, e drobitën dhe e lanë të pambrojtur ndaj krizave të mundshme, të cilat janë një dukuri bashkëshoqëruese e ekonomisë botërore. Nuk është fjala se do t’iu iknim krizave, por goditjet do të vinin të amortizuara; më e pakta do të kishim siguri për burimet e furnizimit, kur flitet për konsumatorët familjarë dhe bisneset e vogla e të mesme.

Mbas vitit 1990 politikat energjetike nuk u konsideruan prioritare dhe shteti pak deshi të dijë për të krijuar sigurinë energjetike, për të mos thënë aspak. Për të mbrujtur këtë brumë të thartuar me një zell ta pakuptimtë kanë ndihmuar edhe departamente të caktuar të Bankës Botërore. Nga tërësia e mozaikut të tregut të energjisë do të veçoj nocionin e Portofolit të Sigurisë së furnizimit të vendit me energji elektrike, me të cilin është nënkuptuar furnizimi i familjarëve dhe bizneseve të vogla e të mesme; kategori kjo që është edhe thelbi i Paketës Antikrizë të qeverisë së sotme.

Në vitin 1994 Qeveria e kohës deklaroi se në Shqipëri nuk ka nevojë të ndërtohen burime të reja për prodhimin e energjisë elektrike; dhe për të arritur në këtë konkluzion pagoi shuma të majme për një studim nga një kompani ndërkombëtare. Mjerisht ndodhi edhe më keq se kështu! Portofoli i sigurisë në vend që të rritje filloi të zbrazej e të tkurrej deri sa një ditë nuk na mjafton. Çfarë ka ngjarë konkretisht? Në vitet 1992-1997 filluan të hiqen nga skema termocentralet si burime të Sisitemit Elektroenergjetik (SE); fillimisht Tec-et në Korçë, në Maliq dhe në ish Kombinatin Metalurgjik Elbasan.

Ndërkohë u zvjerdh vëmëndja ndaj TEC-it Fier. Kështu SE po humbiste ndjeshëm nivelin e diversikimit të burimeve dhe njëkohësisht sigurinë në punë. Kjo do të thoshte edhe më pak prodhim të energjisë elektrike nga SE, veçanërisht në sezonin verë-vjeshtë. Mbas viti 1997 deri në 2005 TEC-i Fier u riaktivizua. Edhe pse jo ne kapacitetin e plot provoi domosdoshmërinë e tij për SE, veçanërisht kur u përballëm me një krizë energjetike në rajon e më gjerë. Atëher’ dhe deri sot nuk kemi më asnjë TEC në operim në SE. Edhe TEC-i Vlorë ka ngelur në cektinën buzë detit. Për se ky TEC u katandis kështu mund të flitet gjatë! Një gjendje e tillë është produkt i konceptit politik të gabuar të qeverive nga koha në kohë. Provë e konceptit tw gabuar është privatimi i Hec Ulëz e Shkopet mbi Lumin Mat dhe Hec Bistrica 1 e Bistrica 2 mbi Lumin e Bistricës në vitet 2011-2013.

U hoqën nga SE katër hec-e kur nuk kishte asnjë arsye për ti shitur ata. Ishin në gjendja teknike të mirë duke punuar, siguronin të ardhura dhe fitim për KESH sha, ndihmonin ndjeshë në aspektin operacional të SE, ishte marrë një kredi dhe po punohej për rinovim pjesor të makineri paisjeve. Për të përfituar buxheti shtetit nga privatizimi nuk bëhet fjalë sepse çmimi I shitjes ishte minimal krahasuar me nevojat buxhetor! Buxheti arkëtoi rreth 87milionë euro. Në vitin 2012 dhe 2013 pata kundërshtuar këtë privatizim sepse do t’iu kushtonte shqiptarëve shumë më shumë në të ardhmen në vlerë dhe në siguri portofoli të furnizimit të popullsisë me energji elektrike. Nga sa e ndieja unë përgjegjësinë u nxita dhe iu dërgoja një thirrje publike Presidentit të Republikës, Kryeministrit dhe Kryetarëve të Grupeve Parlamentare, thirrje kjo që u botua në media në ditët e para të Janarit 2013. Edhe nga ekrani i medias televizive (Top Channell 28/12/2012) fola dhe bëra thirrje të ndalohej ky privatizim.

Askush nuk mu përgjigj, askush nuk më thirri të paktën të bisedonim. Sindikalistët protestuan nisur nga interesat e tyre por edhe ata nuk i dëgjoi kush! Sot del e qartë se në një vit për të blerë energjinë elektrike që prodhonin këto hec-e buxheti i KESH sha dhe ai i shtetit harxhojnë rreth 90 milionë Euro, aq sa përfituan nga privatizimi! E tmerrshme kur shikon po ata politikanë që i shitën hec-et, ata deputetë që në atë kohë pothuajse heshtën të debatojnë për mungesën e energjisë elektrike! Qajnë hallin e qytetarëve, hedhin akuza për të konsumuar kohën dhe për të trullosur mendjet e qytetarëve. Kështu ka ndodhur edhe herë të tjera si fjala vjen me shitjen e ARMO. Kur valle do ta mbyllin gojën këtë mëkatarë?! Lutem lexojeni thirrjen publike të bërë në dhjetor 2012.

K.T./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja