Manchester City u mposht 3-0 nga Real Madridi në Spanjë, sfidë kjo e cila vlente për aktin e parë të fazës së 1/8-ave në Champions League. Tre golat e kapitenit Federico Valverde bënë që 'Galaktikët' të kenë një epërsi të konsiderueshme për ndeshjen e kthimit në Angli, e cila luhet të martën që vjen në orën 21:00.
Humbjen e analizoi edhe trajneri i Man. Cityt, Pep Guardiola. Spanjolli tha se ekipi i tij nuk luajti aq keq sa për të humbur me tre gola, por ende beson te një përmbysje në 'Etihad'.
"Loja jonë nuk ishte aq e keqe sa për të humbur 3-0. Real Madridi? Kur fiton 3-0… Do të provojmë, por e dimë që mundësitë janë të pakta. Është e vështirë, por me tifozët tanë do të përpiqemi të bëjmë më mirë”.
Rezultati është i qartë, por kanë mbetur edhe 90 minuta. Ata patën tri raste në pjesën e parë dhe shënuan tre gola. Arritëm shpesh deri te vija e mbrojtjes së tyre, edhe në pjesën e dytë, por na mungoi pasimi final", tha trajneri spanjoll.
Për penalltinë e pritur nga Donnarumma ai shtoi se i mban në lojë.
"Me tre gola është e vështirë përmbysja, imagjinoni me katër. Megjithatë, me tifozët tanë do të shohim nëse mund të surprizojmë. Federico Valverde? Është një lojtar fantastik, luan në disa role dhe shënon gola të vlefshëm", vijoi Pep.
Guardiola vlerësoi edhe lojtarët e rivalëve.
"Real Madridi e meritoi. Ka lojtarë shumë të talentuar si Arda Guler, Vinicius Junior, Valverde dhe Aurelien Tchouameni. Ata na i bllokuan shumë kundërsulmet. Mendoj se në pjesën e dytë luajtëm shumë më mirë”.
Trajneri i Man. Cityt pranoi se u befasua nga qasja e Alvaro Arbeloa, teknikut rival.
“Po, luajti me pesë në mbrojtje dhe pa një sulmues fiks. Kundërsulmet e tyre ishin shumë të rrezikshme", tha Pep mes të tjerash.
Në 16 përballjet mes tyre në gjithë historinë, Real Madridi ka fituar në shtatë raste, pesë janë fitore të Manchester Cityt, ndërsa katër duele të tjera janë mbyllur në barazim. Prej vitit 2022 skuadrat janë përballur pesë herë në fazën me eliminim direkt të Champions League.
Fakt është se paçka formës dhe lojës jo shumë të mirë në La Liga, Real Madridi 'shndërrohet' në një ekip të frikshëm që nuk pyet për rivalët në Champions.
Komente







