TIRANËBelinda Balluku nuk iu dorëzua SPAK! Me 82 votat pro të socialistëve e të PSD dhe 47 votat kundër të opozitës, Kuvendi rrëzoi kërkesën e Prokurorisë së Posaçme për arrestimin e ish-zv.kryeministres, e pandehur për shkelje të barazisë në tenderë, dhe hetimi ndaj saj do të vijojë në gjendje të lirë dhe vetëm me masën e ndalimit të daljes jashtë shtetit.

Ashtu siç e kishin paralajmëruar, Partia Socialiste i qëndroi argumenteve të saj në mbrojtje të Ballukut, duke thënë se ky vendim në asnjë rast nuk pengon hetimin e SPAK. Ulsi Manja i cili lexoi raportin e mazhorancës, theksoi se Balluku ka respektuar masat e sigurisë që janë vendosur ndaj saj dhe procesin penal, nuk ka asnjë fakt që ajo mund të prishë provat apo të arratiset dhe fakti që nuk është më në detyrë garanton se nuk mund ta përsëritë krimin.

“Masa e sigurimit personal, ajo e pezullimit nga detyra, nuk prodhon më asnjë efekt, në të njëjtën linjë, raporti ynë e qartëson edhe narrativen mbi të cilën SPAK ka ndërtuar kërkesën e aplikimit masave më të rënda, prishja e prova, apo arratisje, janë hipotetike për sa kohë lidhet me ushtrimin e funksioneve ekzekutive, detyra në fjalë që nuk i ushtron më”, tha Ulsi Manja.

Këtë vendim të socialistëve për të mos e lëshuar Ballukun në duart e drejtësisë, demokratët e lexuan si një mbrojtje ndaj Edi Ramës. Deputeti Oerd Bylykbashi, i cili lexoi raportin në mungesë të Gazment Bardhit, tha se Kuvendi po kthehet në strehë të të korruptuarve dhe ritheksoi edhe njëherë argumentet e tyre pro kërkesës së SPAK.

"Imuniteti nuk mundet dhe nuk duhet që të shndërrohet në mburojë apo si pengesë për drejtësinë. SPAK tregoi qartë se ekziston rreziku për prishjen e provave të procedimit penal, nga deputetja Balluku. Është përpjekur të ushtrojë presion përmes dëshmitarëve përmes të fortëve", tha Bylykbashi. 

Ndonëse pritej një e enjte tensionuar dhe me kaos, siç PD kishte paralajmëruar, seanca dhe protesta e demokratëve jashtë Kuvendit u mbyll pas rreth 1 ore e gjysme. Seancës plenare i parapriu një mbledhje e grupit të PS për unifikimin e qëndrimit, çka u tregua qartë edhe në momentin e votimit.

Belinda Balluku mungoi në seancën ku kolegët e saj ngritën kartonin për të mos lejuar arrestimin. Punimeve të Kuvendit iu bashkua edhe vetë kryeministri Edi Rama, por munguan Elisa Spiropali, Fatmir Xhafaj dhe Blendi Gonxhja. Nga opozitarët në sallë nuk ishte kreu i grupit, Gazment Bardhi, Klevis Balliu dhe as Agron Shehaj të përjashtuar për shkak të përplasjeve në senaca plenare. 

Pas leximit të dy raporteve, u hodh në votim kërkesa e SPAK, e cila u rrëzua me 79 votat e socialistëve, të cilave iu bashkua edhe vota e 3 deputetëve të PSD-së së Tom Doshit. Ky moment u prit me kontestime nga opozita, e cila kësaj radhe kishte zgjedhur si strategji dy protesta paqësore.

Demokratët me në krye Sali Berishën bllokuan foltoren dhe u shfaqën pranë saj me pankarta në duar, ndërsa me kërkesë të PS pjesa tjetër e rendit të ditës u kalua në votim. Jashtë protestuesit e Partisë Demokratike ishin mbledhur në një protestë paqësore e cila u shpërnda menjëherë sapo Kuvendi mbylli punimet.

1773310913_votimiperbelindaballukun.jpg

Lajmi në përditësim...

-------------------------------

Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 12:46
Ballukut nuk i hiqet mandati, Bardhi: PS kërcënim për pavarësinë e drejtësisë, votuan kundër SPAK për të mbrojtur Ramën

1771843775_Sequence23.00191715.Still009.jpg

Kreu i grupit parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi e cilëson qeverisë si një kërcënim për pavarësinë e sistemit të drejtësisë pas votimit kundër arrestimit të Belinda Ballukut. Bardhi thotë se votat e mazhorancës kanë për qëllim vetëm mbrojtjen e Edi Ramës nga drejtësia, të cilin e konsiderojnë palë me Belinda Ballukun.

“Prej sot, mazhoranca e Edi Ramës është zyrtarisht kërcënim për pavarësinë e sistemit të drejtësisë dhe integrimit europian të Shqipërisë.

Ata votuan sot kundër SPAK-ut për një arsye të vetme: për të mbrojtur Edi Ramën dhe për t’i vendosur drejtësisë vijën e kuqe se deri ku lejohet të hetojë.

Për 10 vjet Edi Rama u tha shqiptarëve dhe partnerëve ndërkombëtarë se askush nuk është mbi ligjin, por sot provoi të kundërtën.

Prandaj, problemi i Shqipërisë nuk është mungesa e provave për korrupsionin e Belinda Ballukut. Problemi është një kryeministër që pengon drejtësinë për një hetim të shpejtë dhe të pandikuar nga pushteti.

Integrimi europian matet me mënyrën si trajtohet korrupsioni në pushtet dhe me mënyrën si veprojnë institucionet për të mbrojtur ligjin. Sot Edi Rama dha përgjigjen më të keqe të mundshme: mbrojti korrupsionin dhe shpalli fajtore drejtësinë”, tha Bardhi.

Ora 12:37
Nga prezenca e Ramës, te ovacionet e opozitës, Kuvendi sot nëpërmjet fotove! Balla ruhej nga Garda, jashtë protestë kundër Ballukut

Kuvendi i Shqipërisë rrëzoi sot kërkesën e SPAK për marrjen e autorizimit për arrestimin e deputetes Belinda Balluku. Në të njëjtën kohë, Partia Demokratike jashtë kishte organizuar një protestë, kësaj radhe paqësore.

Në Kuvend pamë opozitën me postera në duar me foto të Ballukut e Edi Ramës, me shkrime pro SPAK e “dorëhejqje” drejtuar qeverisë. I pranishëm në sallë ishte dhe kryeministri Edi Rama, i cili dukej “i bezdisur” nga seanca. Ndërkohë sot, deputeti Taulant Balla po ruhej me një gardist pas përplasjeve të forta në seancën e kaluar me opozitën.

Protesta jashtë u mbyll pa incidente, përveç hedhjes së sparyt drejt policëve nga një militant. Berisha njoftoi mbylljen e protestës dhe mbajtjen e të radhës më 22 mars.

Ora 12:34
Balluku e paprekur pas votimit të Kuvendit, reagon Salianji: Fillimi i një beteje të re të socialistëve me drejtësinë

Ervin Salianji ka reaguar pas rrëzimit me 82 vota në Kuvend të kërkesës së SPAK për arrestimin e Belinda Ballukut. Në një reagim në rrjetet sociale, ai thotë se vendimi i sotëm është fillimi i një beteje të re të socialistëve me drejtësinë.

 Salianji thotë se Rama dhe socialistët provuan se drejtësia është e mirë vetëm kur përdoret politikisht dhe me standarde të dyfishta.

“Vendimi i sotëm në parlament rrëzoi propagandën për “shkëlqimin” e drejtësisë së re dhe i dha fund një epoke të shkurtër, por të zhurmshme, gati 10-vjeçare, ku u shit iluzioni se një drejtësi e re, e mbështetur politikisht, do t’i jepte fund pandëshkueshmërisë dhe korrupsionit. Vendimi i sotëm është qartësisht fillimi i një beteje të re të socialistëve me drejtësinë, një betejë institucionale, publike dhe politike ndaj asaj që me propagandë u quajt “drejtësia e re”. Sot, Rama dhe socialistët rrëzuan mitin që kishin ngritur prej vitesh për një drejtësi të pagabueshme. Ata provuan se për ta drejtësia është e mirë vetëm kur përdoret politikisht, vetëm kur godet kundërshtarët, vetëm kur burgos ata që denoncojnë. E vërteta është e thjeshtë: Rama dhe qeveria nuk ka dashur kurrë drejtësi të pavarur dhe te barabartë për të gjithë. Ka dashur një drejtesi për ta përdorur si mekanizëm mbrojtjeje ose për ta përdorur me standarde të dyfishta, një instrument presioni dhe propagande, jo një garanci për shtetin e së drejtës. Nga sot nis epoka e re, Rama në përballje të hapur kundër SPAK dhe drejtësisë!”, shkruan Salianji.

Ora 12:13
PS votoi kundër heqjes së imunitetit të Ballukut, Lapaj: Maskat ranë! Rama me 82 mandate u rreshtua kundër drejtësisë

1770988399_adriatiklapaj.jpg

Foto: Adriatik Lapaj

Pas përfundimit të seancës plenare në Kuvend, ku mazhoranca me 82 vota rrëzoi kërkesën e SPAK për heqjen e imunitetit Belinda Balluku, kreu i Lëvizjes Shqipëria Bëhet, Adriatik Lapaj, akuzoi mazhorancën dhe kryeministrin Edi Rama se e hoqi maskën dhe doli në mbrojtje të abuzimeve dhe kundër drejtësisë.

Postimi i plotë:

Maskat ranë! Edi Rama me 82 vota u rreshtua në krah të abuzimit duke i dalë kundër drejtësisë!

Besoj dhe ndërkombëtarët tashmë janë të qartë se Edi Rama në funksion të pushtetit të vetë është i gatshëm të bëjë çdo gjë!

A ka më moral ky Parlament të vazhdojë punën? A mund të ketë më besim se ky njeri do organizojë zgjedhje të lira dhe të ndershme? A mund të bashkëjetojmë më me këtë model shtypës?

Zgjidhja e vetme është dorëheqja pa kushte e tij!

Krijimi i një qeverie tranzitore të përbërë nga intelektualë përtej partive me mandat 12 mujor për organizimin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme.

Reformim i Kodit Zgjedhor për demokratizimin e vendit.

Depolitizim i administratës zgjedhore.

Ora 11:47
Mes kaosit në Kuvend, Spiropali dhe Vengu votohen si anëtarë në Komisionet Parlamentare

 

Mes kaosit në Kuvend pas rrëzimit të kërkesës së SPAK për arrestimin e Ballukut, Elisa Spiropali dhe Pirro Vengu u votuan si anëtarë në Komisionet Parlamentare.

Emërimi i tyre, përkatësisht i Spiropalit si anëtare në Komisionin për Çështjet e Brendshme dhe Mbrojtjen dhe i Vengut si anëtar i Komisionit për Burimet Natyrore, Infrastrukturën dhe Zhvillimin e Qëndrueshëm, u realizua me një votim të vetëm me 80 vota pro.

Vengu u emërua edhe si anëtar zëvendësues për Çështjet e Brendshme dhe Mbrojtjen, ku mori 79 vota.

Ora 11:25
Nuk i hiqet imuniteti Belinda Ballukut, opozita bllokon foltoren! Ndërpriten diskutimet, kalohet në votim rendi i ditës

 

Opozita ka bllokuar foltoren ndërsa po proteston në sallë pas votimit kundër heqjes së imunitetit të Belinda Ballukut. Ndërkohë me propozim të Taulant Ballës, diskutimet janë ndërprerë dhe është kaluar në votim i gjithë rendi i ditës.

Ora 11:19
Imuniteti i Ballukut, PS kundër: S’ka prova e rrethana të reja, kërkojmë rrëzimin e kërkesës së SPAK

 

Në prezantimin e raportit të PS para Kuvendit për kërkesën e SPAK për arrestimin e Ballukut, Ulsi Manja tha se kërkesa duhet të shoqërohet me një relacion për provat ku mbështetet organi i akuzës. Ai tha se akuzat ndaj Ballukut nuk kanë ndryshuar, pasi:

“Nuk ka akuzë për korrupsion;

Nuk ka akuzë për pengim të drejtësisë;

Provat mbi të cilat mbështetet kërkesa janë në thelb, të njëjtat prova që kanë qenë në dispozicion të gjykatës në mometin kur ajo vendosi masën e sigurimit personal të ndalimit të daljes jashtë shtetit. Deputetja ka respektuar masën e sigurimit”, tha Manja.

Ai shtoi se Kuvendit po i kërkohet të marrë atribute gjyqësore dhe të zëvendësojë një masë më të lehtë me arrestin me burg.

“Sot na kërkohet të autorizojmë zëvendësimin e kësaj mase sigurimi me një masë shumë më të rëndë që cenon lirinë personale kur gjykata në fjalë ka folur me të njëjtat fakte. Sipas Kodit të Procedurës Penale zëvendësimi i masës kërkon rrethana, prova të reja ose të jetë konstatuar shkelja e masës së sigurimit të vendosur më parë”, tha Manja.

Manja ritheksoi në fund qëndrimin e PS për rrëzimin e kërkesës së SPAK duke thënë se nuk është evidentuar domosdoshmëria e masës. Gjithashtu në raportet e GJKKO e SPAK ai tha se kjo vepër trajtohet pa masë sigurimi.

“Në këto rrethana, në respekt të këtij kuadri kushtetues, procedurial e ligjor, i sugjerojmë sot këtij Kuvendi rrëzimin e kërkesës së Prokurorisë së Posaçme për dhënien e autorizimit për zëvendësimin e masës së sigurimit personal të ndalimit të daljes jashtë shtetit me arrest në burg ose në shtëpi. Nuk rezulton të jetë evidentuar domosdoshmëria e vendosjes së një mase të tillë në raport me funksionin parlamentar. Kemi marrë në konsideratë edhe faktin see standardet e vendosura nga GJKKO e SPAK në raportimet vjetore e trajton këtë vepër penale, pa masë sigurimi fare dhe jo më të kërkohet sot për një anëtar të parlamentit të Shqipërisë, zëvendësimi i kësaj mase me masë më të rëndë. Ky qëndrim yni nuk ndikon në vijimin e hetimit penal sepse Balluku është nën hetim nga SPAK që nga gushti i vitit 2024 me masë sigurimi në fuqi që prodhon pasoja juridike si ndalimi i daljes jashtë shtetit”, tha Manja.

Ora 11:10
Manja lexon raportin për Ballukun, Bardhi akuza: Je në konflikt interesi, ke ndërhyrë për nxjerrjen e një licence për një HEC në Dibër

Deputeti demokrat Gazment Bardhi, i cili nuk është i pranishëm në seancën në Kuvend ku do të vendoset fati i Ballukut, ka replikuar në rrjetet sociale me Ulsi Manjën, ndërsa ai po lexonte raportin e PS. Nardhi shkruan se Manja është në konflikt interesi me dosjen Balluku.

Ai hedh akuza kundrejt Manjës se ka ndërhyrë të Balluku për të marrë licence për përfitimin e një HEC-i në qarkun e Dibrës për një person me emrin Paulin Rajta. Ky i fundit, rezulton të ketë qenë drejtor i përgjithshëm i Burgjeve dhe i emëruar në vitin 2022 nga Manja kur mbante detyrën e ministrit të Drejtësisë.

“Ulsi Manja është në konflikt interesi me dosjen Balluku. Ndërhyrjet e tij për licenca në kundërshtim me ligjin janë pjesë e dosjes. Ulsi për sot një pyetje: A e njeh Paulin Rajta dhe a ke ndërhyrë tek Belinda Balluku për përfitimin e një HEC-i në qarkun Dibër?”, shkruan Bardhi.

 

Ora 11:09
Kundër arrestimit të Ballukut/ Raporti i PS: Nuk është më në detyrë, po i bëhet gjyq publik! SPAK me akuza hipotetike, s’ka prova konkrete

 

Deputeti i PS Ulsi Manja lexon raportin e PS kundër kërkesës së SPAK për marrjen e autorizimit për arrestimin e Belinda Ballukut. Manja thotë se pretendimet e SPAK janë hipotetike dhe të pabazuara në prova apo fakte. Në raport thuhet se për sa kohë Belinda Balluku nuk ushtron më funksione ekzekutive, nuk ka më asnjë rrezik real të prishjes së provave.

“Kam që nga viti 2013 jam në këtë sallë dhe në fakt në këtë sallë kjo është kërkesa e 7 e organit të akuzës që vjen në këtë kuvend për dhënie autorizimi për arrestimin e një anëtari parlamenti. Nuk kam dëgjuar në këtë sallë raport më të detajuar në analizën e provave, fakteve dhe rrethanave të një kërkese të SPAK sesa sot. Gjë  cila në fakt bie ndesh në frymën e nenin 73 të Kushtetutës, madje këtë raport kaq të detajuar nuk ke kam dëgjuar nga kolegët e opozitës as në 21 dhjetor 2023 kur këtu kishim kërkesën e SPAK për një tjetër anëtarë, por atëherë me një ndryshim, raporti i pakicës sugjeronte ndryshe nga sot, rrëzimin e kërkesës me argumentit se nuk plotësohen kërkesat e nenit 260 të procedurës penale. N raportin e shumicës do t’i qëndroj besnik kushtetutës.

Në emër të anëtarëve të shumicës, në momentin që e paraqitëm raportin tonë për kërkesën e SPAK për dhënien e autorizimit për arrestimin e Ballukut, ka ndodhur një realitet i ri. Juridik që e ndryshon natyrën e vlerësimit dhe shqyrtimit të kërkesës së SPAK. Ky fakt ka të bëjë me atë që deputetja në fjalë nuk ushtron më funksione ekzekutive për shkak të ndryshimeve në kabinetin qeveritar. Masa e sigurimit personal, ajo e pezullimit nga detyra, nuk prodhon më asnjë efekt, në të njëjtën linjë, raporti ynë e qartëson edhe narrativen mbi të cilën SPAK ka ndërtuar kërkesën e aplikimit masave më të rënda, prishja e prova, apo arratisje, janë hipotetike për sa kohë lidhet me ushtrimin e funksioneve ekzekutive, detyra në fjalë që nuk i ushtron më.  Shpesh kemi parë përpjekje për ta zhvendosur këtë çështje në një gjykim publik që bie ndesh me shtetin e të drejtësh dhe prezumimin e pafajësisë. Është e domosdoshme që kuvendi të flasë qartë, të dalë politikën nga drejtësia, zhurmën nga faktet dhe gjykimin publik nga procesi i rregullt ligjor. Kuvendi nuk është sot përballë një votimi të zakonshëm, jemi përballë një vendimmarrje q prek lirinë personale të një deputeti, ushtrimin e mandatit dhe balancën ndërmjet pushteteve. Kuvendi ska kompetencë të gjykojë fajësinë”, tha Ulsi Manja.

Ora 10:57
FOTOT/ Imuniteti i Ballukut, Rama rikthehet në seancën plenare

1773310532_WhatsAppImage20260312at11.09.08.jpeg

Pas prezantimit të raportit të PD dhe nisjes të atij për PS lidhur me kërkesën e SPAK për arrestimin e Ballukut, kryeministri Rama është rikthyer në sallën e Kuvendit.

Nga ana tjetër, deputetja Belinda Balluku nuk është e pranishme. Raportet do të hidhen në votim pasi Ulsi Manja të përfundojë prezantimin.

Ora 10:52
PS kundër arrestimit të Ballukut/ PD: Kuvendi po kthehet në strehë kriminelësh, hap pas në rrugën drejt BE

 

Deputeti i PD, Oerd Bylykbashi tha se në rast se PS nuk do të votojë pro kërkesës së SPAK për t’i dhënë autorizim për arrestimin e Ballukut, Shqipëria do të bëjë hap pas në rrugën drejt BE. Sipas Bylykbashit me këtë vendimmarrje të PS, Kuvendi po kthehet në strehë kriminelësh.

“Sot hapet rruga që ky kuvend të jetë përsëri strehë kriminelësh. Kjo është plagë e madhe, e freskët dhe aktuale e politikës shqiptare. Bën hap pas në rrugën drejt BE, kuvendi do të godasë përpjekjet e shqiptarëve për t’iu bashkuar familjes evropiane. Në shqyrtimin e kërkesës së SPAK duhet të mbështetemi në ruajtjen e interesit publik, në nxitjen luftës kundër korrupsionit, mbrojtjen e reputacionit të kuvendit, në mos ndërhyjnë e kompetencave të sistemit të drejtësisë dhe dhënien e mundësisë së deputetit, që të pastrojë figurën politike në mënyrë të padyshimtë nga një autoritet i paanshëm siç është drejtësia, duke respektuar parimin e barazisë para ligjit”, tha ai.  

Në fund të fjalës së tij, Bylykbashi u kërkoi edhe socialistëve të votojnë pro kërkesës së SPAK.

“Kur të ngrini dorën kini parasysh që po përfaqëson të gjithë shqiptarët, edhe ata që pa të drejtë vote, presion që ky vend ti përfaqësojë në mënyrë dinjitoze. Askush të mos fshihet pas votimit sekret, të gjithë shqiptarët të kuptojnë. Do shkojmë në BE me kokën lart apo me një sistem që mbron korrupsionin e krimin e organizuar”, tha Bylykbashi në mbyllje të fjalës së tij.

Ora 10:43
SPAK kërkon arrestimin e Ballukut, argumentet pro të PD: S’është shtatzënë, s’ka kaluar moshën 70 vjeç dhe as toksikomane

 

Sipas raportit të PD për kërkesën e SPAK për arrestimin e Ballukut, deputetja “nuk ndodhet në kushtet e ndalimit ligjor për arrest me burg”, u shpreh Oerd Bylykbashi duke renditur argumentet.

“Nuk është grua shtatzënë ose me fëmijë në moshën 3 vjeç që jeton me të. Nuk është në gjendje shëndetësore veçanërisht të rëndë. Nuk ka kaluar moshën 70 vjeç. S’është person toksikoman apo i alkoolizuar për të cilin zbatohet një program terapeutik”, tha Bylykbashi.

Ora 10:33
Pas përplasjes me demokratët, Taulant Balla nën mbrojtjen e Gardës në Kuvend (VIDEO)

 

Në radhën e karrigeve në Kuvend ku ulet Taulant Balla, është vendosur një prej gardistëve. Masa mbrojtëse ndaj kreut të grupit parlamentar të PS vjen pas përplasjes fizike në Kuvend mes tij dhe demokratëve Gazment Bardhi e Klevis Balliu, pas fjalëve të Ballës për Albana Vokshin, “për ty kemi numrin 0900”.

Pas incidentit, Bardhi e Balliu u përjashtuan me 10 ditë nga punimet e Kuvendit prej ‘Etikës’.

Ora 10:25
SPAK kërkon arrestimin e Ballukut/ PD pro: Kërcënoi dëshmitarët, imuniteti s’mund të kthehet në pengesë për drejtësinë, do ishte ndërhyrje në kompetencat e gjyqësorit

Deputeti demokrat Oerd Bylykbashi lexoi në Kuvend raportin e opozitës, përmes së cilit kërkojnë që t’i hapet rrugë kërkesës së SPAK për arrestimin e Belinda Ballukut. Bylykbashi tha se imuniteti nuk duhet të kthehet në mburojë apo si pengesë për drejtësinë, ose në të kundërt do ishte ndërhyrje brutale në kompetencat e pushtetit gjyqësor.

“Në emër të 5 deputetëve të opozitës, do të lexoj përmbledhjen e raportit rekomandues të gjysmës së Këshillit, në lidhje me kërkesën e prokurorisë për rastin Balluku. Kuvendi i Shqipërisë në datë 16 dhjetor është vënë në lëvizje nga SPAK. Deputetët të votojnë pro kërkesës së SPAK, duke vendosur dhënien e autorizimit për arrestimin apo heqjen e lirisë për Belinda Ballukun, e cila ka kryer veprën e shkeljes së barazisë në tendë. Në miratimin e këtij rekomandimi mbajnë në konsideratë. Sipas kushtetueses, pika 2 e nenit 73 synon të mbrojë veprimtarinë e vetë kuvendit jo të deputetëve të veçantë. Komisioni i Venecias ka mbajtur qëndrim dhe ka krijuar standardin që imuniteti duhet të hiqet në të gjitha rastet kur nuk ka asnjë arsye për të dyshuar se akuzat janë të motivuara politikisht. Imuniteti nuk mundet dhe nuk duhet që të shndërrohet në mburojë apo si pengesë për drejtësinë, nëse pranohet e kundërta, çdo akt i prodhuar është i pavlefshëm sepse në mënyrë të dukshëm kuvendi tejkalon kompetencën e tij dhe uzurpon kompetencën gjyqësore. Nëse kuvendi do të vlerësonte se një masa e caktuar sigurimi është ne përshtatshme se një tjetër, kjo do përbënte ndërhyrje në kompetencat e gjyqësorit dhe në hetimin penal. Kuvendi nuk është ftuar për të caktuar një masë sigurimi se nuk është kompetencë e tij. Kuvendi i është kërkuar autorizim nga SPAK që ajo ti ketë mundësi ti drejtohet gjykatës për caktimin e masës së sigurimit. Imuniteti duhet të hiqet se nuk ka asnjë pretendim apo arsyet se akuzat ndaj Ballukut, janë të motivuara politikisht, madje dhe vetë ajo e konfirmoi në seancën e këshillit, Provohet dyshimi i bazuar në prova, se ekziston dyshimi dhe ai bazohet në një set provash, provohet rreziku për procedimin penal, SPAK tregoi qartë se ekziston rreziku për prishjen e provave të procedimit penal, nga deputetja Balluku. Është përpjekur të ushtrojë përmes dëshmitarëve përmes të fortëve, të cilët Prokuroria deklaroi po verifikohet nëse janë të përfshirë në veprimtari të krimit të organizuar”, tha Bylykbashi.

Bylykbashi lexoi argumentet e opozitës për dhënien e autorizimit të SPAK për arrestimin e Ballukut, ku mes tyre renditi qëndrimin e SPAK se e pandehura Balluku ka kërcënuar dëshmitarët apo se rrezikon të prishë provat.

Kliko KËTU për të lexuar raportin e plotë të PD për Ballukun

Ora 10:17
Fati i Belinda Ballukut, kryeministri Rama largohet nga Kuvendi! Mungesa në radhët e PS, Gonxhja, Spiropali e Xhafaj s’duken askund

Ndërsa sot pritet votimi i raporteve të PS e PD në Kuvend për kërkesën e SPAK lidhur me arrestimin e Ballukut, për të cilën s’ka munguar as interesi nga mediat ndërkombëtare, kryeministri Rama është larguar nga salla.

Por, ka edhe disa mungesa. Së pari, mungon vetë Belinda Balluku, karrigia e së cilës gjendet mes Ogerta Manastirliut e Blendi Klosit.

Gjithashtu mungojnë edhe ministri i Kulturës, Blendi Gonxhja, ish-ministrja e Jashtme, Elisa Spiropali si dhe Fatmir Xhafaj. 

Ndërkohë, në radhët e opozitës shihen pankarta të ndryshme kundër kryeministrit.

Ora 10:08
Kuvendi vendos sot për imunitetin e saj, Belinda Balluku mungon në seancë

 

Deputetja Belinda Balluku nuk është e pranishme në seancën e sotme parlamentare ku pritet të vendoset nëse do t’i hiqet ose jo imuniteti e rrjedhimisht nëse Prokurorisë së Posaçme do t’i jepet autorizimi për arrestimin e saj.

Ora 09:51
Sot seanca për Ballukun, PD në protestë! Berisha nga Kuvendi: Rama po mbron Ballukun, po largojnë Shqipërinë nga rruga drejt BE

Sali Berisha është nisur drejt Kuvendit bashkë me një grup deputetësh demokratë, ku do të zhvillohet seanca për të vendosur për fatin e Belinda Ballukut. PD njëkohësisht ka thirrur edhe protestë.

Berisha tha jashtë Kuvendi se do të votojnë pro kërkesës së SPAK për t'i dhënë autorizim për arrestimin e Ballukut, e cila sipas tij po mbrohet nga Rama. Sipas Berishës, Rama me këtë vendim po largon Shqipërinë nga rruga drejt BE. 

“Qytetarët kërkojnë dorëheqjen e Edi Ramës si zgjidhjen e vetme të kësaj gjendje dhe kësaj situate dramatike që po jeton vendi. Në një kohë kur Edi Rama njeriu më i poshtëruar në detyrë sot, në të gjithë hapësirën e BE dhe më gjerë nuk ka sot një kryeministër të poshtëruar para botës dhe popullit të tij siç është Rama, është i poshtëruar sepse po përdor ligjet, kushtetutën, për të mbrojtur vjedhjen tij. Është i poshtëruar sepse për interesa të tij, të pasurive të tij, po mbyll derën e BE për Shqipërinë. Sot jemi për të shprehur mendimin e qytetarëve shqiptarë, do votojmë për heqjen e mandatit dhe arrestimin e Lubi Ballukut, por këto nuk janë zgjidhja e krizës. Zgjidhja është largimi i njeriut më të poshtëruar në skenën perëndimore, që quhet Rama”, tha Berisha.

Ora 08:39
Në 09:00 mbledhja e grupit parlamentar, socialistët nisin të paraqiten në Kuvend (VIDEO)

 

Socialistët kanë nisur të paraqiten në Kuvend që prej orës 8:14 ndërsa në orën 09:00 pritet të nisë mbledhja e grupit parlamentar. 

Ka qenë porosi e Taulant Ballës që deputetët të paraqiten më herët për të mos krijuar përplasje me protestën e opozitës. Gjithashtu ata duhet të futen nga hyrja anësore.